Partitë politike të bashkuara në luftimin e Serbisë!?

Politika

Partitë politike të bashkuara në luftimin e Serbisë!?

Mimoza Lakna Nga Mimoza Lakna Më 22 prill 2022 Në ora: 07:51
Kuvendi i Kosoves

Agresioni rus në Ukrainë, i nisur dy muaj më parë nën pretekstin e një “operacioni special” po merr përmasa të frikshme.

Në raporte të ndryshme vendore e ndërkombëtare theksohet vazhdimisht se ndikimi rus në Ballkan i ka rrënjët e gjera. Në këtë kuptim Serbia është e vetmja nga vendet e Ballkanit që nuk i ka vendosur sanksione Serbisë.

Ajo së fundmi është pajisur edhe me armatime të sofistikuara, raketa kineze me rreze të mesme veprimi, dhe është në pritje edhe të një flote avionësh francez të luftës, si dhe është armatosur një kohë të gjatë nga Rusia.

Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës muaj më parë kishte ndarë 100 milionë euro për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), derisa më vonë e themeloi edhe Fondin e Sigurisë.

Kjo situatë padyshim që kërkon unifikim në mesin e subjekteve politike në Kosovë.

Ditëve të fundit zyrtarët kufitar të Policisë së Kosovës janë përballur me një serë sulmesh të armatosura në pjesën veriore të Mitrovicës. Fatmirësisht dëmet ishin vetëm materiale.

Policia ka marr mbështetjen e LDK-së si parti opozitare për veprimet e saj pas këtyre ngjarjeve.

“Lidhja Demokratike e Kosovës me shqetësim të madh është duke i ndjekur lajmet e fundit rreth sulmeve të armatosura ndaj zyrtarëve kufitar të Policisë së Kosovës. LDK-ja ofron gjithë mbështetjen e nevojshme për Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë në ushtrimin e detyrave kushtetuese dhe garantimin e sigurisë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.”

Lidhur me atë se sa është unike skena politike e Kosovës përball kërcënimit serbo-rus në Ballkan, gazeta “Bota sot” ka biseduar me një deputet të Kuvendit të Kosovës si dhe një analist politik.

Krasniqi: Kur u bashkuam u bëmë më të fortë për ta luftuar armikun dhe për t'i bindur miqtë tanë

Image
Gani Krasniqi

Kështu, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gani Krasniqi, e ka lidhur çështjen e unitetit me ngjarjet e së shkuarës, përkatësisht luftës në Kosovë.

Ai thotë se përkundër asaj që dinin ndonjëherë të ishin të ç'orientuar, politikanët kur e panë, se barra e pushtimit rëndonte mbi të gjithë njësoj, u bënë bashkë.

“Nëse është ashtu siç thuhet: “Liria është gjëja më e shtrenjtë në botë, pa të cilën, s'ka kuptim jeta..." , gjë që plotësisht besoj në këtë thënie, dhe pyetja juaj merr përgjigje pozitive nga unë.

Ne, kjo pjesë shqiptare, që përkufizohet, tani në Republikën e Kosovës, ishim gjatë të pushtuar, e pushtimin e bën, ai që është më i fortë se ti.

Pra, pushtuesi ynë, sa ishte i fortë aq ishte dhe i egër. Ndërsa, ne kishim vetëm të drejtën dhe vullnetin për të pasur lirinë. Përkundër asaj që dinim ndonjëherë të ishim të ç'orientuar, kur pamë, se barra e pushtimit rëndonte mbi të gjithë ne njësoj, pra armiku, s'shikonte se: je i moshuar a i ri; je mashkull a femër; i arsimuar, a i pashkollë..., pra ai e donte Kosovën të nënshtruar apo fare pa shqiptar. Kur e kuptuam këtë, u bëmë bashkë, ngase e kuptuam se edhe liria do të jetë për të gjithë ne. Kështu që, kur e bindëm veten për këtë, jo vetëm se u bëmë më të fortë, për ta luftuar armikun, por e kishim më lehtë edhe për t'i bindur miqtë tanë për atë, jo vetëm se na takon dhe e meritojmë lirinë, por dhe jemi të gatshëm që të sakrifikojmë për të, atëherë edhe miqtë e kuptuan seriozitetin tonë dhe na mbështetën. Dhe ja, e fituam atë - Lirinë”, ka rikujtuar Krasniqi.

“Të jemi në nivel të përgjegjësive ndaj brezave që vijnë pas neve”

Ai thotë se janë shumë arsye për të cilat beson që kur është në pyetje Serbia, partitë politike, jo vetëm do i lënë anash, por do të bëhen tok për t'i dalë, zot situatës.

“Do përmendi vetëm dy-tri arsye.

- Liria për të cilën është sakrifikuar shumë, ka kuptimin e saj të vërtetë vetëm atëherë kur organizohet në shtet. Shtet ku sundon ligji. Ligji që siguron barazi dhe krijon mundësi për demokraci për të gjithë qytetaret njësoj. E për këtë ne, aq sa detyrohemi, shumë besoj se jemi edhe të përgjegjshëm. Ngase në bazë të kësaj kemi kërkuar besimin dhe kemi dhënë zotimin, para anëtarësisë dhe qytetarëve. Pra, kemi institucionalizuar detyrimin.

Besoj, se për këtë jemi të ndërgjegjshëm që të gjithë, ani se ndonjëherë harrojmë, misionin që e kemi marr dhe bëjmë ndonjë deklarim të pakuptimtë, për të mos thënë të papërgjegjshëm!

- Tjetra, për të krijuar kushtet, për të standardizuar jetën për qytetarët në shtet demokratik dhe ligjor, kanë sakrifikuar shumë breza, sot nga ne nuk kërkohet kjo gjë, por vetëm të jemi përgjegjës në raport me atë që jemi zotuar; të jemi serioz ndaj së shkuarës, sa të mundimshme aq dhe të lavdishme; të jemi në nivel të përgjegjësive ndaj brezave që vijnë pas neve, këtyre që i japin kuptim jetës tonë”, thotë deputeti.

Pastaj, sipas Krasniqit kërkohet të tregohemi serioz edhe ndaj miqve ndërkombëtarë, të cilët ishin pjesë mbështetëse e projektit më të madh- Lirisë dhe tani të shtetësisë tonë.

“Shumë besojë, në vitalitetin e mendjes së shëndoshë të forcave politike, ashtu siç kanë ditur, kur e ka kërkuar nevoja edhe tani do të dëshmojnë, se kur është në pyetje Serbia, dinë, duan dhe do jenë tok për të dhënë provën në shtet-ndërtim”, përfundon ai.

Duhanaj: Mungon bashkëpunimi për temat e nivelit nacional

Image
Leon Duhanaj

Por, ndryshe mendon analisti politik Leon Duhanaj. Ai për gazetën “Bota sot”, thotë se nuk mund të llogaritet qasje pozitive në partitë politike sa i përket temave me interes nacional.

“Situata e sigurisë në regjion duket goxha e brishtë, posaçërisht që nga agresioni rus mbi Ukrainën, ka pasë sinjale, por edhe përpjekje për ta destabilizuar Ballkanin.

Megjithatë mendoj se për ta arritur një gjë të tillë nuk besoj që ka guxim për ta filluar ndonjë rrëmujë pasi që klima kundrejt rusëve duket e zymtë.

Për sa u përket partive politike, për fat të keq, nuk mund të llogaritet ndonjë qasje pozitive, përkatësisht bashkëpunim për temat me interes nacional”, thotë Duhanaj.

Ai thotë se kur Lëvizja Vetëvendosje ishte në opozitë nuk ishte bashkëpunuese.

“Për mendimin tim, partitë opozitare, edhe përkundër faktit që mund të kenë inate sporadike, problemi kyç qëndron në paaftësinë apo mos-vullnetin e Vetëvendosjes për t'u kërkuar, përkatësisht ofruar bashkëpunim konsensual.

Mendoj që VV-ja duke qenë destruktive përgjatë kohës sa ishte në opozitë, ka pengesa serioze për të qenë bashkëpunuese, për të mos thënë mungesë të vullnetit total.

Është fatkeqësi që nuk po gjejmë gjuhë dhe qëndrime unike për interesat vitale”, thekson Duhanaj.

Sipas tij, koha po punon për ne, përderisa ne e sfidojmë kohën duke punuar kundër interesit kombëtarë.

“Shqiptarët kanë nevojë imediate të koncentrohen dhe bashkohen rreth idesë së integrimit kombëtarë. Nëse vazhdojmë me këtë avaz, nuk do të arrijmë t'i shfrytëzojmë frytet, të cilat i kemi realiste, por që për t'i marrë kërkohet seriozitet dhe unitet kombëtarë”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat