Rikthimi i Listës ‘Guxo’/ A duhet të ketë frikë LDK-ja!?

Politika

Rikthimi i Listës ‘Guxo’/ A duhet të ketë frikë LDK-ja!?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 1 qershor 2022 Në ora: 08:08
“Lista Guxo”

Janë bërë më shumë se një vit që nga përfundimi i zgjedhjeve të fundit parlamentare, në të cilat për herë të parë garoi edhe Lista ‘Guxo’ në krye me presidenten e tanishme, Vjosa Osmani.

Ky subjekt politik në krye me Osmanin formuan koalicion politik me Lëvizjen Vetëvendosje, ku triumfuan fuqishëm në garën zgjedhore, dhe morën besimin e më shumë se 50 për qind të elektoratit të vendit.

Së fundmi, kjo parti politike ka filluar seriozisht të merret me situatën brenda saj, ku gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm do të mbahen kuvendet zgjedhore edhe në komunat e tjera të Kosovës për këtë parti, ndërsa do të finalizohen në shtator me mbajtjen e Kuvendit Qendror.

Ditë më parë, deputeti i Kuvendit nga ‘Lista Guxo’, Haxhi Avdyli, është zgjedhur kryetar në degën e kësaj partie në Prizren, në kuvendin e parë zgjedhor.

Krahas kësaj, ‘Lista Guxo’ mbajti edhe sesionin e parë zgjedhor në Mitrovicë, ku kryetar u zgjodh ministri i Bujqësisë, Faton Peci, me 296 vota për dhe një abstenim.

E duke parë këto zhvillime të mëdha brenda Listës ‘Guxo’ dhe seriozitetin e saj për zhvillimin e mëtejshëm, LDK-së siç duket po i bëhet një kundërshtar i fuqishëm politik. Kjo, marrë parasysh faktin se shumica e anëtarëve të ‘Guxo’-s kanë qenë në LDK, më parë.

Mehazi: Partia e Lumir Abdixhikut do të jetë nën hijen e Listës “Guxo” së bashku me PDK-në e AAK-në

Profesori Sulejman Mehazi në një prononcim për “Bota sot” foli në lidhje me reformimin e Listës “Guxo” dhe kuvendet zgjedhore të kësaj partie politike.

Image
Sulejman Mehazi

Fillimisht, ai u shpreh se konsolidimi i Listës ‘Guxo’ në komunat e Kosovës ka kuptimin e një rilindje të dytë të një subjekti politik të ngjashëm me atë të Abdyl Frashërit të Lidhjes së Prizrenit.

Ai beson se krahas Lëvizjes Vetëvendosje, edhe ky subjekt politik është i denjë për t’i udhëhequr proceset politike në vend.

“Pikësëpari deputetit të Kuvendit të Kosovës së Listës Guxo, Haxhi Avdylit, i dëshirojmë suksese në postin e kryetarit të degës së Prizrenit.

Fillimi i konsolidimi të Listës Guxo nga Prizreni e nëpër qytetet tjera të Kosovës e ka kuptimin e një Rilindje të dytë të një subjekti politik të ngjashëm me atë të Abdyl Frashërit të Lidhjes së Prizrenit, 1878-81 që filloi në Prizren e mbaroi në çdo skutë të trojeve shqiptare. Përveç LVV-së mendojmë se bartëse e denjë e proceseve politike në Kosovë do të jetë Lista "Guxo" e Vjosa Osmanit”, deklaroi ai.

Sipas Mehazit, partia e formuar nga presidentja Osmani do t’i sfidojë seriozisht partitë opozitare, përfshirë LDK-në, PDK-në dhe AAK-në.

Madje, ai u shpreh se Lista ‘Guxo’ nuk do t’i dobësojë vetëm subjektet e lartpërmendura, por edhe vetë partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje.

Lista e dikurshme e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, jo vetëm që do ta sfidojë ish-partinë e saj LDK-në, po partia e Lumir Abdixhikut do jetë nën hijen e Listës "Guxo" së bashku me PDK-në e AAK-në. Jo vetëm kaq, po zëri kumbues politik i Vjosa Osmanit do të konkurrojë edhe me atë të Albin Kurtit. Themi kështu për shkak se Lëvizja "Guxo" jo vetëm që do të dobësojë partitë tjera opozitare, por edhe vetë LVV-në e Albin Kurtit vetëm nëse nuk koalicionojn gjatë zgjedhjeve të ardhshme parlamentare LVV-Lëvizja "Guxo". Në politikë janë të suksesshëm personat që janë të lindur me zëra politikë dhe dinë të përdorin notat e lojërave politike me zë kumbues e të qartë, me anë të zanoreve të stërzgjatura, shprehjeve bindëse politike për të bindur qytetarët, të gjitha këto shije e ngjyra perceptuese politike ekzistojnë brenda pentagramit politik të Vjosa Osmanit”, theksoi profesori.

Ndër të tjera, ai tha se zëri politik i presidentes Osmani para elektoratit të zgjedhjeve do të jetë më i pëlqyeshmi nga të gjithë udhëheqësit e tjerë të partive politike.

Pra, notat tonike politike të zërit të Vjosa Osmanit dallojnë nga të gjithë politikanët shqiptarë si në Kosovë, Shqipëri e RMV. Zëri i të shprehurit politik i Vjosa Osmanit para elektoratit gjatë zgjedhjeve parlamentare do jetë më i pëlqyeshëm i të gjithë udhëheqësve të partive të tjera. Në politikë luan rol intonacioni i zërit, theksi i fjalorit politik i zanoreve, i fjalëve bindëse dhe të forta, fatmirësisht të gjitha këto veti pozitive i ka brenda saj zonja Vjosa Osmani”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Mulliqi: Lista ‘Guxo’ do ta kalojë pragun, por nuk mund t’i mposht partitë me përvojë të gjatë në politikë

Ndërsa, analisti politik, Skënder Mulliqi në një bashkëbisedim me gazetën “Bota sot” thotë se presidentja Vjosa Osmani me subjektin e saj politik, Listën ‘Guxo’ ia sollën fitoren e madhe Lëvizjes Vetëvendosje me 14 shkurt.

Image
Skënder Mulliqi

Sipas tij, largimi i Osmanit nga LDK-ja erdhi pas politikave inatçore të ish-kryetarit Isa Mustafa dhe koalicioneve me PDK-në.

Përçarjet në LDK-në e Isa Mustafës për shkak të politikave të tij joparimore dhe inatçore provokuan disa aty si Vjosa Osmanin, e cila vendosi të shkëputet nga ky subjekt politik. Vjosës iu bashkëngjitën shumë anëtarë dhe simpatizantë të LDK-së për shkak të koalicioneve jo parimore të LDK-së me PDK-në. Kjo ndarje e dëmtoj shumë rëndë LDK-në, e cila mezi mori12 për qind të votave në zgjedhje ku triumfoi bindshëm LVV-ja së bashku më Listën Guxo. Fitoren e madhe LVV-së ia solli Vjosa Osmani, por edhe pakënaqësitë e qytetarëve të lodhur me regjimet e kaluara, të cilat as për së afërmi nuk i përmbushën premtimet e dhëna para elektoratit për gati 20 vite”, deklaroi ai.

Kurse, sa i përket formimit të partisë së Listës Guxo, Mulliqi i ka disa rezerva. Kjo pasi, sipas tij kishte vonesa në procesin e formimit të saj dhe përfaqësimi në zgjedhjet nacionale nuk ishte parimor, pasi u anashkaluan disa rajone, siç ishte ai i Dukagjinit.

Të kthehemi te Lista Guxo, e cila kishte premtuar që të formohet menjëherë pas zgjedhjeve nacionale, e që nuk ndodhi. Pasi që u bë ndarja e pushtetit ndërmjet LVV-së dhe Listës Guxo, të shprehem ashtu se bëhet fjalë për postet qeveritare, puna e formimit të partisë u heshtë deri më tash. Se a do të ketë vota siç pati me rastin e zgjedhjeve nacionale mbetet të shihet, por që vështirë do të arrijë stadin e dëshiruar për shkak të shumë rrethanave politike. E para, Lista Guxo, nuk ishte parimore në përfaqësim të kandidatëve për deputet, ku Dukagjini u anashkalua. Kandidatët për deputetë u përzgjodhën më shumë sipas dëshirës së tre-katër personave të cilët e kishin barrën në këtë listë. Se sa do të jetë e suksesshme Lista Guxo do të varet edhe nga rezultatet e treguara në qeverisjen e saj me Kosovën, ku edhe kjo është pjesë e saj me LVV-në”, nënvizoi analisti.

Tutje, ai kritikoi qasjen bashkëpunuese të Listës Guxo me Lëvizjen Vetëvendosje, pas fitores në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

Krahas kësaj, vlerësoi se kjo gjë ndikoi edhe në rënien e LVV-së dhe Listës ‘Guxo’ në zgjedhjet lokale, me ç’rast edhe u rritë LDK-ja me vota elektorale.

“Synimet e disa krerëve të Listës, dhe të Vjosa Osmanit, ishin që kjo e fundit të zgjedhet Presidente e Kosovës dhe disa të tjerë, të zgjedhen deputetë e ministra. Kjo më duket mua ishte paksa logjikë nga e kaluara që u bartë me emërtim të ri-Lista Guxo. Mendoj se këto do të reflektohen në zgjedhjet që do të vijnë jo shumë për të mirë të këtij subjekti më të ri politik.

Si duket pjesa bukur e madhe e elektoratit të LDK-së që patën kaluar në ‘Guxo’, u kthyen shumë prej tyre në LDK, në zgjedhjet lokale, ku LVV në kuadër të së cilës veproi Lista Guxo, nuk morën as për afër votat, të cilat ishin pritur. Unë mendoj se pikërisht fitoren e madhe që ia solli LVV me mbi 50 për qind të votave, kthimi i tyre në LDK- bëri që LVV mos të dal fituese në zgjedhjet lokale. Çdo ndarje nga ndonjë subjekt politik i madh, të larguarve nuk iu ka sjellë shumë perspektiva politike me partitë e reja të formuara pas luftës”, vlerësoi Mulliqi.

Në fund, analisti potencoi se me zgjedhjen e Vjosa Osmanit prsidente, dhe detyrimit kushtetues që të jetë larg partive politike, pra edhe Listës Guxo, kjo parti do ta ketë shumë të vështirë të fitojë vota të shumta elektorale, ndonësekjo parti sipas tij e kalon pragun zgjedhor.

Ai e përmendi edhe ministren Donika Gërvalla, e cila sipas tij ka autoritet politik të lartë.

“Mendoj se nuk do të bën përjashtim as Lista Guxo, e cila do ta kalojë pragun zgjedhor, por që nuk do të jetë konkurrente serioze e LDK-së, dhe partive politike që tashmë kanë një përvojë të gjatë”.

Vjosa Osmani, e cila ka marrë shumë vota sa ishte në LDK dhe së fundi me Listën Guxo, është presidente, e këta të tjerët që janë aktualisht aty, e kanë shumë të vështirë të mbledhin shumë vota.

Vjosa do të jetë hendikep i madh për Listën Guxo, edhe pse Donika Gërvalla ka autoritet”, përmbylli Skënder Mulliqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat