Kush po e pengon hetimin e SHIK-ut? Kërkesa për Vetëvendosjen dhe LDK-në

Politika

Kush po e pengon hetimin e SHIK-ut? Kërkesa për Vetëvendosjen dhe LDK-në

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 11 tetor 2022 Në ora: 11:57
Foto ilustrim

Sa ishte në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje kishte marr iniciativën për formimin e një komisioni hetimor, i cili do të merrej me hetimin e veprimtarisë së SHIK-ut të Kadri Veselit, organizatës famëkeqe në Kosovë, e cila edhe publikisht është akuzuar se qëndron prapa vrasjeve politike që kanë ndodhur në Kosovë. Në atë kohë, sipas Vetëvendosjes një gjë e tillë nuk ndodhi, pasi Lidhja Demokratike e Kosovës nuk i kishte dhënë votat pro formimit të këtij komisioni.

Por, tani kur është në pozitë, është Lëvizja Vetëvendosje, ajo e cila nuk po e përkrah hetimin e SHIK-ut. Së paku kështu ka thënë deputeti i kësaj partie, Haki Abazi, sipas të cilit, Vetëvendosje, nuk e ka përkrahur në iniciativën e tij për hetimin e ShIK-ut, shërbim i cili ishte udhëhequr nga Kadri Veseli.

“Nuk ka vullnet te kryesuesja që mos mi majt as minutat e takimeve, është vështirë me thanë që nuk janë realizu, unë kam iniciuar themelin e komisionit për privatizim që nuk është pranu, kam iniciuar komisionin për hetime ndaj SHIK-ut s’ka qenë politikë elektorale, por përmbajtjesore për me ec para… Këto janë të mjaftueshme për të qenë i sinqertë me votuesit, ta bëjë të qartë se s’mund të jem i heshtur e as spektator kur debati nuk përfshin impute e nuk ka përgjigje për çështje që mbesin pezull për një kohë të gjatë”, ka deklaruar deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi.

Por, një deputet tjetër nga Grupi Parlamentar i VV-së, thotë se një gjë e tillë nuk është diskutuar.

“Po si jo more, jam pro hetimit të SHIK-ut. Unë nuk e vlerësoj personin që përmendni ju! Unë sa kam qenë në mbledhje nuk është biseduar për një çështje të tillë, por, ka edhe mbledhje që s’kam qenë prezent”, ka deklaruar për gazetën “Bota sot” Burim Meta, deputeti i partisë Guxo, e cila është në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

Image
Burim Meta

SHIK-u duhet të “goditet” nga gjykata speciale

Kurse kryetari i degës së LDK-së në Gjermani, Osman Ferizi, thotë se SHIK-u duhet të jetë target i Gjykatës Speciale, e jo i Kuvendit të Kosovës.

Image
Osman Ferizi

“Kërkesa nga deputeti i VV-së, Haki Abazi mund të jetë qëllim-mire për formimin e Komisionit Parlamentar për hetimin e SHIK-ut, por dihet deri kur dhe sa mundet, ajo mbetet vetëm një konstatim, dhe tjetra që SHIK-u nuk ishte një organizatë legale dhe nuk është themeluar nga institucione legale të shtetit, andaj nuk mund ta bëjë Parlamenti me asnjë komision. Ai hetim do të duhej të ishte target i prokurorisë speciale të Dardanisë apo i gjykatës speciale, ndryshe do të del ide dhe iniciativë e pasuksesshme”, shprehet Ferizi.

Ai thotë se nuk është kapur nga drejtësia në Kosovë, askush nga ‘vrasësit bastard’ dhe urdhërdhënësit e vrasjeve politike, e as ata që e zhvatën dhe e degraduan Shtetin. Sigurisht se e ka parasysh se çfarë ka bërë gjykata speciale.

“Kush nga kapot e pasurimit e krimit u dënua për këto 22-vite, cila gjykatë, apo prokurori e hetoi dhe vlerësoi pasurinë e Hashimit, Limajt, Ramushit, Lushtakut, R. Selimit, A. Sylës, I. Reçices… të cilët kanë ndërtuar e blerë vila, kulla, xhipa të blinduar, orë rolex, truprojë, kostume kashmir… deri më tani nga gjykatat tona të kapura nga politika mafioze është dënuar ndonjë kurir, ndihmës, por jo vrasësit bastard dhe urdhërdhënësit e vrasjeve politike po as ata që e zhvatën dhe e degraduan Shtetin. Fare nuk ndiej keqardhje për të akuzuarit e Hagës, ndiej keqardhje për familjaret e atyre që u vranë padrejtësisht jo nga Serbia, por nga shqipfolës të shitur e mercenar, ju humbët fara këtyre!”, shprehet Ferizi.

Sipas tij, përveç hetimit të SHIK-ut, në projektligjin për byronë shtetërore për verifikimin e pasurisë dhe konfiskimin, duhet të përfshihet edhe verifikimi i fondeve të luftës.

“Çështja e krijimit të Projektligjit për byronë shtetërore për verifikimin e pasurisë dhe konfiskimin duhet të përfshijë edhe verifikimin e fondeve të luftës dhe të fillojë nga periudha 1999 deri më sot, nuk guxon të ketë amnisti në asnjë periudhë. Po ashtu Parlamenti i Dardanisë duhet t’i zhbëjë të gjitha ligjet e Serbisë nga 28 shkurti i vitit 1989, e cila kishte suprimuar dhunshëm sistemin autonom të Kosovës dhe të gjitha pronat e dhuruara kishave dhe ndërmarrjeve serbe do t'i ktheheshin qytetarëve”, deklaron Ferizi.

Hezitimi i Kurtit

Por, se është i domosdoshëm hetimi i veprimtarisë së SHIK-ut, e thotë profesor, doktor Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

“Komisionet hetimore parlamentare nuk janë zgjidhje e problemeve që ato shqyrtojnë ose hetojnë. Madje Çurçilli thoshte se nëse do që një problem të mos e zgjidhësh, krijo një komision parlamentar. Por, iniciativa të tilla si ato të Haki Abazit mendoj se janë të dobishme. Ngritja e një komisioni parlamentar për të hetuar SHIK-un është ndihmë për të nxit mekanizmat e tjera të shtetit për të ndëshkuar paligjshmërinë. Një komision parlamentar hetimor, nëse nuk pranohet nga disa deputetë ose një fraksion deputetësh, kjo i shton dyshimet se çështja në fjalë është zhvilluar në paligjshmëri”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas tij, ata që janë kundër hetimit të SHIK-ut, atëherë janë automatikisht të dyshuar si të përfshirë në afera kriminale.

“I parashtrova disa prej arsyetimeve të veprimtarisë së SHIK-ut në Kosovë për të thënë se ideja e Haki Abazit për hetimin e tyre parlamentar e përtej parlamentit është një domosdoshmëri. Ata që e kundërshtojnë iniciativën e tij besoj se ose janë kukulla politike në parlament, ose cenohen nga hetimi përkatës, sepse mund të jenë përgjegjës për akte joligjore e ndoshta edhe kriminale”, shprehet Bytyçi, i cili shton se është i habitur me hezitimin e kryeministrit Kurti.

“Është për t'u habitur pse kryeministri heziton! Ndoshta ka presion nga një ose disa deputetë të Vetëvendosjes, të cilët e shohin veten të rrezikuar nga një hetim i tillë. Ndoshta për shkak se kërkon një ekuilibër politik për shkak të mos acarimit të situatës politike. Mbetet për t'u parë. Por, një komision parlamentar i tillë duhet mbështetur edhe nga deputetët e partive të tjera politike. Sidomos nga ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kush nuk e ka mizën nën kësulë duhet të votojë hetimin e veprimtarisë së SHIK-ut dhe duhet t'i bëjë presion prokurorisë e gjykatës që të hetojë këtë organizatë ilegale!”, deklaron për “Bota sot”, prof.Dr. Enver Bytyçi.

SHIK-u brenda Vetëvendosjes?

Ndërsa analisti politik dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri hedh dyshime tek dikush tjetër në Vetëvendosje për pengimin e hetimeve ndaj SHIK-ut.

Image
Gani Qarri

“Fakti se sipas deputetit të shumicës parlamentare, Haki Abazi, Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk e ka mbështetur iniciativën e tij për hetimin e SHIK-ut, medoemos, duket që ndodhë për vet arsyen e thjeshtë se edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LVV-së Glauk Konjufca, është dëshmuar me kohë, se dikur ishte pjesëtarë i denjë i kësaj organizate gjysmë ilegale. Për aq më tepër Konjufca vetëm pak muaj më parë, në cilësinë e kryetarit të Parlamentit të vendit tonë, vizitoi edhe të arrestuarit nga Gjykata Speciale në Hagë ku gjendet edhe ish-udhëheqësi i SHIK-ut, duke vënë me aktin e tij nën presion të dyfishtë publik, jo vetëm koalicionin aktual qeverisës LVV-Lista Guxo, por edhe gjyqësinë e Dhomave të Specializuara në Hagë, veçanërisht me deklaratën e lëshuar veresie, se "Kjo gjykatë nuk është nën kontrollin e askujt!”, ani pse Gjykata speciale siç dihet, është themeluar dhe funksionon sipas ligjeve të Republikës së Kosovës”, thotë Qarri.

Sipas tij, brenda Vetëvendosjes ka anëtarë të SHIK-ut, të cilët janë sistemuar në këtë parti.

“Kështu që përderisa dihet se VV-ja brenda vetes ka anëtarët e SHIK-ut, dhe ata mendohet se kanë bllokuar edhe hetimet, ajo që nuk po arrihet të kuptohet nga opinioni i gjerë dhe mbarë qytetarët e Kosovës, është fakti se pse përkundër akuzave të rënda e të vazhdueshme dhe abuzimit me bëmat e SHIK-ut, nëpër fushata zgjedhore për vrasjet e pasluftës, as anëtarësia e LDK-së, asnjëherë jo vetëm që nuk ishte kompakte për hetimin e SHIK-ut, por përkundër britmave elektorale, nuk ndërmori kurrë vet inicimin e hetimit të SHIK-ut?!”, thekson Qarri.

Por a duhet dhe a do të jetë LDK-ja, ajo e cila duhet ta merr iniciativën për hetimin e SHIK-ut?

“Pas dorëzimit të Vetëvendosjes për hetimin e SHIK-ut, është tejet e papranueshme edhe hipokrizia e LDK-së lidhur me bëmat e SHIK-ut, e cila përkundër akuzave të rënda për vrasjen e aktivistëve të Lidhjes Demokratike, pas ardhjes në pushtet të Isa Mustafës dhe koalicionit të tij me Hashim Thaçin, ashtu siç janë nisur edhe janë heshtur, në mënyrë të menjëhershme të gjitha akuzat e mos të flasim për inicimin e hetimeve. Prandaj, përveçse SHIK-u ka arritur të infiltrohet në të gjitha partitë politike në vend, unë as tani nuk mund të besoj se LDK-ja, është e rritur për një nismë kaq të madhe të cilën deri më tash, nuk ka mundur askush ta çojë deri në fund, dhe aktualisht LDK-ja që njohim ne, as që ka guximin, t’i prijë vet krijimit të një komisioni hetues për hetimin e bëmave të SHIK-ut”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Gani Qarri.

Gazeta “Bota sot” ka provuar të kontaktojë edhe me deputetë të tjerë të pozitës, si dhe deputetë të LDK-së për të marr qëndrimin e tyre për hetimin e SHIK-ut, por të njëjtit kanë refuzuar të përgjigjen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat