Në pritje të liberalizimit të vizave, cili do të jetë vendimi pas tre ditësh në Këshillin Europian?

Politika

Në pritje të liberalizimit të vizave, cili do të jetë vendimi pas tre ditësh në Këshillin Europian?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 10 tetor 2022 Në ora: 11:52
Foto ilustrim

Ҫështja e liberalizimit të vizave e përmendur aq gjatë dhe që ka marrë aq shumë kohë, duket se më në fund po zgjidhet, madje mendohet se një vendim pozitiv do të merret së shpejti. Edhe krerët më të lartë të shtetit e kanë përmendur mundësinë e liberalizimit të vizave nga BE-ja, në një datë të afërt.

Kështu, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nga Praga ku po mbahej samiti i Komunitetit Politik Europian ka shprehur optimizmin për liberalizmin e vizave.

Ashtu siç ju kam njoftuar edhe me datën 23 qershor, kur isha prezente në Samitin e Bashkimit Evropian, mendoj se kthesa ka qenë pikërisht në atë takim. Aty kam pasur mundësinë të diskutoj me shumicën dërrmuese të liderëve të Bashkimit Evropian, përfshirë ata që deri në ato momente ishin hezitues”, tha Presidentja Osmani.

Osmani tha gjithashtu që gjatë qëndrimit në Pragë ka takuar mbi 25 liderë, disa prej të cilëve vendimtarë për heqjen e vizave për Kosovën.

“Kjo, në masë të madhe, është edhe çpër faktin] se është krijuar një momentum i ri në Evropë, ku BE-ja dëshiron t’i kryejë detyrat e veta, sa u përket shteteve që aspirojnë të jenë pjesë e BE-së dhe e sheh këtë edhe si interes strategjik të vetë saj, por, mbi të gjitha, për shkak të reformave që janë ndërmarrë, në këtë një vit e gjysmë, në fushën e sundimit të ligjit. Pra, të gjitha këto përmenden si argumente kryesore përse BE-ja dëshiron që të japë një sinjal pozitiv, një dritë të gjelbër në raport me Kosovën në veçanti, por edhe me rajonin në përgjithësi”, ka thënë ajo.

Lidhur me këtë ҫështje, ka folur edhe njohësi i politikës së jashtme, Shqiprim Pula, se a janë krijuar mundësitë për liberalizim të vizave dhe sa afër është kjo ҫështje.

Shqiprim Pula: 13 tetori të jetë fillimi i një fundi të një procesi të shumë zgjatur

Ai thotë se takimi i Këshillit të BE-së që pritet të mbahet pas tri ditësh, duhet të jetë fillimi i këtij procesi të stërzgjatur.

Image
Shqiprim Pula

Takimi i planifikuar më 13 tetor i Këshillit të BE-së, dhe shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit Europian mbi heqjen e regjimit të vizave, duket të jetë fillimi i një fundi të një procesi të shumë zgjatur dhe të mundimshëm poashtu. Nuk duhet harruar që nga 2018-ta kur Komisioni Europian kishte rekomanduar zyrtarisht heqjen e regjimit të vizave, Këshilli Europian si timonier i Unionit por edhe Këshilli i Ministrave nuk lëvizën hapin në mungesë të vullnetit politik për të heq izolimin e qytetarëve të Kosovës gjeografikisht Europiane, por të aneksuar politikisht, ngaqë e izoluan Kosovën, dhe u mohuan qytetarëve të saj parimin bazë, atë të qarkullimit të lire”, thekson ai.

Njohësi Shqiprim Pula thotë se, BE përfundimisht duhet t’i jap fund kësaj padrejtësie, ndërsa meritorë në këtë rast janë administrata shtetërore dhe durimi qytetarë.

Andaj, Unioni Europian duhet përfundimisht ta përmirësojë qasjen dhe t'i jap fund një padrejtësie të paktën prej 2018-tës e këndej. Po ashtu, nuk duhet harruar kjo është meritë e administratës shtetërore dhe e durimit qytetarë”, thekson ai.

Mulliqi: Ka shumë gjasa që qytetarët e Kosovës pas një izolimi të gjatë, më në fund të udhëtojnë lirshëm

Ndërkaq njohësi i ҫështjeve politike, Skënder Mulliqi sa i përket kësaj ҫështje, thotë se, edhe presidentja Vjosa Osmani, por edhe kryeminstri Albin Kurti pas takimeve më burrështetas vendimarrës të Evropës, kanë paralajmëruar që më 13 tetor, ka shumë gjasa që qytetarët e Kosovës pas një izolimi të gjatë, më në fund të vendoset, që të udhëtojnë lirshëm për në vendet e BE-së.

Image
Skënder Mulliqi

Dihen pengesat e deritashme që ishin në këtë rrugëtim, mospërgjegjësia dhe mospuna e duhur e ish pushteteve të kaluara të Kosovës, në përmbushjen e të gjitha kushteve të kërkuara nga BE-ja, që sjellin liberalizmin e vizave. Kosova më në fund i ka përmbushur obligimet e dala nga BE-ja, dhe më të drejtë presim që më 13 tetor të merret vendimi për liberazim apo të jemi shumë më afër se deri më tash”, thekson ai.

Mulliqi tutje thotë se, edhe para disa muajve menduam se do të kemi liberalizim të vizave, por Franca dhe Holanda ishin skeptike në këtë drejtim, e tash mendoj se nuk do të janë pengesë që Kosova si i vetmi shtet në rajon të mbetet edhe më tutje pa liberalizim të vizave.

Nganjëherë vijn në shprehje edhe si faktori kohë, prandaj BE-ja besohet që do të jetë konstruktive në këtë drejtim. Dihet se shtetet më të angazhuarat që Kosova të ketë liberalizim janë Gjermania dhe Austria. Unë mendoj se një shtysë që BE-ja ta përmbyllë këtë kapitull për vizat edhe për Kosovën, ishte lufta në Ukrainë. Si duket kësaj radhe nuk do të vjen më në shprehje kushtëzimi me dialogun Kosovë–Serbi, gjë që ishte indikator që nuk erdhëm te heqja e vizave. Tjetër. Firmosja e marrëveshjes ndërmjet shtetit të Rusisë dhe të Serbisë, e ka shpejtuar më duket mua këtë proces. BE-ja po dëshiron së bashku me Amerikën që Kosovën ta fus më shpejtë në gjirin e saj, duke e inkuadruar edhe në organizmat relevant ndërkombëtar, kështu edhe në Këshillin e Evropës. Edhe nëse merret vendimi, do të kalojnë edhe disa muaj për udhëtim të lirshëm në Evropë. Lëvizjen e lirë për qytetarët e Kosovës, me shumë mundësi do ta kemi në fillim të vitit vijues. Derisa kjo çështje është në agjendë nuk besoj se do të ketë bllokim të procesit nga dikush prej 27 shteteve të BE-së”, vlerëson Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat