Eksperti amerikan del me thirrje për SHBA-në dhe BE-në: Bëni presion Kurtit e Vuçiqit edhe për këtë çështje!

Politika

Eksperti amerikan del me thirrje për SHBA-në dhe BE-në: Bëni presion Kurtit e Vuçiqit edhe për këtë çështje!

Nga: A.ZH Më: 1 shtator 2022 Në ora: 07:52
Alon Ben-Meir, Albin Kurti; foto ilustrim nga "Bota sot"

Që nga mesnata e 1 shtatorit, Kosova dhe Serbia nuk po lëshojnë më dokumentet hyrje-dalje në pikat kufitare.

Kjo falë marrëveshjes, që u arrit mes të dyja vendeve pas presionit të diplomatëve amerikanë dhe evropianë.

Për gjetjen e zgjidhjes, të dyja vendet i ka duartrokitur eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir.

Duke folur për gazetën “Bota sot”, ai ka thënë se Kosova dhe Serbia e dinë se nuk ka integrim në Evropë pa njohje reciproke.

“Duhet të duartrokas Serbinë dhe Kosovën për zgjidhjen e mosmarrëveshjes për lëvizjen e qytetarëve përtej kufirit të tyre. Të dyja vendet duhet të jenë të vetëdijshme se nuk ka integrim evropian pa njohje reciproke. Sipas BBC, në kuadër të negociatave me BE-në, Serbia ra dakord të heqë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e ID-së së Kosovës, ndërsa Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e ID-së serbe”, është shprehur Ben-Meir.

Por, ai ka theksuar se ende ka punë për punën e targave të veturave, duke kërkuar nga SHBA dhe BE, që të bëjnë më shumë presion për gjetjen e zgjidhjes.

“Të dy vendet ende nuk kanë rënë dakord për përdorimin e kontestuar të targave të makinave serbe të lëshuara në veri të Kosovës. BE dhe SHBA duhet t'i bëjnë presion të dy liderëve, Kurti dhe Vuçiq, që të vazhdojnë dialogun dhe të zbatojnë marrëveshjet e nënshkruara deri më tani”, ka thënë eksperti amerikan për “Bota sot”.

Qytetarët nga Kosova, të cilët udhëtojnë në drejtim të Serbisë nga pika e kalimit kufitar Jarinje dhe anasjelltas, janë duke udhëtuar lirshëm pa pasur nevojë për dokumente. Njëjtë po ndodhë edhe me ata që po vijnë nga Serbia në Kosovë.

Marrëveshja për dokumentet, është arritur më 27 gusht, pas vendosjes së barrikadave nga serbët lokalë më 31 korrik në veri të Kosovës, që nxiti reagimin e diplomatëve perëndimorë, të cilët u angazhuan për një marrëveshje për të shmangur dhunën./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat