Kërcënimi nga lufta bërthamore / Kosova pa panik ta ndërtojë një strategji të shpejtë për strehim, medikamente dhe ushqim

Politika

Kërcënimi nga lufta bërthamore / Kosova pa panik ta ndërtojë një strategji të shpejtë për strehim, medikamente dhe ushqim

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 10 tetor 2022 Në ora: 08:29
Ilustrim

Bota është alarmuar nga kërcënimet e presidentit rus, Vladimir Putin.

Vladimir Putin është ai i cili filloi pushtimin e plotë të Ukrainës, por, aktualisht nuk po ia del t’i mbajë të okupuara as katër rajonet kufitare për të cilat e shpalli aneksimin.

Që nga fillimi i shtatorit, tashmë një muaj, Ukraina ia ka dalur me sukses t’i çlirojë disa pjesë të rajoneve, sidomos në pjesën lindore, por edhe atë jugore, duke e kaluar shifrën e mbi 10 mijë km katrorë të çliruara.

Në ndihmë të Ukrainës kanë dalur vendet demokratike ndër to ato me ndikim më të madh në botë, si SHBA-ja e vendet e BE-së, duke i ndihmuar me armatim dhe duke ndarë miliona dollarë për të.

Si kundërpërgjigje për këtë Putin vazhdon të kërcënojë se do të përdorë armët bërthamore në rast se vazhdon kështu.

Derisa, për këtë ka pasur reagime të shumta, duke e dënuar si deklaratë, madje edhe presidenti amerikan Joe Biden.

Por, sa është e përgatitur Kosova në rast të shpërthimit të armëve bërthamore.

Njohësit e këtyre çështjeve deklarojnë se Kosova nuk është e përgatitur në rast të një lufte bërthamore, por që duhet të përgatitet pa shkaktuar ndonjë panik të qytetarët dhe të ndërtojë strategji me aleatët në mbrojtje të popullit.

Shala: Kosova nuk është e përgatitur në rast të ndonjë lufte bërthamore

Image
Drizan Shala

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një përgjigje për “Bota sot”, deklaron se Kosova nuk është e përgatitur në rast të ndonjë lufte bërthamore.

“Kosova në një rast të ndonjë lufte bërthamore në aspektin infrastrukturor nuk është e përgatitur. Për arsye që as niveli qendror, por edhe ai lokal (në hartimin e planeve emergjente në harmonizim me planin urbanistik) nuk kanë vepruar”, thotë ai.

Sipas tij, Kosova me ministritë përkatëse duhet sa më shpejt të veprojnë që t’u ofrojnë qytetarëve masën mbrojtëse.

Tutje, Shala potencon se bota po hynë në një fazë më të rrezikshme që nga lufta e ftohtë.

“Kosova (Ministria e Mbrojtjes, Shëndetësisë, Punëve të Brendshme) duhet sa më parë të veprojnë në përmbushjen e nevojave teknike për një rast të kontaminimit bërthamor duke u ofruar të gjithë qytetarëve masën e parë preventive.

Bota është duke hyrë në një fazë tejet të rrezikshme që nga lufta e ftoftë, duke bllokuar çdo lëvizje ekonomike, politike dhe duke u fokusuar në mbrojtje dhe siguri në prag të përballjes eventuale bërthamore”, përfundoi eksperti Shala.

Halimi: Kosova pa panik të ndërtojë strategji me aleatët tanë për strehim, medikamente dhe ushqim

Image
Armend Halimi

Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë (ISS), thotë se armët bërthamore dihet se janë rrezik shumë i madh, por nëse do të ndodhte përdorimi i tyrelufta do të përfundonte pa fitues.

“Vet ekzistenca e armëve bërthamore është rrezik për njeriun. Kurse rritja e potencialit të tyre perceptohet varësisht deklaratave të liderëve botëror që i disponojnë ato. Mirëpo, edhe pse ka pasur kërcënime në mënyrë sporadike për përdorim të tyre, sidomos gjatë luftës së ftohtë në krizën e Kubës, megjithatë, një luftë bërthamore siç edhe thuhet do të ishte pa fitues, njëherit të gjithë humbës, e bënë që në përdorim të tyre të ketë këso kalkulimesh.

Deri më tani disponimi i disa shteteve të këtyre armëve, si SHBA-ja, Rusia, Kina, India, Pakistani, Franca dhe Izraeli ka mbajtur siç dihet terrori balancuar, porse rreziku potencial i përdorimit në këtë kohë vihet edhe nga vet deklarata e presidentit të superfuqisë së vetme SHBA-së, i cili tërheq vërejtjen për një luftë të tillë, e që konsideroj se në rast se ndodh, bota nëse shpëtohet, do të riciklojë për nga njerëzimi, shkatërrimi do të jetë i paimagjinuar, ngase nisja e cilit do vend me përdorim të këtyre armëve, si në formë virusi do të shpërndahej apo nxiste vendet tjera që i posedojnë ato t'i përdorin”, shpjegon Halimi.

Ai si mbrojtje për këtë e sheh SHBA-në, për të cilën thotë se mund ta ndalë një sulm të tillë, pasiqë ka ideuar planin për një gjë të tillë duke përdorur avion me laser për rrëzimin e kokave bërthamore ende pa u nisur.

Ai shton, se vendi ynë pa panik duhet të ndërtojë strategji të shpejt për strehim, medikamente dhe ushqim.

“Fati për një mbrojtje nga ky lloj sulmi është tek SHBA-ja, e cila kishte ideuar planin mbrojtës para ca kohësh, nëpërmjet të cilit, do të lëshoheshin 7 avionë laser, me mundësi mburoje globale brenda 24 orësh si dhe rrëzim të këtyre armëve në vendnisje.

Kurse për masa mbrojtëse konsideroj se shteti duhet pa shkaktuar panik të ndërtojë strategji të shpejtë me aleatët tanë për strehim, medikamente dhe ushqim, gjithherë me një vetëdijesim paraprak të qytetarëve se si duhej vepruar, duke ndjekur konstruksionet nga aleatët se kur dhe si duhet ndërmarr masa”, deklaron ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat