Liberalizim të vizave në këmbim të Asociacionit, Sheholli tregon të vërtetën e draft dokumentit

Politika

Liberalizim të vizave në këmbim të Asociacionit, Sheholli tregon të vërtetën e draft dokumentit

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 8 tetor 2022 Në ora: 20:19
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Tashmë siç është bërë edhe zyrtare, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë në rend të ditës në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian, më 13 tetor.

Ndërsa, sot në media është duke qarkulluar një non paper me hapat dhe skenarët e këtij muaji vendimtar për vizat.

Sipas dokumentit, vendimi final është i lidhur me një sërë hapash tjerë të ndërmarrë nga Kosova dhe Serbia.

Duke iu referuar burimeve ndërkombëtare, mediet raportuan se liberalizimi i vizave lidhet me formimin e asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Dy ditë më vonë, me 15 tetor, Kurti dhe Vuçiq do të takohen në Bruksel. Ata pritet të nënshkruajnë një marrëveshje që tashmë u është dorëzuar nga Lajçak dhe dy këshilltarët e presidentëve gjerman dhe francez. Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe një garanci për liberalizimin e vizave për Kosovën”, kanë thënë burimet ndërkombëtare të medias.

Sipas tyre, nëse Kurti e refuzon një gjë të tillë, Kosova nuk do t’i marrë vizat për 5 vitet e ardhshme.

Por, një marrëveshje të tillë ku liberalizimi varet nga formimi i Asociacionit, e mohon drejtuesi i Institutit për Afrimin e Marrëvdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli.

Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se burimet e tyre raportojnë se këto procese janë të ndara.

Image
Fatmir Sheholli

Sipas tij, në bazë të informata që kanë ata si Institut, kryeministri Kurti nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje për Asociacioni.

“ Nga burimet që i kemi si Institut për afirmimin e marrëdhënieve ndër etnike jemi të sigurt që kryeministri Kurti tani më e ka në tavolinën e tij draft dokumentin që e ka marrë lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Mirëpo burimet tona flasin që asociacioni nuk ndërlidhet me liberalizimin e vizave, sepse janë procese totalisht të ndara Ndërsa takimi Kurti - Vuçiq do të ndodhë gjatë këtij muaji, mirëpo me aq sa jemi ne si Institut në dijeni, kryeministri Kurti nuk do të nënshkruajë asnjëfarë marrëveshje për asociacionin”, pohon Sheholli për “Bota sot”.

Kujtojmë, se nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që mbeten jashtë BE-së, vetëm qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet evropiane, apo në atë që njihet si zona Shengen.

Kosova, ashtu si edhe Bosnje e Hercegovina, ka vetëm Marrëveshje Stabilizimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok.

Mali i Zi, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërkaq, i kanë hapur negociatat për anëtarësim në BE

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat