Pse Albin Kurti po hesht ndaj Goran Rakiqit? Ja nga kush janë të frymëzuar serbët në veri

Politika

Pse Albin Kurti po hesht ndaj Goran Rakiqit? Ja nga kush janë të frymëzuar serbët në veri

Nga: P.R Më: 27 prill 2022 Në ora: 22:02
Albin Kurti

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq ka kërcënuar shtetin e Kosovës, shtet në të cilin është ministër.

Sipas Rakiqit, serbët do të rezistojnë me të gjitha mjetet, qofshin ato demokratike apo jo.

“Nëse Prishtina fillon me lëvizje të njëanshme, Zoti na ruajt, duke arrestuar qytetarët tanë, atëherë ne do të detyrohemi të rezistojmë me të gjitha mjetet demokratike dhe jodemokratike, që përfshin mosbindje totale civile për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve tanë”, ka thënë Rakiq.

E pas kësaj deklarate të Rakiqit, kanë vazhduar sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit. Së fundi, një njësi patrulluese kufitare, në fshatin Zupçe të Zubin Potokut është sulmuar me armë zjarri, ku përveç dëmeve materiale në automjet nuk është raportuar për zyrtarë të lënduar.

E analisti politik, Faton Mehmeti thotë se kryeministri Kurti nuk duhet të hesht përballë kërcënimeve nga ministri i tij.

Image
Faton Mehmeti

“Kurti nuk e ka të lehtë të disiplinojë të llastuarit e pushteteve të kaluara. Megjithatë, kjo s’duhet të jetë arsye që të hesht përballë kërcënimeve për Kosovën nga njerëz brenda institucioneve. Serbët në Veri janë të frymëzuar nga Vuçiqi dhe Rakiqi ndaj të cilëve qeveria të ndërmerr masa”, thotë Mehmeti për “Bota sot”.

Por pse Kurti nuk po e shkarkon Rakiqin?

“Ndaj Rakiqit fillimisht t'i tërhiqet vërejtja, nëse nuk ndalet mandej edhe të shkarkohet. Albini nuk e shkarkon ngase nuk dëshiron të eskalojë situata, mendoj se po pret të bie qetësia pas furtunës për t'ia "ngreh" veshin Rakiqit”, thekson Mehmeti.

“Kur je në opozitë është më kollaj të protestosh dhe të jesh më i fortë në gjykim. Mendoj se Kurti nuk dëshiron të jetë iniciator i tensioneve, kam bindje se nëse vazhdon kjo gjendje do të jetë më i ashpër ndaj Rakiqit”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat