Kosova të bashkëpunojë me EULEX-in dhe Shqipërinë për arrestimin e Radojçiqit / Vjen paralajmërimi: “Kosova duhet të jetë e kujdesshme!”

Politika

Kosova të bashkëpunojë me EULEX-in dhe Shqipërinë për arrestimin e Radojçiqit / Vjen paralajmërimi: “Kosova duhet të jetë e kujdesshme!”

Arife Morina Nga Arife Morina Më 24 gusht 2022 Në ora: 11:55
Milan Radoiçiqi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u takua në Beograd më 21 gusht me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova.

Ky takim në Beograd pasoi takimin ndërmjet Vuçiqit dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit në Bruksel më 18 gusht në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Menjëherë pas takimit me Kurtin, Vuçiqi njoftoi se do të takohej me rrethin e gjerë të përfaqësuesve të serbëve nga Kosova, përfshirë përfaqësuesit e Listës Serbe, partisë udhëheqëse të serbëve në Kosovë që ka lidhje të ngushta me Partinë Përparimtare Serbe të Vuçiqit.

Në takimin e 21 gushtit ka marrë pjesë edhe Milan Radoiçiqi, nënkryetar i Listës Serbe, i cili është në listën e zezë amerikane që nga dhjetori i vitit 2021 dhe ka një urdhërarrest aktiv nga Kosova.

Urdhërarresti ka të bëjë me dyshimet për frikësim dëshmitarësh në rastin e njohur si "Brezovica".

Paraqitja e Radojçiqit krah për krah me Vuçiqin, hedh dyshime se ky i fundit po e mbron një kriminel që ka një urdhërarrest aktiv.

Marrë parasysh këtë gjë, Bashkimi Evropian do të duhej të reagonte.

Shala: Kosova duhet të vazhdojë ta shpallë në kërkim ndërkombëtar Radojçiqin përmes EULEX-it

Në lidhje me këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Image
Drizan Shala

Fillimisht, ai u shpreh se kjo situatë, paraqitja e Radojçiqit me Vuçiqin, konfirmon faktin se Beogradi qëndron prapa aktiviteteve kriminale në veri të vendit.

Situata e paraqitur, por edhe e dëshmuar nga ana e shtetit të Serbisë që edhe njëherë qëndron mbrapa orkestrimit të aktiviteteve kriminale në veri të vendit.

Dhe kjo po jep edhe një argument shtesë që Milani është në krah me Presidentin dhe në organin më të lartë të atij shteti”, deklaroi eksperti i sigurisë.


Sipas tij, Kosova duhet të bashkëpunoj me EULEX-in dhe Shqipërinë për arrestimin e Radojçiqit.

“Kosova duhet të vazhdojë ta shpallë në kërkim ndërkombëtar nëse jo vetë, meqë i mungojnë ingerencat e Interpolit, por kjo të bëhet përmes EULEX-it apo shtetit shqiptar”, u shpreh Drizan Shala për “Bota sot”.

Zogaj: Kosova duhet të jetë e kujdesshme

Ndërsa, opinionisti Skënder Zogaj në një bashkëbisedim me “Bota sot” thotë se paraqitja e Radojçiqit në Serbi është dëshmi se Serbia vazhdon të jetë çerdhe e kriminalitetit.

Image
Skender Zogaj

Ai bëri thirrje që Kosova të ketë kujdes, pasi Vuçiqi është në dorën e kriminelëve që i ka përdorur deri tash.

Me vet faktin që Serbinë e udhëheq Aleksandër Vuçiqi, ish ministri i kriminelit Sllobodan Millosheviq, është dëshmi e mjaftueshme se Serbia vazhdon të jetë çerdhe e kriminalitetit dhe e aspiratave tradicionale të hegjemonizmit serbosllav! Prandaj, paraqitja në Beograd e kriminelit Milan Radojçiqit përkrah kryekriminelit Vuçiqit, nuk paraqet habi, por tregon se, Kosova duhet të jetë e kujdesshme, sepse, kali në momentin e ngordhjes, e jep shqelmin më të rrezikshëm! Vuçiqi është në dorën e kriminelëve që i ka përdorur deri tash dhe që tash është i detyruar që t'i durojë rreth vetes, sepse është peng i tyre”, deklaroi ai.

Sipas Zogajt, shteti ynë duhet ta shfrytëzoj këtë rast për thellim të bashkëpunimit me ndërkombëtarët, për të bërë edhe më shumë presion te Serbia.

“Kosova duhet ta injoroj Serbinë, por ta shfrytëzoj këtë e rastet e ngjashme për bashkëpunimin edhe më intensiv me ndërkombëtarët, që BE-ja të bëjë presion tek serbët për t'dorëzuar të kërkuarit për krime. Këtë kërkesë institucionet e Kosovës duhet ta thonë hapur dhe pareshtur, që BE-ja të paralajmërohet me kohë se Kosova nuk mund të bisedojë me kriminelët ordinerë”, përmbylli Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat