Katrahura e grevës në arsim dhe shërbime/ Është e turpshme që nxënësit nuk shkojnë në shkollë për 20-30 euro

Politika

Katrahura e grevës në arsim dhe shërbime/ Është e turpshme që nxënësit nuk shkojnë në shkollë për 20-30 euro

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 16 shtator 2022 Në ora: 11:39
Albin Kurti dhe Rrahman Jasharaj

Disa orë debat për grevën në arsim dhe të sindikatave përgjithësisht në Kuvendin e Kosovës nuk dhanë ndonjë rezultat, madje, vazhdimi i debatit u shty për hënën, edhe pse e premtja është ditë pune.

Por, si duket madhështia e deputetëve nuk mund ta pranonte ‘përuljen’, që të vazhdonte debatin edhe sot për të gjetur një zgjidhje, të paktën që mësimi në shkolla të fillonte pashmangshëm të hënën.

Sindikatat nga 25 gushti janë në grevë, duke refuzuar kryerjen e detyrave për shkak të mospërmbushjes së kërkesës për rritje pagash prej 100 euro.

Ata kërkesa kryesore kishin rritjen e pagës 100 euro derisa të miratohet Projektligji për paga dhe kërkesa të tjera lidhur me ligjin e pagave.

Në takimin e fundit të udhëheqësve të sindikatave të prira nga kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, sindikalistët kanë kërkuar që të paktën Qeveria të pranojë një rritje prej rreth 80 eurove.

Deputetët e opozitës në Kuvendin e Kosovës debatuan të enjten edhe me tone të ashpra rreth kësaj çështje.

Qeveria nga ana e saj ka ofruar 50 euro shtesë në muaj për punonjësit e sektorit publik në kuadër të paketës për përballjen me krizën. Por, të dyja palët, pavarësisht diskutimeve, nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje që kjo grevë do të merrte fund.

Por, sot kanë filluar me një protestë simbolike mjekët në QKUK, të cilët kërkojnë rritje pagash për 50 %!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kërkesa për 100 euro në muaj është e paarsyeshme dhe e papranueshme.

“Nuk është problemi te mungesa e komunikimit, ose te kurrfarë arrogance ose inati, por e kemi një mospajtim themelor sepse unë jam i bindur që në këtë krizë duhet të dalim përmes pakos që mundëson përballjen me inflacion e jo përmes kërkesave partikulare derisa të votohet projektligji për pagat i cili që nga sot është në diskutim publik. Pra nuk mund të thuhet që ne i mirëmbajmë në mënyrë demokratike, të ligjshme dhe të shëndetshme financat shtetërore nëse një grupi të caktuar ia plotësojmë kërkesën për një shtesë të caktuar, nuk ka rëndësi sa është ajo, deri sa të bëhet projektligji për paga i plotfuqishëm në parlamentin e Kosovës”, ka thënë Kryeministri Kurti.

Derisa edhe partitë opozitare mbështesin sindikatat duke kritikuar qeverinë për këtë situate të cilën sipas tyre e ka krijuar Qeveria Kurti.

Në shumë shkolla të Gjakovës tashmë mësimi ka nisur të mbahet.

Gjithashtu shumë nga shërbimet komunale nuk mund të kryhen për shkak të grevës. Ndërsa, greva një orëshe kanë mbajtur edhe në Prokurorinë e Kosovës, nga ora 13-14.00.

Por, cila është zgjidhja në këtë situatë?

Mehmeti: Në "luftën" mes Qeverisë dhe SBASHK-ut, të humbur janë vetëm nxënësit

Image
Faton Mehmeti

Analisti Faton Mehmeti për “Bota sot” është shprehur se në këtë mes të humbur janë nxënësit, duke shtuar se si Qeveria ashtu edhe SBASHK-u nuk po lëshojnë pe në këtë drejtim.

“Është e turpshme që nxënësit nuk shkojnë në shkollë për 20-30 euro kompromisi. Në "luftën" mes qeverisë dhe SBASHK-ut, të humbur janë vetëm nxënësit. Qeveria duket se po pret që greva të thyhet nga brenda anëtarësisë, derisa SBASHK-u e pret Qeverinë të lëshojë pe, të dyja në pritje të njëra tjetrës”, thotë ai.

Ai zgjidhjen e sheh te presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila sipas tij, duhet t’ju bëjë thirrje Qeverisë dhe SBASHK-ut për kompromis.

“Zgjidhjen më të shpejt e shoh tek presidentja Osmani, e cila duhet të thërrasë në takim Qeverinë dhe SBASHK-un dhe deri në arritjen e ujdisë mos t'i "lejojë" të dalin nga zyra. Kjo duket zgjidhja e parë pasi të dyja palët janë barrikaduar pas qëndrimeve të tyre”, përfundon Mehmeti.

Duhanaj: Mes Kurtit dhe sindikatave janë ftohur marrëdhëniet

Image
Leon Duhanaj

Kurse, analisti Leon Duhanaj ka kritikuar qasjen e kryeministrit Kurti në raport me grevistët.

Ai ka thënë se mes kryeministrit Kurti dhe krerëve sindikal janë ftohur marrëdhëniet.

“Për mendimin tim e gjithë kjo katrahurë e krijuar me greva është rezultat i kryeneçësisë dhe qasjes destruktive të kryeministrit Kurti. Ka tashmë dy vite qeverisje dhe para se ta merrte pushtetin ka pasë takime me sindikalistët, i ka dëgjuar kërkesat e tyre dhe i ka mbështetur ato. Pas ardhjes në pushtet, në vend që të zhvilloj dialog me sindikatat, z. Kurti bëri një përpjekje që të ndërhyjë në proceset zgjedhore të tyre. Pra, problemi kryesor nuk janë kërkesat sa ftohja e marrëdhënieve mes Kryeministrit dhe krerëve sindikal. Ai këtë e dëshmoj edhe tani pas injorimit disamujor dhe grevës tre javore e ftoj një takim formal veç sa për ta ashpërsuar edhe më tej situatën”, deklaron ai.

Sipas tij, Kurti po vepron qëllimshëm në këtë çështje, sepse një zgjidhje duhet të gjente dhe mund të bënte për të marrë fund greva.

“Kryeministri Kurti, në vend të dialogut me sindikatat, ka zgjedhur rrugën e organizimit paralel të mosdëgjueshmërisë apo përçarjes sindikale. Një shembull i tillë nuk mund të jetë element i një shteti demokratik dhe është në kundërshtim të plotë me përgjegjësitë ligjore e kushtetuese të një kryeministri. Kryeministri ka filluar të kërkoj mbështetës në këshillin e prindërve dhe në disa shkolla përmes segmenteve të tij partiake me qëllimin e vetëm, që të krijoj klimë anti-sindikaliste dhe ta zgjoj një sentiment tek qytetarët kinse krerët sindikal paskan qëllime destruktive.

Për mendimin tim, është e kundërta. Jam më se i bindur se nëse z. Kurti do t'i ftonte dhe të bisedonte me sinqeritet me ta, as që do të ndodhte greva fare. Po ashtu jam i bindur se edhe përkundër faktit se gjërat duken aq të komplikuara, nëse z. Kurti bëhet i sinqertë me sindikalistët dhe në vend që të kërkoj variante se si t'i komprometojë ata, të ofroj ndonjë ofertë në tavolinë atëherë edhe do të gjendet menjëherë.

Pra, problemi qëndron te vullneti i një njeriu të vetëm, i cili ka marrë përgjegjësi të mëdha, por ose i mungon vetëdija për ta perceptuar shkallën e përgjegjësisë publike, ose është duke punuar qëllimshëm për ta sabotuar, e që unë personalisht më shumë besoj tek kjo e dyta”, vlerëson analisti Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat