“Diçka po fshihet në prapaskenë”, publicisti, kërkesë Kurtit: Mos e prano planin me “kumbar Baton Haxhiun”!

Politika

“Diçka po fshihet në prapaskenë”, publicisti, kërkesë Kurtit: Mos e prano planin me “kumbar Baton Haxhiun”!

A.Zhushi Nga A.Zhushi Më 9 tetor 2022 Në ora: 12:00
Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Aleksandar Vuçiq

Publicisti dhe njohësi i çështjeve politike Idriz Zeqiraj, ka thënë se Evropa në vazhdimësi po përkëdhel dhe po bën lëshime ndaj Serbisë, e cila nuk u distancua dhe nuk ndëshkoi Rusinë për luftën në Ukrainë. Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka përmendur edhe marrëveshjen e re Rusi-Serbi që u nënshkrua ditë më parë e që ngjalli reagime të forta.

“Lëshimet dhe përkëdheljet, në vijimësi, që i bënë Evropa - Serbisë, na kujtojnë një film shqiptar të viteve 70-a, titu​lluar "Mimoza Llastica". Edhe pse ajo nuk po e kursen fare Evropën me provokime të rënda. Me gjithë thirrjet e shteteve të Quintit dhe të tjerëve, për t`u distancuar dhe ndëshkuar Rusinë me sanksione, Serbia nuk e bëri asnjëherë dhe në asnjë rast. Sikur nuk mjaftoi vazhdimi i marrëdhënieve normale me Rusinë, pavarësisht agresionit të paprovokuar ndaj Ukraninës sovrane, sfidoi Evropën dhe botën demokratike, me një lidhje shtesë me Rusinë pushtuese. Ministrat e Jashtëm të Serbisë dhe të Rusisë, Selakoviq dhe Lavrov, nënshkruan marrëveshjen, për koordinimin e politikave të jashtme, për vitin 2023-24! Për këtë, veç të tjerëve, reagoi edhe raportuesja e Parlamentit Evropian, për Kosovën, Viola von Cramon, se "është koha të ngrihen bisedimet për aderim të Serbisë në Bashkimin Evropian. Sepse ky është një skandal"1”, ka thënë Zeqiraj.

I pyetur nga “Bota sot”, në lidhje me planin e publikuar në mediat vendore, që thuhet se është paraqitur në kornizën e re për marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, publicisti ka thënë se “diçka po fshihet në prapaskenë”. Ai ka theksuar se plani i ri me “kumbar Baton Haxhiun”, ngjason me “Non paperin” e që pretendohej të ishte e presidentit slloven, e që fliste për kufijtë e ri në Ballkan.

Image
Idriz Zeqiraj

“Në kuadrin e kërkimit të një zgjdhje të përshpejtuar, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, presidenti francez, Emanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, caktuan këshilltarët e tyre, për përpilimin e një plani, për një marrëveshje të dytë, në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila do të nënshkruhet në vitin 2023. "Dardha e ka bishtin prapa", - thotë populli, për diçka që fshihet në prapaskenë. Sipas këtij plani, të pagëzuar "kornizë e re", duhej pritur që pas 10 vitesh, kur BE-ja të jetë e gatshme të zgjerohet dhe të përfshijë, në radhët e saj, Ballkanin Perëndimor, të arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjelltë, Kosovë-Serbi!

Lidhur me planin për "kornizën e re", si bazë për një marrëveshje të dytë, Kosovë-Serbi, të publikuar nga "Albania Post", me kumbar Baton Haxhiun, me enigmën e tij, ngjason me atë letrën anonime, "Non paper", por, të faturuar presidentit slloven, edhe pse e mohuar nga ai, për kufijtë e ri në Ballkan”, është shprehur Zeqiraj.

Sipas tij, “përngjasimi i letrës anonime të dikurshme, të supozuar si sllovene, Hashim Thaçi i shantazhuar nga Serbia, për krimet e luftës dhe të pas luftës, kokëtonte dhe konspironte me presidentin serb, Vuçiq, si dhe lobonte në qendrat e vendosjes, për ndarjen e Kosovës, i ndihmuar nga PDK-ja e tij, ambasadorë e ministra, me "kornizën e re" aktuale, na kujton urtësinë "ku ka zë, nuk është pa gjë"”.

Ai ma tej ka potencuar se “korniza e re” e dialogu nuk ka adresë, por “me gjasë presidentit serb ia ka përcjellur dokumentin Baton Haxhiu”.

“Njësoj si letra e parë anonime, "Non paper", edhe "korniza e re" e tashme, nuk ka adresë të saktë, për të cilën Gjermania e mohoi të jetë autore, ndërsa Franca heshtë! Vuçiqi thotë se ka mësuar nga media e Kosovës, me gjasë, ia ka përcjellur Baton Haxhiu. Ndërsa, Kurti ka thënë: "Nuk është mirë të bëjmë komente, kur nuk dihet autori"”, ka thënë publicisti.

Sipas tij, njësoj sikur me “non paperin” e mëhershëm, edhe me planin e ri po tentohet të testohet opinioni. Por, teksa ka akuzuar ish-presidenti Hashim Thaçin për “aferën e rrezikshme për ndarjen e Kosovës”, publicisti ka thënë se kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, “po qetësojnë dhe ngushëllojnë shqiptarët”.

“Letra e parë anonime, Non paper", për ndryshim të kufinjve në Ballkan, e supozuar si sllovene, me gjasë, ishte një testim. Reagimi ishte, goxha, i fortë, sidomos nga kancelarja Merkel. Arrestimi i protagonistit të parë, izolimi në burgun e Hagës, Hashim Thaçit, përmbylli edhe aferën e rrezikshme për Kosovën. Ka gjasë, që edhe plani për "kornizën e re", të jetë një testim i opinionit. Por, tani, që "në qytet është një polic tjetër", siç e përdori një thënie amerikane, presidentja mençurake Vjosë Osmani, në Parlament, edhe dialogu Kosovë-Serbi, ka një kryeministër të pashantazhuar, me integritet të plotë. Dhe, kjo i qetëson dhe ngushëllon shqiptarët, përkundër dialoguesve të mëparshëm, të cilët, sa herë ktheheshin nga Brukseli, një gjëmë sillnin për Kosovën”, ka nënvizuar Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

Ai ka kërkuar që të mos pranohet “korniza e re”, që sipas tij, stërzgjatë qëllimshëm përfshirjen e Kosovës në Bashkimin Evropian, duke theksuar se pritja prej 10 vitesh për njohjen nga Serbia përhap “mjegullnajë të qëllimshme”.

"Pretendimet janë të gabuara, një letër, siç përshkruhet në raporte, nuk vjen nga Franca, Gjermania apo përfaqësuesi special i BE-së. Nuk kemi informacion se kush e ka shpikur atë dhe me çfarë qëllimi", - thonë nga Brukseli. Megjithatë, Vuçiq e ka konfirmuar se ka ardhur në duart e tij një dokument, ("kornizë e re"), për dialogun me Kosovën. Sipas tij, ka ardhur nga këshilltarët e Macron dhe Scolz.

As teorikisht dhe as praktikisht, nuk duhet të pranohet një "kornizë", që prolongon, stërzgjatë, në kohë, qëllimshëm, për të paktën një dekadë, kur Evropa të jetë gadi, për ta pëfshirë brenda saj Ballkanin Perëndimor. Dhe, në këtë kuadër do të arrihet edhe pajtimi dhe njohja e ndërsjelltë Kosovë-Serbi. Si e tillë kjo "kornizë", nuk ofron zgjidhjen e pritur ndër vite, por përhapë mjegullnajë të qëllimshme. Njësoj si me "Ballkanin e hapur", Qeveria Kurti nuk duhet të humbasë kohë”, ka thënë analisti politik.

“Kjo na kujton letërkëmbimin e Jusuf Gërvallës (tani, Hero i Kosovës), me Ever Hoxhën, në vitet `80-a, i shkruan Enverit, "si do të zgjidhet çështja e Kosovës"? Dhe stalinisti i Tiranës, Enveri, përgjigjet: "Çështja e Kosovës do të zgjidhet, me fitoren e Revolucionit proletar, në shkallë botërore!" Dhe, Gërvalla bën pyetjen dyshuese: "Po sikur ky Revolucion të mos vijë kurrë?!" Dhe, në vend të përgjigjës, Gërvalla u fut në rrethin e kuq të survejimit, përgjimit! Ndërkohë, "diplomatët" sigurimsa të Hoxhës, kokëtonin miqësisht, me të dyshuarit për vrasjen e Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka”, ka shtuar Idriz Zeqiraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat