Lufta e opozitës me Albin Kurtin/ A ka rrezik për zgjedhje të reja në Kosovë?

Politika

Lufta e opozitës me Albin Kurtin/ A ka rrezik për zgjedhje të reja në Kosovë?

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 10 tetor 2022 Në ora: 10:12
Kryeministri, Albin Kurti

Javën e fundit, skena politike në Kosovë është karakterizuar më një përplasje të ashpër mes kryeministrit, Albin Kurti dhe opozitës në Kosovë, si dhe SBASHK-ut.

Krejt kjo për shkak të grevës së nisur në arsim, si dhe refuzimit të Qeverisë për mos ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit, të cilët për plot një muaj ishin në grevë.

E kundër vendimit të kryeministrit Kurti, përveç opozitës dolën edhe tre deputetë të pozitës, Eman Rrahmani nga Vetëvendosje dhe Jeta Statovci e Haxhi Avdyli nga partia Guxo, e cila është në koalicion me Vetëvendosjen.

Por, të premten Qeveria i ekzekutoi thuajse të gjitha pagat për mësimdhënësit.

Kritika për qeverinë Kurti, gjatë javës së fundit pati edhe ish numri dy i qeverisë Kurti 1, Haki Abazi, i cili tani është deputet i Vetëvendosjes, sipas të cilit duhet të ndryshojë qasja ndaj dialogut me Serbinë.

Luftë mes dy klasave politike

Krejt kjo, sipas doktorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçit, është një luftë e hapur ndërmjet dy klasave politike në Kosovë.

Image
Gurakuç Kuçi

Beteja e tanishme nuk është ndërmjet klasës politike, por dy klasave të ndryshme politike. Këto dy klasa politike janë në një betejë, secila për mbijetesë. Klasa që janë tani në opozitë e kanë jetike rikthimin në pushtet sa më parë, ndërsa klasa, e cila është në pushtet e ka jetike ruajtjen e pushtetit dhe të dëshmojë që di të punojë. Këta të fundit nëse nuk e bëjnë këtë, do largohen me kokë ulur dhe do ua mundësojnë opozitës së tanishme të rikthehen si triumfalist dhe të falur nga të gjitha mëkatet e së kaluarës”, thotë Kuçi për “Bota sot”.

Duke parë kundërshtimin e dy deputetëve të Guxo ndaj vendimit të Kurtit, Kuçi thekson se Guxo mund të largohet nga koalicioni qeverisës dhe t’i bashkohet LDK-së.

Por, klasën politike, e cila është në pushtet më së shumti e dëmton koalicioni jonatyral. Lëvizja Vetëvendosje dhe Guxo nuk kanë asgjë të përbashkët nga ideologjia dhe bashkimi i tyre politik, pasi ka qenë çështje momentumi për avantazh më të madh elektoral. Partia Guxo duke qenë një listë e dalë nga LDK-ja lehtë do të joshet që shumë njerëz të saj të kthehen në LDK apo në ndonjë subjekt tjetër. Kjo për faktin se të gjithëve nuk mund t’u plotësohen apetitet politike për përfitime, dhe po ashtu Guxo nuk është një subjekt që ka një të ardhme të qartë apo ka para, që tani të mbajë njerëz, e po ashtu nuk ka aftësi të krijojë një kauzë që të mbajë rreth vetës njerëz sikur LVV-ja”, shprehet Gurakuç Kuçi.

Sipas tij, po ashtu të gjitha partitë po kalkulojnë për vota dhe se nuk po tregohen shumë besnik ‘ndaj luftës të cilën e proklamon Qeveria’.

“Kjo tregon një fakt interesant se z. Kurti në cilëndo cilësi që ka qenë, ka treguar gatishmëri çdo herë që të mbrojë anëtarët e tij, por që nuk po i rikthehet shumë herë e njëjta gjë. Kjo mund t’i bie që shumë herë z. Kurti mund të ketë gabuar kur ka zgjedhur persona të caktuar”, shpjegon më tej doktor Kuçi.

Për fund, ai thotë se Vetëvendosje është në rrezik që ta humb shumicën parlamentare në Kuvend, pasi në treg mund të futen shuma të majme parash për blerjen e deputetëve.

Telashet e tilla po rrisin vullnetin për kalkulime politike joparimore dhe këto lëkundje do fusin në treg politik edhe më shumë para për blerje të deputetëve, deri në humbjen e shumicës nga LVV-ja. Një gjë e tillë është provuar edhe më herët ndal LVV-së kur patën dalur mbi dhjetë deputetë dhe tani po përsëritet e njëjta strategji”, përfundon doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

Nëse Guxo përçahet, vendi shkon në zgjedhje

Për komentuesin Faton Mehmeti, opozita në Kosovë nuk është e përgatitur ende për zgjedhje, pavarësisht përplasjeve të vazhdueshme me pozitën.

Image
Faton Mehmeti

Përplasjet nuk mund ta çojnë vendin në zgjedhje, e kjo ndodh vetëm nëse pozita e humb shumicën në Kuvend. Derisa e ka shumicën nuk pritet të ketë zgjedhje, për të cilën duket se asnjëra palë nuk është e interesuar. Aq më pak është opozita, e interesuar që ta zgjasë qëndrimin në opozitë, pasi e di se i humb zgjedhjet në rrethanat aktuale”, shprehet Mehmeti.

Sipas tij, vetëm nëse krijohen përçarje mes Vetëvendosjes dhe partisë Guxo, atëherë vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja.

“Nëse partia Guxo ka përçarje kjo mund ta çojë vendin në zgjedhje, me ata deputetë të vetëdijshëm se mund të mos fitojnë mandatin e deputetit. Me pak fjalë, aktualisht nuk shoh zgjedhje, askush nuk është i gatshëm për ta sfiduar vetën para qytetarëve të vetëdijshëm se VV-ja, del përsëri e para”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat