“E kanë pranuar Thaçi e Veseli”/ Kërkohet me ngulm hetimi për listat e veteranëve

Politika

“E kanë pranuar Thaçi e Veseli”/ Kërkohet me ngulm hetimi për listat e veteranëve

Nga: N. Sh. Më: 4 qershor 2022 Në ora: 17:04
Të dyshuarit për rritjen e numrit të veteranëve

Listat e veteranëve dhe numri i madh i tyre është një sfidë goxha e madhe për Qeverinë Kurti.

Hetimi për spastrimin e listave ka vite të tëra që ka nisur, mirëpo ende nuk është as afër finalizimit.

Në lidhje me spastrimin e listave të veteranëve ka folur eksperti i sigurisë dhe ish-zëvendësministri i MPB-së, Hajrullah Tërnava.

Ai thotë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar dhe e ka marr me seriozisht që t’i spastron të gjitha të këqijat që i kanë ndodhur Kosovës.

Sipas tij, ky edhe ishte një premtim i kësaj qeverie.

“Në këtë drejtim tashmë është paralajmëruar se do të fillohet edhe me spastrimin e listave të veteranëve, të atyre që i kanë ble certifikatat dhe marrin paga sikur të ishin veteranë të vërtetë. Edhe pse ka kaluar një kohë e konsiderueshme, gjithnjë ekziston mundësia e verifikimeve, edhe pse tash mbas 22 viteve do të ketë vështirësi për t’ia arritur atij qëllimi, por me një angazhim permanent do të arrij t’i nxjerr në shesh qeveria Kurti, besoj së bashku me hetuesin, të gjitha dallaveret që janë bërë me fryrjen e listave për veteran të luftës, pas procesit të iniciuar për hetim dhe korrigjim të listave”, thotë Tërnava.

Sipas tij, ata që kanë ‘gisht’ në ato veprime kriminale lidhur me listat e veteranëve po ju frikësohen tani pushtetarëve të tanishëm pasi që po paralajmërohet për rishikimin, hetimin dhe pastrimin e tyre.

Image
Hajrullah Tërnava

Arsyeja e kundërshtimit është frika nga zbulimi dhe turpërimi para opinionit publik të ish zyrtarëve të lartë të zinxhirit komandues të UCK-së, por edhe komandantëve të vegjël të zonave së bashku me vartësit e tyre, për të cilët ka pasur akuza se kanë bërë tregti me certifikatat e veteranit të luftës, gjë që solli edhe trefishimin e numrit të ushtarëve të UÇK-së, veteranë të pas luftës të cilët janë bërë barrë e rëndë për buxhetin e shtetit. Paralajmërimi për rishikim të listave nuk është mirëpritur nga subjektet politike që kanë qeverisur në dy dekadat e kaluara, madje nga ish kryeministri Haradinaj kundërshtimi i kësaj nisme është bërë edhe në foltoren e Kuvendit të Kosovës. Haradinaj madje ka thënë se është fyese kjo çfarë po synon Albin Kurti të bëjë me çështjen e luftëtarëve të lirisë, sipas tij. Ai ka thënë se nuk është koha që tash Kurti të merret edhe me çështjen e veteranëve”, potencon Tërnava.

Sipas tij, vetë ish ushtarët, tash veteranë të vërtetë të luftës e pohojnë një skandal të tillë të cilin poashtu e kanë pohuar dhe pranuar edhe vetë aktorët politik, figura qendrore të luftës, Hashim Thaçi e Kadri Veseli.

“Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, vendimin e Qeverisë Kurti për listat e ka vlerësuar pozitivisht, duke thënë se listat e veteranëve duhet të riverifikohen dhe ka shtuar se veteranët e vërtetë nuk janë aspak të kënaqur me listat aktuale. Qeriqi thotë se për “fryrje” të listave të veteranëve ka folur edhe me ish-krerët e UÇK-së, Kadri Veselin dhe Hashim Thaçin. “Edhe atëherë nuk jam pajtuar. I kam kundërshtuar. Jam takuar me ish-krye parlamentarin Veseli, i cili më tha se është i pakënaqur dhe numri nuk është i saktë. Të njëjtën më ka thënë edhe ish-presidenti Thaçi në dy takime që pata me të. Ai më tha se listat e veteranëve janë fryrë tej mase”, ka thënë Qeriqi”, citon Tërnava.

Sipas tij, për shkak të fryrjes së listave me veteranë të shpikur, Qeriqi ka thënë se shumë luftëtar, veteranë të vërtetë dhe të dinjitetshëm kanë mbetur jashtë atyre listave dhe të njëjtit po përballen me probleme të rënda, si shëndetësore dhe të tjera.

“Përfaqësuesit e OVL-së janë shprehur të gatshëm për të gjetur mundësitë e bashkëpunimit Qeverinë në procesin e fillimit të verifikimit dhe pastrimit të listave, nismë kjo që po kundërshtohet nga ish kokat në pushtet që e lejuan fryrjen dhe manipulimin e tyre. Spastrimi i listave të veteranëve do ta mbyllte këtë çështje të diskutuar tani e nga mbarimi i luftës, dhe do ti zbulonte abuzuesit e fondit të veteranëve, e sidomos ata që i kontribuuan një falsifikimi të tillë që me vetëdije ua nënshkruan ato certifikata duke e fryrë numrin e veteranëve me përmasa të jashtëzakonshme, numër aspak real si pjesëmarrës në luftën çlirimtare”, përfundon Hajrullah Tërnava.

Ndryshe OVL-UÇK ka paralajmëruar protestë për të hënën, me kërkesën e tyre për rritjen e pensionit të veteranëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat