Marrëveshja me Serbinë/ Kelmendi: Sinjal pozitiv – ja si mund të arrihet njohja reciproke!

Politika

Marrëveshja me Serbinë/ Kelmendi: Sinjal pozitiv – ja si mund të arrihet njohja reciproke!

Nga: A.M. Më: 28 gusht 2022 Në ora: 14:58
Albin Kurti, Aleksandar Vuçiq; foto ilustrim nga "Bota sot"

Kosova dhe Serbia ranë dakord që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve duke zgjidhur mosmarrëveshjen mbi lëvizjen e qytetarëve.

Kjo u cilësua si një marrëveshje shumë pozitive për stabilizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Megjithatë, ishin partitë opozitare që më parë ishin pjesë e qeverisë, ku tentuan të merrnin ‘poena politik’ për këtë marrëveshje.

Ata u bazuan në një marrëveshje të nënshkruar në vitin 2011 e që fatkeqësisht nuk u zbatua asnjëherë.

Profesori dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi në një prononcim për “Bota sot” komentoi këtë marrëveshje të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Fillimisht, ai tha se është një fakt i rëndësishëm për zgjidhjen e konfliktit Kosovë-Serbi, mirëpo që nuk tregon nëse është afër njohja reciproke mes dy shteteve.

Image
Profesori dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi

“Arritja e marrëveshjes midis Kosovës dhe shtetit serb në çështjen e dokumenteve të udhëtimit është fakt i rëndësishëm që tregon rrugën e zgjidhjes së konflikteve midis Kosovës dhe Serbisë.

Mirëpo, kjo marrëveshje, nuk është ndonjë fakt i madh që tregon se edhe marrëveshja finale e njohjes reciproke të shtetit është afër për t'u arritur.

Në kuadër të marrëveshjes aktuale duhet tërhequr vërejtja për disa çështje të rëndësishme. Mendohet në tri fakte themelore të saj:

1. Që marrëveshjet e Prishtinës të arritura me Beogradin nga viti 2011, e përsërisë: të gjitha të ekzekutohen, pavarësisht natyrës së marrëveshjeve

2. Që Marrëveshja për Asociacionin e komunave serbe në Kosovë të fillojë për t'u realizuar dhe

3. Që marrëveshjet e tilla për dokumente të udhëtimit nuk nënkuptojnë ndonjë hap të rëndësishëm në njohje reciproke të shtetit, si qendër”, deklaroi profesori.

Sipas Kelemendit, marrëveshja për dokumente të identifikimit u arrit në vitin 2011, por që nuk u zbatua.

Ai për këtë gjë fajësoi qeveritë e kaluara, ku edhe tha se tek ata gjendet përgjigja për këtë çështje.

“Në kuadër të marrëveshjes aktuale kemi thjeshtë të bëjmë me një marrëveshje të vitit 2011. Nga kjo kohë, kjo marrëveshje, është ekzekutuar vetëm nga ana e shteti serb, ndërsa nga Kosova nuk u ekzekutua, gjë që sjelli gjendjen aktuale në raport me shtetin serb, që tash u riaktivizua.

Pse nuk u ekzekutua?

Shkakun e mosekzekutimit duhet kërkuar te qeveritë e Kosovës nga viti 2011. Asnjëra nga ato qeveri, deri në këtë kohë, nuk e ka filluar ekzekutimin e kësaj marrëveshjeje, të cilën Serbia e ekzekutonte”, theksoi ai.

Në fund, profesori e vlerësoi si një arritje pozitive për vendin tonë, ku konsideroi se me përfshirjen e Amerikës mund të arrihet edhe njohja reciproke.

“Tash u arritë marrëveshja si në vitin 2011 për dokumente të udhëtimit, asgjë e re. Megjithatë, është një e arritur e mirë dhe pozitive. Ajo tregon se me vullnet të mirë dhe me angazhimin e SHBA-ve mund të arrihen marrëveshje të rëndësishme, ndoshta edhe akti i fundit i njohjes reciproke. Mbetet te shihet”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat