12 Vjet nga vendimi i GJND-së, që i dha vulë Pavarësisë së Kosovës / U bënë shkelje të mëdha të këtij vendimi historik nga Institucionet

Politika

12 Vjet nga vendimi i GJND-së, që i dha vulë Pavarësisë së Kosovës / U bënë shkelje të mëdha të këtij vendimi historik nga Institucionet

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 22 korrik 2022 Në ora: 11:56
Foto ilustrim nga shpallja e vendimit të GJND-së për Kosovën

Një nga betejat fundamentale të Kosovës u fitua 12 vjet më parë, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), i dha grusht të fuqishëm spekulimeve serbe, se Shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte bërë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me seli në Hagë, që përfaqëson gjykatën e nivelit më të lartë të Kombeve të Bashkuara, pasditen e datës 22 korrik 2010 opinionin këshillëdhënës lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008.

Gjatë fjalës së tij Kryetari i Gjykatës Hiasashi Ovada tha se shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të 2008 nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Vendimi ishte marrë me 10 vota pro dhe 4 kundër, sipas të cilit gjykata vendosi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, e 17 shkurtit 2008, nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Po ashtu vendimi theksonte se gjykata pas shqyrtimit të të gjitha dëshmive, Pavarësia e Kosovës nuk e ka shkelur as Rezolutën 1244, si dhe as Kornizën Kushtetuese të UNMIK-ut.

Por, në kundërshtim me këtë të arritur, Qeveria e Kosovës, me kryeministër Hashim Thaçin, pranuan një kërkesë tjetër të mbështetur të Serbisë, dhe nëpërmjet BE-së, u projektua një rezolutë, me të cilën Kosova do të fillonte bisedimet me Serbinë, me ndërmjetësim të BE-së, për të biseduar për ‘çështje jetike për serbët’. Këtë Projektrezolutë e pranoi Hashim Thaçi, duke goditur rezultatin e GJND-së, pasi i dha mundësinë Serbisë të bëhet faktor në çështje të Kosovës.

Rezoluta u miratua po ashtu nga Asambleja e Përgjithshme Parlamentare e OKB-së. Që nga atëherë Kosova hyri në bisedime, të cilat po vazhdojnë mes dy vendeve, e deri më sot nuk është arritur ndonjë rezultat serioz, pasi Serbia vazhdon të mos i implementojë marrëveshjet, dhe të mos premtojë fare se do ta njoh Kosovën.

Por, a janë këto bisedime në kundërshtim me vlerën dhe vendimin e GJND-së?

Kelmendi: Vendimi i GJND për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës i mbushi 12 vjet

Image
Muhamet Kelmendi

Juristi Muhamet Kelmendi thotë se edhe pse u bënë 12 vjet nga GJND-ja nga atëherë e deri më sot u bënë shkelje të mëdha.

Vendimi i GJND-së për të drejtën e pakontestueshme të shpalljes së Kosovës shtet sovran dhe të i pavarur i mbushi 12 vjet. Nga ajo kohë e deri më sot u bënë shkelje të mëdha të këtij vendimi historik. Në kontekst të kësaj dalin dy anë që kanë bërë shkeljen e madhe të vendimit të GJND-së”, thotë ai.

Madje, Kelmendi thotë se në këto shkelje morën pjesë si faktori ndërkombëtar ashtu edhe Kosova me organet e saj.

Ai më tutje, elaboron se BE-ja krijoi komunat qesharake serbe në bashkëpunim me qeveritarët e Kosovës, po ashtu BE-ja me NATO-n e ndaluan me marrëveshje futjen e FSK-së në veri të Kosovës.

“Edhe vet Kosova nënshkroi dy marrëveshje mbi asociacionin serb në Kosovë, pastaj krijoi Gjykatën Speciale etj.

1. Faktori ndërkombëtar dhe

2. Vet Kosova me organet e veta.

1.Faktori ndërkombëtar bëri shkelje të vazhdueshme të vendimit të GJND-së. Kryesisht BE-ja e futi Kosovën me dialog me shtetin serb në një gjendje të rëndë dhe ku gradualisht iu cungua Pavarësia. Fillimisht BE-ja e futi Republikën e Kosovës në thonjëza, si fakt që tregon statusin amorf për shtetin e Kosovës. Po kështu u nënshkruan marrëveshje të dëmshme dhe që rrezikojnë shtetësinë. UE nuk e pranoi shtetin e Kosovës. UE krijoi komunat qesharake serbe në bashkëpunim me qeveritarët e Kosovës. UE me NATO-n e ndaluan me marrëveshje futjen e FSK-së në veri të Kosovës. Fundi i turpshëm i UE është Marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe, të vitit 2013 dhe 2017

2. Vet Kosova me organet e veta nënshtroi Kosovën në përmasa të mëdha.

Pranoi statusin e padefinuar në raport me UE-në. Nënshkroi marrëveshjen me NATO-n që ndalon FSK-në të vendoset në veri, në territorin e vet. Ata dy faktorë krijuan dhe bënë kufizime të mëdha të shtetësisë së Kosovës dhe bënë shkeljen e ashpër të vendimit të GJND-së. Tash po shihen pengesat dhe vështirësitë e mëdha të shtetit”, thotë Kelmendi.

Burjani: Edi Rama po e luan lojën e Serbisë

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështje politike e juridike, Blerim Bujrani, për “Bota sot” deklaron se nuk ka pasur bisedime në kundërshtim me vendimin e GJND-së.

Sipas tij, ka pasur përpjekje për shkëmbim territoresh me përgatitjen e Hashim Thaçit dhe Edi Ramës, gjoja për të zgjidhur problemet me Serbinë, por që kjo ju mbeti pa u realizuar pasi që Gjykata Speciale mori Thaçin, duke shtuar se këtë lojë po e luan Edi Rama së bashku me Serbinë.

Nuk ka pas bisedime në kundërshtim me vendimin e GJND, por ka pas përpjekje për shkëmbime territoriale. Hashim Thaçi dhe Edi Rama kishin bërë disa përgatitje për ta ‘zgjidh’ nyjën e problemeve Kosovë-Serbi, në këtë ishte përfshirë edhe Gjykata Kushtetuese, por kjo përpjekje ka dështuar pasi që Thaçi u mor nga gjykata speciale, po të ishte Hashimi në Kosovë prapë do të kishte lojën e njëjtë me Edi Ramën, që ka luajtur rolin kryesor në këtë tentativë për zgjidhje, pra këto përpjekje janë në pauzë njëherë, se çfarë do të ndodhë më tutje do të shihet, por Edi Rama nuk do të ndalet fare për të luajtur një rol në rajon së bashku me Serbinë, përpjekjet do të vazhdojnë”, nënvizon ai.

Ai shton, se Kosova dhe Serbia duhet t’i zgjidhin problemet sepse ndryshe nuk do të ketë hapje të negociatave nga BE-ja, e që kjo e fundit do ta vazhdojë lojën e njëjtë.

Dihet se Kosova dhe Serbia pa i zgjidhë problemet që kanë nuk do të mund të hyjnë në BE, asnjëherë BE-ja nuk do ta hap derën e anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë.

Nuk është në dobi të asnjërës palë stagnimi, sepse nuk do të ketë hapje të negociatave për anëtarësim fare për asnjërën palë tash nëse vazhdojnë të luajnë njëjtë dhe BE-ja do të luajë lojën njëjtë politike, s’ka anëtarësim, pra s’kanë mbetë shumë rrugë përveç uljes në tavolinë dhe gjetjen e zgjidhjes, në të kundërtën puna është shumë keq”, përfundoi Burjani.

Duhanaj: Gabim i rëndë i shqiptarëve ishin trazirat e marsit të vitit 2004

Image
Leon Duhanaj

Analisti Leon Duhanaj, shprehet se lirinë e solli UÇK-ja me sakrificën e saj, duke shtuar se e gjitha çfarë ka ndodhur është sponsorim i miqve të Kosovës në ballë me SHBA-në.

Ai përmend një gabim të rëndë të shqiptarëve e që ishin trazirat e marsit të vitit 2004.

Kosova e ka fituar lirinë falë sakrificës së UÇK-së dhe gjithë shqiptarëve dhe ndihmës së NATO-s. Në këtë kontekst, të gjitha zhvillimet në tavolinat negociuese që nga Rambuje, kanë qenë dhe mbeten obligim për ne. Obligim të cilin e kemi pranuar në raport me qëllimin më të lartë, e që është liria e pavarësia e vendit. Edhe vetë vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, nuk është që piku nga qielli, apo se gjyqtarë të caktuar u betuan në drejtësi dhe i dhanë Kosovës të drejtë. E gjithë çfarë ka ndodhur ka qenë sponsorim i miqve të Kosovës në ballë me SHBA-në. Në këtë kontekst, i gjithë procesi i shtetndërtimit ka shkuar sipas planit me një përjashtim të madh dhe gabim të rëndë që bënë shqiptarët, në trazirat e marsit 2004”, thotë Duhanaj.

Sipas tij, nga ai gabim bota na sheh ndryshe dhe këtë e bën edhe sot, andaj jemi të obliguar të dialogojmë me Serbinë.

“Në fakt, edhe shumë procese të tjera, janë derivat i maskaradës që e bënë shqiptarët në 2004. Ne me një akt i vulosëm të gjitha pretendimet dhe investimet e Serbisë me dekada se shqiptarët nuk janë europian dhe se shqiptarët as nuk meritojnë dhe as nuk dinë të ndërtojnë shtet. Ne dëshmuam para botës se nuk dallojmë nga fqinjët tanë, por që na mungon mundësia dhe kjo ka qenë akti më antishqiptarë që ka ndodhur dhe atë në mënyrë të organizuar. Koha e ka treguar se nga ai moment, bota na ka shikuar ndryshe dhe këtë e bën edhe sot. Prandaj, ne jemi të obliguar të shkojmë në dialog. Ne po ashtu jemi të obliguar të jemi unik, por që asnjëherë nuk u bëmë, sepse për politikën kosovare më i rëndësishëm është pushteti se shteti”, përfundoi analisti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat