Heqja e vizave për qytetarët e Kosovës?! / Nëse nuk ndodhë, Franca ka agjendë të dyfishtë, prandaj e mban peng

Politika

Heqja e vizave për qytetarët e Kosovës?! / Nëse nuk ndodhë, Franca ka agjendë të dyfishtë, prandaj e mban peng

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 16 qershor 2022 Në ora: 19:16

Komisioni i Parlamentit Evropian për Politikë të Jashtme (AFET) ka miratuar të martën raportet për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën.

Në tekstin e Raportit të prezantuar nga Raportuesja Viola VonCramon i bëhet thirrje Këshillit të BE-së që urgjentisht të marrë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Poashtu në këtë raport përfshihet edhe mbështetja ndaj kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe aspiratën për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Madje, Parlamenti Evropian kishte deklaruar se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të bazohet në njohjen reciproke.

E për këtë kishte reaguar edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, i cili kishe thënë se një gjë të tillë po e kërkon BE-ja, jo Serbia.

Derisa nga ana tjetër, ai ka deklaruar se liberalizimi i vizave për Kosovën do të bëhet më 23 qershor të këtij muaji.

Mehmeti: Vizat do të liberalizohen sivjet nëse Franca dhe Holanda nuk e bllokojnë këtë proces

Image
Faton Mehmeti

Edhe analisti Faton Mehmeti, thotë se Franca dhe Holanda janë dy shtete, të cilat po e bllokojnë këtë proces të Kosovës.

Sipas tij, disa prej faktorëve që e kanë çuar këtë proces përpara janë lufta ndaj korrupsionit, arrestimet e fundit për krim të organizuar edhe korrupsion etj.

“Sado që duket të ketë lëvizje pozitive, e gjitha varet nga Franca dhe Holanda, si dy nga vendet që janë pengesa e fundit e Kosovës për liberalizim të vizave. Janë dy faktorë kryesor që e kanë çuar përpara këtë proces, nga ku edhe po bëhet thirrje për heqje të vizave si dhe votat pro në Komisionin për Punë të Jashtme në PE”, nënvizon ai. Faktori i parë është lufta ndaj korrupsionit, arrestimet e fundit për rastin“Brezovica”, “Subvencionet”etj, si dhe qëndrimi pro Ukrainës dhe vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë. Vizat do të liberalizohen sivjet nëse Franca dhe Holanda nuk e bllokojnë këtë proces”, deklaron analisti Faton Mehmeti.

Duhanaj: Liberalizmi i vizave për Kosovën, u përkeqësua nga presidenti francez Macron

Image
Leon Duhanaj

Analisti politik, Leon Duhanaj, në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se Kosova e kishte vetëm një shans për të fituar liberalizimin e vizave, dhe ai ishte demarkimi i kufirit me Malin e Zi, ndërsa tanimëështë një ngjarje pa fund.

“Çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, tanimë është shndërruar në një sagë të vërtetë. Krahasuar me vendet përreth, Kosova ka plotësuar trefishin e kritereve dhe prapëseprapë është duke u injoruar në këtë aspekt”, thotë ai.

Sipas tij, çështja e liberalizmit të vizave për Kosovën, u përkeqësua nga presidenti francez Emanuel Macron.

“Më pastaj çështja e liberalizimit u përkeqësua, jo për fajin e Kosovës, por për interesa politike, kryesisht të Presidentit të Francës Macron. Z. Macron, duke qenë se ka presion nga ekstremizmi i djathtë dhe i majtë, ka pasur frikë që mund t'i bëjë dëm në aspektin elektoral. Tani, pasi zgjedhjet presidenciale i ka kryer dhe zgjedhjet parlamentare në raundin e dytë, i ka të dielën e ardhshme, nuk besoj që alibia e zgjedhjeve duhet të jetë e arsyeshme”, deklaron ai.

Në fund, ai shpreh optimizëm se Franca do të ndryshojë qëndrim në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ai shton, se nëse nuk ndodh edhe këtë herë, mund të konkludojmë se Franca ka agjendë të dyfishtë dhe se liberalizimin e mbanë peng për kusure politike.

“Në ketë kontekst, mendoj, besoj dhe shpresoj, që presidenti Macron, ta ndryshojë mendjen dhe të shprehet i gatshëm që çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, ta sjellë në agjendën e qershorit. E kam thënë edhe më herët se z. Macron e ka edhe një mundësi shtesë që liberalizimin e vizave t'ia faturoj vetit pasi që edhe udhëheqë me Këshillim e ministrave. Pra, kam shpresë që brenda qershorit do të kemi lajme të mira për Kosovën. Nëse nuk ndodhë edhe kësaj radhe, atëherë lirisht mund të konkludojmë se Franca ka agjendë të dyfishtë dhe se liberalizimin e mbanë peng për kusure politike”, përfundoi analisti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat