A është e përgatitur Kosova për t’u mbrojtur nga Serbia? / Këto janë veprimet që duhet të ndërmerr Qeveria!

Politika

A është e përgatitur Kosova për t’u mbrojtur nga Serbia? / Këto janë veprimet që duhet të ndërmerr Qeveria!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 9 tetor 2022 Në ora: 19:56
Qeveria e Kosovës

Lufta e krijuar në Ukrainë tashmë e tetë muaj ka arritur të sjell shqetësime serioze edhe në vendet e tjera të botës. E paprekur nga ky ndikim nuk është as Kosova.

E gjendur në këtë situatë Kosova ka ndërmarrë disa masa për sigurinë e vendit, duke mos lejuar vënien në pikëpyetje të sigurisë së qytetarëve.

Por, Kosova, edhe pas 14 vjet pavarësie, ka probleme me fuqizimin e sovranitetit dhe vënien nën kontroll të plotë të veriut.

Për këtë temë ka folur së fundmi edhe ish-komandanti i NATO-s, Wesley Clark.

Ai thotë se Kosova duhet ta forcojë sovranitetin e saj dhe ta kontrollojë pjesën veriore. Sipas tij, përveç çështjes së targave, ka edhe mënyra të tjera për ta treguar sovranitetin.

Situata në mes Kosovës dhe Serbisë është më ndryshe. Ajo që dua të them është se Kosova duhet ta forcojë sovranitetin e saj dhe ta kontrollojë pjesën veriore të vendit. Çështja e targave është një shembull i mirë për të treguar sovranitetin, por ka edhe metoda të tjera që mund të përdoren. Ndërsa, në Beograd, kemi një ambasador të madh, ai është Christopher Hill, i cili e kupton shumë mirë situatën. Ai ishte ambasador edhe në Maqedoni gjatë kohës së luftës 1998-1999. Ai është në vendin dhe momentin e duhur”, tha ai.

Po ashtu, Clark tha se dialogu Kosovë – Serbi duhet të ketë vazhdimësi, pasi siç tha ai, kjo do jetë në interesin e qytetarëve të Kosovës.

Se a ka rrezik për ndonjë luftë, Clark tha se duke ditur kapacitetet e NATO-s, kjo nuk e shqetëson aspak.

Gjithashtu edhe në Kosovë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë emëruar një ambasador të mirë. Pra, situata është më e sigurt në Kosovë, duke konsideruar edhe rolin e KFOR-it. Duhet të vazhdojë dialogu me Serbinë, edhe nëse ka shumë dallime e probleme. Kjo është edhe në interesin e qytetarëve të Kosovës. Nuk jam shumë i shqetësuar për Ballkanin, sepse e di që NATO-ja është aty për të intervenuar shpejt nëse shkaktohen trazira. Fjalët për luftë nuk më shqetësojnë, sepse i di kapacitetet e NATO-s”, deklaroi Clark.

Batusha: Forcimi i sovranitetit bëhet duke luftuar krimin e organizuar në të gjithë territorin

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur deputeti nga radhët e LVV-së, Agon Batusha.

Image
Agon Batusha

Ai u shpreh se forcimi i sovranitet bëhet duke luftuar krimin e organizuar në të gjithë territorin, në veçanti në veri të vendit.

Sipas tij konfiskimet, arrestimet e shumta janë shenja që nuk ka kompromis ndaj krimit dhe korrupsionit.

Forcimi i sovranitetit bëhet duke luftuar krimin e organizuar në të gjithë territorin, e në veri në veçanti për shkakun e amnistisë së deritanishme që ka ndodhur nga qeverisjet e kaluara. Zbatimi i rendit dhe ligjit të Republikës, duhet të jenë prioritet për secilin institucion dhe atë në të gjithë territorin, e kjo Qeveri e ka dëshmuar pikërisht këtë.

Kemi bërë me dhjetëra aksione policore. Konfiskime dhe arrestime. Janë gjetur armë, substanca narkotike, mallra kontrabandë, e shumë mjete dhe shkelje të tjera. Po ndërtohen nënstacionet policore dhe janë mbyllur rrugët ilegale që janë përdorur nga krimi i organizuar. Janë bërë edhe shumë veprime dhe shumë të tjera do të bëhen. Nuk ka kompromis ndaj krimit dhe korrupsionit”, u shpreh ai.

Deputeti më tej, thotë që ushtrinë po e ngrisim dhe forcojmë në koordinim dhe në përputhje me standardet më të larta të NATO-s.

E kuptojmë që nuk është e lehtë pas 20 vitesh liri të veprimit, të krimit të organizuar në atë pjesë të Republikës. Me amnisti dhe me mbështetje të ndryshme politike, krimi ka lulëzuar. Me hapa të kujdesshëm, por me vendosmëri do të arrihet që edhe në pjesën veriore të kemi rend dhe ligj, gjë që po kërkohet edhe nga vetë qytetarët tanë atje. Ushtrinë po e ngrisim dhe forcojmë në koordinim dhe në përputhje me standardet më të larta të NATO-s, dhe do të jetë e aftë të mbrojë integritetin territorial në rast nevoje”, nënvizoi deputeti Batusha për “Bota sot”.

Mehmeti: Qeveria duhet të fillojë bisedat me serbët lokalë, pastaj të bind ata se nëse jetojnë në Kosovë, sytë duhet t'i kthejnë kah Prishtina, e jo kah Beogradi

Ndërsa, analisti politi, Faton Mehmeti, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që Kosova duhet të vazhdojë partneritetin me SHBA-në dhe NATO-n.

Image
Faton Mehmeti

Fillimisht sipas analistit duhet të armatoset FSK-ja, e pastaj ta shtrijë sovarnitetin në tërë vendin.

Kosova duhet dhe mund t’ia arrijë ta shtrijë sovranitetin vetëm në partneritet me SHBA-në dhe NATO-n. Por, fillimisht duke forcuar me armatim FSK-në, e pastaj të mund të arrijë të shtrijë sovranitetin në tërë vendin. Fjalët e z.Klark janë shumë me peshë për atë çfarë ai përfaqëson, kështu që ky duhet të jetë sinjal për Kosovën që pa hezitur ta forcojë sovranitetin e saj”, tha analisti.

Ai në fund, shton që Qeveria duhet të fillojë bisedat me serbët lokalë, pastaj t’i bind ata se nëse jetojnë në Kosovë, sytë duhet t'i kthejnë kah Prishtina, e jo kah Beogradi.

Praktikisht, Qeveria duhet t’i fillojë bisedat me serbët lokalë, pastaj t’i bind ata se nëse jetojnë në Kosovë, sytë duhet t'i kthejnë kah Prishtina, e jo kah Beogradi. Pastaj, për ata gangsterë në veri, që bëjnë telashe, të shpallet arrest, kështu ngadalë duke shtrirë ndikimin. Mirëpo, pa forcë të madhe dhe moderne të FSK-së, si dhe pa koordinim me SHBA-nës’mund të bëhet“, përfundoi analisti Faton Mehmeti, për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat