AAK-ja kërkon dorëheqjen e qeverisë Kurti/ Ironizojnë me të: Nuk është as parti politike – ky është problemi i Ramushit!

Politika

AAK-ja kërkon dorëheqjen e qeverisë Kurti/ Ironizojnë me të: Nuk është as parti politike – ky është problemi i Ramushit!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 11 tetor 2022 Në ora: 08:07
Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është një nga partitë opozitare që më së shumti adreson kritika dhe akuza ndaj qeverisë Kurti.

Kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj nuk ngurron shpesh që të bëjë akuza në drejtim të kryeminsitrit Kurti, ndonëse në të kaluarën ishte i hapur të bashkëpunonte me të.

Jo rrallëherë, që nga marrja e mandatit qeverisës nga Kurti, është kërkuar dorëheqja e tij nga përfaqësuesit e AAK-së.

Së fundi, një gjë të tillë e kërkoi nënkryetari i kësaj partie politike, Pal Lekaj.

Ditë më parë, ai deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje është më mirë të heq dorë nga pushteti se sa të provokojë qytetarët sikurse në rastin me vonesat në procedimin e pagave për mësimdhënësit.

Mirëpo, ende nuk dihet se pse kjo parti po kërkon aq me ngul dorëheqjen e qeverisë, marrë parasysh se LDK dhe PDK janë deklaruar hapur se nuk e kanë për qëllim rrëzimin e kësaj qeverie.

Elezaj: AAK-ja më shumë i ngjanë një organizate lokale, se sa një partie politike

Lidhur me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli opinionisti Rexhep Elezaj.

Image
Rexhep Elezaj

Fillimisht, ai u shpreh se AAK-ja më shumë i ngjan një organizate lokale, se sa një subjekti politik.

Sipas tij, kjo parti nuk shquhet as për ndonjë projekt të madh kapital kombëtar që e ka realizuar në planin e shtet-ndërtimit të Kosovës, madje as nuk arriti të profilizohet

“Thënë të vërtetën, AAK-ja më shumë i ngjanë një organizate lokale, se sa një partie politike, sepse që kur Kosova është bërë shtet i pavarur (2008), ky subjekt partiak asnjëherë nuk arriti t’i fitojë më shumë se 12-13% të votave të elektoratit, dhe atë kryesisht në trevën e Dukagjinit, nga vjen lideri “historik” i saj, Ramush Haradinaj..!

Mbase, AAK-ja nuk shquhet as për ndonjë projekt të madh kapital kombëtar që e ka realizuar në planin e shtet-ndërtimit të Kosovës, madje as nuk arriti të profilizohet, as si grupim i majtë, e as si i djathtë, duke mbijetuar në koalicione qeverisëse, herë me LDK-në, herë me PDK-në, gjithnjë si vagon i fundit në kompozicionin e trenit të këtyre dy partive, duke u rropatur brenda qenies së vetë identitare, të cilin nuk po arrin ta gjejë sot e kësaj dite në horizontin e politikës sonë”, deklaroi opinionisti.

Madje, Elezaj vlerësoi se AAK-ja dhe lideri i saj, pa i zgjedhur mjetet e duhura kanë kërkuar që të arrijnë në pozitë të lartë në hirearkinë e skenës politike në vend.

“Siç më duket mua, AAK-ja duke qenë vazhdimisht në kërkim të vetvetes dhe arritjes së pozitës së saj sa më lartë në hierarkinë e skenës politike në Kosovë, pa i zgjedhur mënyrat dhe mjetet adekuate për t’u bërë faktor kredibil politik në Kosovë, ajo dhe lideri i saj gjithnjë e kanë huqur cakun e synuar - piedestal për shumë arsye, të cilat nuk ka ditur t’i korrigjojë në fondamentin e saj politik dhe juridik, gjithnjë duke bërë gabime në hapa si dhe në planin e hartimit të konceptit të mirëfilltë politik, partiak dhe kombëtar”, theksoi ai.

Më tutje, opinionisti tha se ndjenja e inferioritetit ndaj subjekteve tjera politike, e ka nxitur AAK-në që të marrë veprime të nxituara dhe të shfaq ambicie për ta rrëzuar Qeverinë.

Prandaj, në këtë vazhdë si dhe në rrugën e saj për të mbijetuar si subjekt politik dhe parlamentar në konstelacionin e rrjedhave të bujshme politike në Kosovë, jam i bindur se ndjenja e inferioritetit dhe numrit të vogël të anëtarësisë, e ka bërë që të ndjehet e përbuzur nga partitë tjera, realitet ky i cili AAK-në e ka nxitur gati gjithëherë që të ndërmerr veprime të nxituara me qëllim që të lirohet nga të qenit parti minore, më së shpeshti duke e shpërfaqur ambicien megalomane për rrëzimin e qeverive, gjegjësisht për ardhjen e saj me çdo kusht në pushtet.

Madje, në zgjedhjet e vitit 2017 për fatin e saj të çuditshëm, ia doli të bëhet pjesë e Qeverisë, bile lideri i saj arriti të bëhet edhe kryeministër i Kosovës falë “mëshirës” së H. Thaçit dhe PDK-së, por edhe Listës serbe, por i cili për shkak të mungesës së vizionit politik, mungesës së programit inventiv qeverisës si dhe shfaqjes së muskujve prej “Rambos” para zyrtarëve të BE-së, qe detyruar të jepte dorëheqje, pa i bërë as dy vite në pushtet..!?”, nënvizoi Elezaj.

Ndër të tjera, ai shtoi se ‘urrejtja’ e Haradinajt ndaj Kurtit vjen edhe nga një poentë tjetër siç e cilësoi ai, nga terreni i konkurrencës dhe mos-durimit personal, për shkak të liderizmit dhe prestigjit.

Në kuadër të pyetjes tuaj, se pse AAK-ja është gjithnjë e motivuar që të nxis turbulenca, polemika, ngritje të temperaturave politike në Kuvend dhe jashtë tij, duke përdorur fjalorë të ashpër deri në ofendime personale ndaj Qeverisë aktuale në pushtet, mendoj se përgjigja në pyetjen tuaj kërkon një analizë më të gjerë, sidomos kur të merren parasysh faktorët dhe motivet, të cilat e quan liderin e saj të formojë parti politike, kur e dimë të gjithë se ai vinte nga spektri ushtarak dhe jo ai politik.

Ndërsa, sa i përket shkeljeve të mundshme ligjore dhe frikës së arrestimeve të oligarkëve brenda këtij subjekti partiak, ose për shkak të pamundësisë për t’i mjelë edhe më tutje asetet financiare dhe ekonomike të vendit, mendoj se problemi i pakënaqësisë së AAK-së kundrejt qeverisjes aktuale të A. Kurtit, nuk qëndron vetëm në këtë poentë, por para së gjithash, në terrenin e konkurrencës dhe mos-durimit personal, për shkak të liderizmit dhe prestigjit individual në popull, gjë që për këtë lloj “patriotizmi” të llojit të bajraktarizmit shqiptar, mund të sillen mjaft dëshmi, sepse bëhet fjalë për egocentrizëm lokalist dhe primitiv personal, dukuri për të cilën para njëqind e sa viteve ka folur eruditi i kombit shqiptar, Faik Konica..!?”, përbylli Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

Zogaj: Kur kërkon rrëzim, duhet treguar pse dhe çfarë pas rrëzimit!?

Ndërsa, opinionisti tjetër Skënder Zogaj tha se logjika politike ka degraduar shumë prandaj edhe Kosova po kalon çaste të vështira krize!

Image
Skënder Zogaj

Dëshira dhe synimi kryesor i opozitës, gjithmonë është rrëzimi i qeverisë, prandaj, si e këtillë duhet kuptuar edhe kërkesën e AAK-së, por edhe partive të tjera opozitare, që rrëzimin e qeverisë Kurti kanë filluar ta kërkojnë ende pa qenë mirë e konstituar!? Për fat të keq, logjika politike ka degraduar shumë prandaj edhe Kosova po kalon çaste të vështira krize”, deklaroi ai në një bashkëbisedim me “Bota sot”.

Krahas kësaj, Zogaj nuk e mbështeti kërkesën e opozitës për ta rrëzuar qeverinë Kurti.

Kjo, pasi sipas tij Qeveria nuk e ka përfunduar as gjysmën e mandatit dhe ende i duhet kohë që të mund të vlerësohet suksesi ose mos suksesi i saj.

Për hirë të së vërtetës, duhet të themi se, kjo krizë që po i adresohet Qeverisë Kurti, nuk është vetëm e saj, por është edhe e opozitës së tashme, e cila dihet se e ka humbur pushtetin nga mos sukseset. Pra, edhe opozita është fajtore dhe, nuk ka shumë të drejtë kur me gjaknxehtësi kërkon rrëzimin e qeverisë Kurti, e cila ende nuk e ka kryer as gjysmën e mandatit dhe ende i duhet kohë që të mund të vlerësohet suksesi ose mossuksesi i saj”, potencoi opinionisti.

Në fund, ai kërkoi nga AAK-ja se çfarë synon të arrijë me rrëzimin e Qeverisë dhe çfarë e ka ndërmend të bëjë.

“AAK-ja nuk prish punë që po kërkon zëshëm rrëzimin e Qeverisë, por krahas rrëzimit duhet të tregojë më qartë, pse dhe çfarë kanë ndërmend të bëjnë, nëse, eventualisht AAK-ja do të arrinte të bëhej pjesë e pozitës. Kur kërkon rrëzim, duhet treguar pse dhe çfarë pas rrëzimit?”, përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat