Patrullimi në liqenin e Ujmanit/ Eksperti i sigurisë tregon mesazhin që jep – ja çfarë nuk pranon Serbia

Politika

Patrullimi në liqenin e Ujmanit/ Eksperti i sigurisë tregon mesazhin që jep – ja çfarë nuk pranon Serbia

Nga: P.R Më: 11 shtator 2022 Në ora: 13:31
Patrullimi i policisë në liqenin e Ujmanit

Para disa ditësh, Ministri i Brendshëm i Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla, ka shpërndarë një video-incizim nga ajri të policisë së Kosovës duke patrulluar me varkë nëpër liqenin e Ujmanit në veri të vendit

Sveçla ka thënë Policia e Kosovës po patrullon në Ujman për shtrirjen e sundimit të ligjit dhe ruajtjen e integritetit territorial

“Për herë të parë që nga paslufta, pas krijimit të njësitit për patrullim ujor, Policia e Kosovës sot filloi me patrullimin e rregullt të vijës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe gjithë hapësirës së Liqenit të Ujmanit. Tashmë, kontrolli i kufirit shtetëror është më i plotë. Përgëzoj Policinë e Kosovës për suksesin e radhës!”, shkroi në faqen e tij në facebook Ministri Xhelal Sveçla.

Sipas Ministrit Sveçla, gjatë testimit, rreth dy javë më parë janë sulmuar nga kriminelët nga ana tjetër e liqenit.

“Kemi pas para dikun 2 javësh, kur ne kemi bërë një testim me që rast jemi sulmuar me armë nga kriminelët nga ana tjetër e liqenit, prandaj kemi bërë përforcime të nevojshme që t’i evitojmë raste të tilla”, tha Sveçla.

E për këtë hap të rëndësishëm të Policisë së Kosovës, për gazetën “Bota sot” ka folur eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Image
Drizan Shala

“Ri-vendosja e efektiveve policor mbi liqenin e Ujmanit, dëshmon se është duke u rritur funksionaliteti në luftimin e krimit dhe kontrabandës me elemente të krimit organizuar në atë pjesë. Kjo po tregon që çështjet e sigurisë në veri të vendit më shumë është e natyrës politike, duke interferu Beogradi në atë pjese përmes lejimit të suportimit të grupeve kriminale nga aparatura shtatore e Serbisë”, thotë Shala.

Sipas tij, aksionet e tilla janë dëshmi e luftës së hapur ndaj strukturave kriminale serbe që veprojnë në veri të Kosovës.

“Kosova nga 2011 (intervenimi i parë ) për rikthim të sovranitetit të saj veprues në atë pjesë, ka arritur që të kryej me dhjetëra aksione të ndryshme për të luftuar çdo strukturë kriminale deri ato para ushtarake që veprojnë ne atë pjese (Civilna Zastava)”, thekson Shala.

Për fund, ai thotë se patrullimi i Policisë në Ujman, padyshim që e nervozon Serbinë.

“Serbia nuk do mund të pranojë një veprim normal të institucioneve të Kosovës siç është kontrollimi i vijës kufitare administrative në mes këtyre dy vendeve, sepse më këtë Serbia e din që në Kosovë ka veprime shtetërore të një shteti sovran në hapësirat e saja. Policia kufitare tani më ka formuar edhe njësitë e reja në kuadër të domentit të tyre duke shtuar kapacitete teknike dhe humane për të përballur çfarëdo kërcënimi të mundshëm të kufirit të Kosovës”, përfundon për “Bota sot”, eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Kujtojmë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, pas njoftimit të Ministrit Sveçla, tha se politikanët në Prishtinë po duan të tregohen sunduesë në krejt Kosovën dhe se Beogradi s’do të durojë.

“Mbrëmë unë i paralajmërova përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare dhe negociatorët dhe ju thashë mendoni se me çka po vini në Beograd, sepse ne këtë nuk do ta tolerojmë. Për dallim nga ata që po kërcënojnë me sundim, ne vetëm ju lusim që t’i respektoni normat publike ndërkombëtare dhe asgjë më shumë”, u shpreh Aleksandër Vuçiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat