Parashikimi/ Liberalizimit po i vjen fundi, por në këmbim do t’i kërkohet kjo Kosovës

Politika

Parashikimi/ Liberalizimit po i vjen fundi, por në këmbim do t’i kërkohet kjo Kosovës

Nga: P.R Më: 17 shtator 2022 Në ora: 20:47
Foto ilustrim

Ditë më parë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani në Potsdam të Gjermanisë, ka takuar kancelarin gjerman Scholz, me të cilin ka diskutuar për t’i dhënë shtytje finale procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Në Potsdam, diskutim me Kancelarin Scholz, për t’i dhënë shtytjen finale procesit të liberalizimit të vizave. Rikonfirmova përkushtimin tonë të plotë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe Evropë si dhe për koordinim të ngushtë me aleatët sa i përket dialogut Kosovë-Serbi. Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë dhe për miqësinë të cilën ne do të vazhdojmë ta forcojmë”, shkroi presidentja Osmani.

Kurse gjatë ditës së djeshme, edhe Gjermania, Franca dhe Polonia në një deklaratë zyrtare, kanë bërë thirrje për progres në çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe përparim në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne mbështesim plotësisht dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE-ja dhe theksojmë nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që i mundëson Kosovës dhe Serbisë të avancojnë në rrugëtimin e tyre evropian dhe të kontribuojnë në stabilitetin në rajon. Ne bëjmë thirrje për progres në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën”, thuhet në deklaratën e Gjermanisë, Francës dhe Polonisë.

Image
Faton Mehmeti

E sipas analistit politik, Faton Mehmeti, ky hap shënon fundin e shumë pritur për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Delegimi i përfaqësuesve të Gjermanisë dhe Francës për dialogun me Kosovën është dëshmi e fortë e seriozitetit dhe rëndësisë që ka Kosova për këto shtete. Në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë përfshihet edhe liberalizimi i vizave. Nëse s’do ishte pengesë Franca, moti do i kishim vizat, andaj deklarata e përbashkët me Gjermaninë dhe Poloninë shënon fillimin e fundit të liberalizimit të vizave”, shprehet Mehmeti.

Ai thotë se në këmbim të liberalizimit të vizave, Kosovës do t’i kërkohet formimi i Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë.

“Franca nuk e ka veton e saj arsye praktike por politike, një marrëveshje me Serbinë do të përfshinte edhe liberalizimin. Në këmbim të liberalizimit do i kërkohet Kosovës formimi i asociacionit, presion të cilin po e ushtrojnë përfaqësuesit e Gjermanisë dhe Francës”, deklaron Mehmeti.

“Nëse nuk i hiqen vizat Kosovës do të ketë shtim të pakënaqësisë, gjë e cila do të reflektohet në ikjen e qytetarëve edhe më shumë se tani”, përfundon analisti Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat