Hoti “dora e zgjatur” e Hashim Thaçit/ Analistët flasin për marrëveshjet e dëmshme ndaj Kosovës!

Politika

Hoti “dora e zgjatur” e Hashim Thaçit/ Analistët flasin për marrëveshjet e dëmshme ndaj Kosovës!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 20 gusht 2022 Në ora: 08:58
Hashim Thaçi dhe Avdullah Hoti - Foto ilustrim "Bota sot".

Ditë më parë një nga temat më të përfolura ishte deklarata e ish-emisarit të Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, i cili ka thënë se ish-presidenti Hashim Thaçi e kishte negociuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, marrëveshjen e Uashingtonit, dhe jo kryeministri i atëhershëm, Avdullah Hoti.

Kjo marrëveshje e lartpërmendur qe nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator 2020, përcjell “Bota sot”.

“Marrëveshja e gjitha ishte negociuar nga Thaçi. Hoti nuk kishte negociuar pjesën më të madhe të saj”, tha ai në një intervistë për “The Pavlovic Today”.

Siç dëshmohet nga kjo deklaratë Avdullah Hoti është sjellur si një vartës i Thaçit, me shumë gjasë duke u nisur nga marrëveshja, që ai të bëhet kryeministër.

Për fat të Kosovës, Thaçit iu ngrit aktakuza nga gjykata speciale, dhe atij iu u bë e qartë se nuk mund të negocionte për fatin e Kosovës, dhe marrëveshjet që i kishte negociuar me Vuçiqin për ndarje të Kosovës, u rrudhën në marrëveshjen e 4 shtatorit 2021.

Në lidhje me këtë temë “Bota sot”, kanë folur analistët politikë.

Kelmendi: Baza autokratike në dialog me Serbinë është vdekjeprurëse për Kosovën

Image
Profesori Muhamet Kelmendi.

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, foli profesori Muhamet Kelmendi.

Ai u shpreh se Thaçi ka qenë në vazhdimësi i involvuar në çdo projekt që ka të bëj me ndarjen e Kosovës.

Sipas tij edhe marrëveshjen për Asociacionin serb në Kosovë e vitit 2013 e ka negociuar dhe nënshkruar z.Thaçi.

“Gjatë mandatit të ish - presidentit amerikan, z.Trump, madje edhe më herët, kur ishte president z. Obama, tërë dialogimi me shtetin serb, është bërë nga ish-presidenti i Kosovës, z.Thaçi. Edhe marrëveshja e Uashingtonit, e vitit 2021, e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, nën prezencën e z.Trump, është negociuar nga z.Thaçi. Z.Thaçi është personaliteti i të gjitha marrëveshjeve të bëra me shtetin kriminal serb, duke filluar nga viti 2011 e deri kur u arrestua nga Gjykata Speciale në Den Hag. Edhe marrëveshjen për Asociacionin serb në Kosovë e vitit 2013 e ka negociuar dhe nënshkruar z.Thaçi. Kuptohet se edhe marrëveshja e vitit 2015 për Asociacion serb është hartuar nën përkujdesjen e z.Thaçi, pavarësisht se nënshkrues i saj ishte kryeministri i atëhershëm i Kosovës, z.Isa Mustafa”, u shpreh profesori.

Më tej, ai thekson që tërë marrëveshjet me shtetin serb, nga viti i hapjes së dialogut, më 2011, janë të negociuara nga Thaçi, të tjerët në pushtet kanë vepruar nën diktatin e tij.

“Bisedimet për ndarjen dhe copëtimin e Kosovës janë bërë nën përkujdesjen e z Hashim Thaçi. Dakord dhe bashkëveprues ka qenë edhe Edi Rama, kryeministri i tashëm i Shqipërisë. Së bashku, nën përkujdesjen e administratës amerikane, janë zhvilluar bisedimet dhe janë përcaktuar konturat dhe pikat e ndarjes. Shkurt: Tërë marrëveshjet me shtetin serb, nga viti i hapjes së dialogut, më 2011, janë të negociuara nga Thaçi. Të tjerët në pushtet kanë vepruar nën diktatin e tij. Ai është edhe personi që jo vetëm z.Hoti që ishte kukull e z.Thaçi, por edhe vet z.Mustafa, si kryeministër i Kosovës, ishte kukull e z.Thaçi”, nënvizoi Kelmendi për “Bota sot”.

Duhanaj: Të gjitha marrëveshjet që i ka bërë Kosova, janë bërë me këshillimin e SHBA-së

Image
Analisti politik, Leon Duhanaj

Ndërsa analisti politik, Leon Duhanaj, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, u shpreh që të gjitha marrëveshjet janë bërë me këshillim të SHBA-ve dhe se fati dëshiroi që Hoti të ishte pjesë e kësaj marrëveshje.

“Të gjitha marrëveshjet që i ka bërë Kosova, janë bërë me këshillimin e SHBA-së. Pra, SHBA-ja është promotor i të gjitha të arriturave të Kosovës. Edhe marrëveshja në fjalë është negociuar me ndërmjetësimin amerikan dhe ajo çfarë ka ndodhur ka qenë ndërhyrja e disa shërbimeve evropiane për ta penguar duke e detyruar ish-Presidentin Thaçi që të japë dorëheqje dhe të dorëzohet në Hagë. Kjo tashmë edhe po dëshmohet dita ditës se i tërë ky proces maskarade me gjykatën speciale, ka qenë rezultat i kuzhinave serbo-ruse. Në anë tjetër, ish-kryeministri Hoti, ka dëshmuar institucionalizëm duke vazhduar punë e paraardhësit të tij në dialog dhe asgjë më shumë. Ishte fati i tij që ta nënshkruaj atë marrëveshje dhe asgjë tjetër”, theksoi analisti.

Në fund, ai thotë që askush nuk ka rol kukulle në këtë proces, sepse shteti ka vazhdimësi institucionale dhe nuk mund të ndryshoj qasje varësisht nga përfaqësimi i tij.

“Po mendoj se askush nuk ka rol kukulle në këtë proces, sepse shteti ka vazhdimësi institucionale dhe nuk mund të ndryshoj qasje varësisht nga përfaqësimi i tij. Z. Kurti këtë fakt, nuk e ka ditë deri tani, apo nuk ka patur dëshirë ta dijë e pranoj, por tani që po qëndron në Bruksel, e ka të qartë se nuk mund dhe nuk e toleron askush të sorollatet e të zhvilloj politikë me lojë fjalësh, por si kryeministër i duhen vepra konkrete në raport me rrjedhat e kohës”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat