SHBA dhe NATO tmerrojnë Vuçiqin/ “Serbia e ka nënshkruar kapitullimin” – FSK-ja drejt NATO-s

Politika

SHBA dhe NATO tmerrojnë Vuçiqin/ “Serbia e ka nënshkruar kapitullimin” – FSK-ja drejt NATO-s

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 8 tetor 2022 Në ora: 16:15
Aleksander Vuçiq dhe Albin Kurti

Sot në Kosovë është mbajtur Seminari i 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me temën “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme”, i cili do të zgjasë deri më 10 tetor.

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Gerald Connolly, ka kërkuar nga shtetet e Ballkanit Perëndimor që së bashku me vendet euroatlantike të punojnë për të parandaluar destabilizimin e rajonit pas agresionit rus në Ukrainë.

“Me këtë agresion Rusia dëshiron që të shkatërrojë demokracinë në Ukrainë dhe ta bëjë këtë edhe kudo. Shtetet tona duhet të qëndrojnë me njëra-tjetrën me të gjitha kombet demokratike për të luftuar këtë krim që po e bënë Rusia ndaj demokracive të tjera... Siguria jonë është e ndërlidhur ngushtë për këtë Ballkani Perëndimor dhe shtete euroatlantike duhet të punojnë bashkë për të tejkaluar sfidat e rajonit dhe të pengojnë destabilizimin nga fuqitë jo demokratike siç janë Rusia dhe Kina”, tha ai.

Në këtë seminar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se vendi ynë është i vendosur për një bashkëpunim më të ngushtë dhe anëtarësim në NATO

“Republika e Kosovës natyrshëm dhe fuqishëm është rreshtuar me botën demokratike. Ne si shtet jemi absolutisht të koordinuar me politikën e sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër Federatës Ruse. Ne kuptojmë nëpër çka po kalon populli i Ukrainës si askush tjetër meqë vetë ishim një popull që u sulmua në vendin e vetë nga Serbia e Millosheviqit në vitin 1998. Edhe Millosheviqi mendonte se Kosova nuk ishte djepi i popullit që jetonte këtu por thoshte se ishte zemra e Serbisë. Ai mendonte që Kosova dhe populli i saj nuk duhej të ekzistonin, njëjtë mendon edhe Putini për Ukrainën… NATO-ja kontribuon drejtpërdrejt në sigurinë e shtetit tonë. Duke u nisur nga gjendja e sigurisë në botë, shtetet që kontribuojnë përmes trupave ushtarake në KFOR po e shtojnë edhe praninë e tyre këto ditët e fundit edhe në Kosovë. Kosova do t’i kryejë të gjitha reformat e nevojshëm që një ditë të bëhet anëtare e NATO-s. Së bashku do ta kthejmë edhe FSK-në në një ushtri bashkëkohore dhe të integruar plotësisht në NATO-n, aleancën më të fuqishme të shteteve demokratike”, tha Konjufca.

Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi se Kosova është shumë e qartë në objektivat e saj e që është anëtarësimi në NATO.

Ajo ka kërkuar mbështetje nga të gjitha vendet në mënyrë që Kosova të bëhet pjesë e programit të Partnerit për Paqe. Sipas Osmanit, ndryshe nga Serbia, Kosova është e përkushtuar për rrugën evropiane dhe demokratike.

“Serbia ka qenë në projekte të përbashkëta me NATO-n derisa e refuzon anëtarësimin në NATO. Përafrimi i saj me Rusinë flet shumë. Ne ende nuk jemi pjesë e Partneritetit për Paqe. Kosova është e qartë në qëllimin e saj për t’u bërë anëtarë dhe për të kontribuar në këtë drejtim për këtë arsye është shumë me rëndësi që çdo anëtar i NATO-s ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe. Rusia është më shumë sesa shkatërrues i projekteve por është një rrezik i vërtetë i paqes dhe stabilitetit…. Putini mundet të tërheq krahasime të papërshtatshme mos të harrojmë që të gjithë ne në Kosovë e dimë që e vetmja që mund të krahasohet ndaj asaj që po ndodh në Ukrainë dhe çfarë ka ndodhur në Kosovë në vitin 1999, është krimet e jashtëzakonshme dhe të tmerrshme që Putini është duke i kryer sot”, tha ajo.

Në anën tjetër, sot është raportuar se, rreth 300 ushtarë amerikanë janë nisur për në Kosovë të cilët do ta bëjnë një rotacion i cili është i 31-ti me ata që gjenden tashmë në kampin Bondsteel.

Gjenerali adjutanti i Indianës, gjeneralmajor Dale Lyles komentoi rëndësinë e misionit të ushtarëve.

“Burrat dhe gratë e kësaj brigade do të punojnë për të siguruar që pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës do të mbeten të forta dhe se qëllimi ynë kolektiv për shtete të pavarura, multietnike në shoqëri që bashkëjetojnë në mënyrë paqësore në Ballkanin Perëndimor të realizohet. Dislokimi ynë demonstron vendosmërinë e Amerikës për të mbrojtur sovranitetin e kombeve të lira dhe demokratike si Kosova”.

Këto ngjarje po ndodhin në Kosovë, pas luftës në Ukrainë ku Rusia ka filluar pushtimin e saj, por që ukrainasit janë duke rezistuar dhe po i shkaktojnë pasoja të mëdha forcave ruse.

Gjithashtu, në këtë kohë edhe apetitet e shtetit serb janë rritur për të marrur territore në Ballkan.

Kërcënime të vazhdueshme kemi pasur kohën e fundit nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiqi dhe vartësit e tij serbë.

Eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava thotë se, Serbia në vazhdimësi po provokon situatën në Kosovë.

Ai thotë se Serbia e tregoj se nuk i realizon marrëveshjet e arritura me Kosovën dhe në këtë mënyrë synon të bëjë tensione në Kosovë.

“Pavarësisht marrëveshjeve që janë nënshkruar për më shumë se një dekadë dialog me Serbinë në Bruksel, ato nuk janë zbatuar nga Serbia dhe prapë është toleruar nga BE-ja dhe nuk është sanksionuar, edhe pse vazhdimisht Kosova është provokuar duke i shkaktuar incidente kufitare të shpeshta”, shprehet Tërnava.

Ai thotë se Vuçiqi përsëri po tenton që para opinionit botëror ta fajëson Kosovën.

“Ai me këtë po donë ta bindë popullin serb se Kosova është pjesë e Serbisë, sikur që ende e ka si pjesë përbërëse në kushtetutën e Serbisë, pavarësisht faktit që GJND-ja e ka arsyetuar shpalljen e pavarësisë si akt të drejtë, për të cilin vendim ishte ankuar vetë Serbia, shtet ky që e ka nënshkruar kapitullimin në vitin 1999 me pranimin e marrëveshjes së Kumanovës, e cila marrëveshje ende është në fuqi së bashku me rezolutën e OKB-së 1244”, shprehet Tërnava.

Ai thotë se, duke qenë në këto linja të sjelljes destruktive dhe manipulative të shtetit serb, shtetet aleate po e mbështesin Republikën e Kosovës dhe Qeverinë në vendimet e saj të drejta në raport me Serbinë dhe kështu po hiqen më në fund të gjitha maskat e perëndimit ndaj politikës agresive dhe me tendenca provokuese e destabilizuese, luftënxitëse të Serbisë në rajon, duke e shfrytëzuar çështjen e Kosovës.

Ndryshe, edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ditë më parë e ka bërë të qartë se NATO-ja është e gatshme të ndërhyjë në Kosovë, bazuar në mandatin e OKB-së, nëse vihet në pikëpyetje siguria dhe stabiliteti, pas zhvillimeve të fundit mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me reciprocitetin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat