A po i vjen fundi oligarkëve dhe mafio-politikës? Naim Miftari vjen me një kërkesë për Qeverinë

Politika

A po i vjen fundi oligarkëve dhe mafio-politikës? Naim Miftari vjen me një kërkesë për Qeverinë

Nga: N.Sh Më: 25 korrik 2022 Në ora: 19:28
Foto ilustrim

Kuvendi i Kosovës javë më parë e ka miratuar në parim Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, me gjithë kundërshtimet nga partitë opozitare.

Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se qëndrimi i Qeverisë është që byroja të votohet në fillim më pas të gjitha rekomandimet e Komisionit të Venecias të adresohen në komisionin parlamentar.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti falënderoi PDK-në dhe AAK-në për takimet e tyre me partinë në pushtet për konsultime rreth vetingut, por tha se vetingu dhe byroja në fjalë nuk janë e njëjta gjë.

“Vetingu në drejtësi dhe Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme janë dy gjëra të ndryshme, mos i fusni në një thes sepse nuk janë bashkë dhe nuk janë të njëjta. Njëra ka të bëjë me gjithë zyrtarët shtetërorë e tjetra vetëm me sistemin e drejtësisë”, theksoi Kurti.

Pas miratimit në parim Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme tashmë po kërkohet edhe ligji për vetingun në institucionet e drejtësisë.

Ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari thekson se vetingu është dashur kaherë të miratohet në Kosovë dhe të fillon të zbatohet.

“Por pse qeveritarët e mëhershëm nuk e kanë sjell vettingun ajo çështje është tregim në veti pasi shumica e organeve shtetërore sidomos drejtësi, gjyqësia dhe prokuroria, policja e inteligjenca, janë akoma kukulla të ish pushtetit që me dekada kanë mbushur organet e shtetit me sekser dhe kukulla të tyre që vetëm të jua ruajnë shpinën nga ligji duke ua bere avokatine krimit nga zyrat e shtetit ne prokurorite dhe gjykatat e kapura te vendit”, thotë ai.

Miftari pohon se, ata i përdoren organet ligjore shtetërore për t’i mbrojt pasuritë e shefave të tyre që i kanë instaluar e vendos në ato organe shtetërore.

“Vettingu do të ndodhë edhe dhoma e posaçme për hetim do të bëhet me opozitë ose pa opozitë pasi vettingu ka mbështetjen e Amerikës, Britanisë e Gjermanisë... por duhet të kemi kujdes që mos ta bëjmë një veting sikur në Shqipëri ku peshqit, kriminelët e mëdhenj mbesin të pa prekur nga vetingu e nga SPAK-u. Nuk na duhen sllogane dhe ligje politike made in “Edi Rama”, neve na duhen ligje që funksionojnë njëjtë për të gjithë, pasi problemi me ligje nuk ishte pengesa kryesore në sundimin e ligjit në Kosovë, por pengesë kryesore ishin dhe janë akoma zyrtarët e shtetit ligjor: gjyqtarët, prokurorët dhe hetuesit, që në fakt janë vetëm kukulla të krimit të organizuar dhe te mafio-politikanëve të korruptuar që nuk lejojnë me u zbatua ligji i njëjtë për të gjithë”, thotë ai.

Sipas tij, në Kosovë kurrë nuk ishin fajtor mungesa e ligjeve për mosfunksionimin e drejtësisë.

“Pra ishin sekserët e mafio-politikanëve dhe mafio-oligarkëve, dhe “kukullat” e krimit që janë vendos në institucionet ligjvënëse në Kosovë, e që po ua bëjnë “avokatinë” krimit të organizuar nga zyrat e shtetit”, përfundon Naim Miftari.

Ndryshe, byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme do të përfshijë kontrollimin e pasurisë për të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë, përfshirë edhe anëtarët e familjes së tyre dhe palëve të treta, që nënkupton personat te të cilët dyshohet se është bartur pasuria e zyrtarëve publikë.

Byroja pritet të ketë kompetencë dhe përgjegjësi për të zhvilluar procedurën e verifikimit të pasurisë dhe parashtrimin e propozimit për konfiskim të pasurisë në gjykatë.

Qeveria e Kosovës e ka miratuar në dhjetor të vitit 2021 ligjin për krijimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ndërkaq, në muajin shkurt të këtij viti ai u dërgua për miratim në Kuvendin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat