“Anija ruse po mbytet”, profesori ndërkombëtar zbulon qëllimin e kërcënimeve të Vuçiqit

Politika

“Anija ruse po mbytet”, profesori ndërkombëtar zbulon qëllimin e kërcënimeve të Vuçiqit

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 11 tetor 2022 Në ora: 21:28
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq

Udhëheqësit e G7 kanë dënuar sot sulmet e fundit raketore të Rusisë në Ukrainë, “në termat më të fortë të mundshëm”, dhe gjithashtu u zotuan të kërkojnë llogari nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Gjersa, Rusia nuk po i ndal sulmet ndaj Ukrainës, Serbia vazhdon ta kërcënojë Kosovën.

Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq vazhdimisht flet për “kohë të errët”, duke thënë se Serbia është në një periudhë më të vështirë se në vitet e 90-ta.

Por, sipas profesorit ndërkombëtar, Serbia është në periudhë të vështirë sepse Rusia është në prag të falimentimit dhe dështimit.

Enver Bytyqi, analisti politik dhe profesori ndërkombëtar, ka thënë për gazetën “Bota Sot” se Rusia me luftën në Ukrainë po duket se po e humb edhe rolin e një fuqie globale.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq vazhdimisht pas agresionit të Rusisë kundër Ukrainës ankohet. Ai po përdor një lloj taktike herë kërcënime për luftë e herë tjetër lëshimin e zërave në rrethim. Në fakt për Serbinë është një periudhë shumë e vështirë, në kuptimin si serbët e perceptojnë veten. Kurrë më parë Rusia nuk ka qenë në prag falimentimi dhe dështimi si sot. Ish-Bashkimi Sovjetik u shpërbë në fund të viteve 1980 e në fillim të 1990-ave. Por Rusia si trashëgimtare e ish-Bashkimit Sovjetik mundi ta ruajë dinjitetin e saj, të ketë zë të fuqishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare. Edhe pse në vështirësi të mëdha ekonomike, Rusia dëshmoi se së paku qëndronte në nivelin e një fuqie të madhe botërore, pavarësisht se e humbi statusin e superfuqisë. Me luftën në Ukrainë Rusia më duket se po e humbet edhe rolin e një fuqie globale. Po shkon me shpejtësi drejt një roli si ai i Brazilit, Turqisë, Arabisë Saudite apo ndonjë tjetre të këtyre përmasave”, ka deklaruar Bytçi.

Duke e parë dështimin në Ukrainë, sipas Bytyçit, Serbia bën deklarata kërcënuese.

Bytyçi është shprehur se Vuçiqi është mësuar të mbajë një dorë në revani, tjetrën në bakllava, domethënë të marrë fonde nga Perëndimi dhe të kërkojë mbrojtjen strategjike të interesave të saj nga Rusia.

“ Rusia po dështon në Ukrainë. Ndërkohë Serbia e lexon këtë dështim edhe si dështimin e saj. Kësisoj unë i lexoj deklaratat e kreut të shtetit serb. Vuçiq është mësuar që ta mbajë një dorë në revani e tjetrën në bakllava. Pra të marrë fonde nga Perëndimi dhe të kërkojë mbrojtjen strategjike e të interesave të saj nga Rusia. Por humbja e Rusisë në Ukrainë e bën Serbinë, që për herë të parë në historinë e saj tre shekullore të humbasë aleatin e saj gjeopolitik e strategjik. Moska nuk do të mundet më të përfaqësojë e mbrojë asnjë nga interesat serbe. Për pasojë drejtimi i vetëm i Beogradit është orientimi euro-atlantik. Por vendet e civilizuara euro-atlantike iu kundërvunë me forcën e armëve Serbisë në përpjekjet e saj për të realizuar Serbinë e Madhe”, ka theksuar Bytyçi.

Tutje, Bytyçi ka shtuar se Vuçiqi nuk ka mundësi dhe kohë të ndryshojë këtë realitet, prandaj luan në dy modele.

Sipas tij, anija ruse po mbytet dhe Vuçiqi nuk dëshiron që të jetë në këtë anije në momentin që kjo të mbushet me ujë.

“A ka mundësi dhe kohë Beogradi që të ndryshojë këtë realitet?! Unë mendoj se jo. Për pasojë presidenti Vuçiq luan me dy modele: Nga njëra anë kërcënon me luftë sidomos kundër Kosovës. Nga ana tjetër ankohet dhe bën aktorin e dëshpëruar që "Serbia po mbetet e vetme dhe nuk ka më fuqi të mbrohet nga shqiptarët, boshnjakët, kroatët, malazezët, bullgarët dhe popujt e tjerë të cilët e rrethojnë. Këta popuj, sidomos shqiptarët dhe kroatët, janë mite të armiqësisë së përjetshme për shumicën e popullsisë së Serbisë. Ndaj dhe Aleksadër Vuçiq i duhet të krijojë alibinë e daljes nga kjo situatë. Pra t'u thotë bashkëkombasve të tij se "Aleati ynë, Rusia, u mund! Ajo tashmë është e dënuar të mbajë përgjegjësi jo vetëm për shkeljen e të drejtës ndërkombëtare të sovranitetit të shteteve, por edhe për krime kundër njerëzimit e gjenocid në Ukrainë"! Anije ruse po mbytet. Dhe ai nuk dëshiron që të jetë në këtë anije në momentin që kjo anije të mbushet me ujë. Atëherë çfarë i mbetet zotit Vuçiq? Herë të bëjë të fortin, me qëllim që të mbajë shpresat e nacionalistëve ekstremë të Serbisë. Herën tjetër t'u thotë "Më ndihmoni të zbresim nga anjia ruse, sepse ne po mbytemi bashkë me Putinin"! Është një situatë absurde për politikën dhe diplomacinë serbe”, ka deklaruar Vuçiqi.

Serbët në gjithë historinë e luftërave e të konflikteve, sipas Bytyçit, kanë qenë me fituesin, mirëpo tani janë në buzë të greminës.

“Serbët janë mësuar që në historinë e luftërave, e të konflikteve të bëhen gjithnjë me fituesin. Ata e nisën luftën e Parë Botërore dhe "dolën të fituar"! Madje u shpërblyen me territore. Mos harrojmë Vojvodinën! Po kështu në Luftën e Dytë Botërore ata u renditën me koalicionin fitues. Por kësaj radhe e patën më të lehtë se në atë koalicion ishte dhe aleati i tyre, Bashkimi Sovjetik. Tani janë në buzë të greminës. Për herë të parë serbët janë të vetmit aleatë të Putinit në Evropë. I vetmi vend që nuk vendos sanksione. I vetmi vend që qan me dënesë për humbjen e Vladimir Putin. Kjo situatë e bën presidentin e Serbisë që njëherë të vajtojë, e herën tjetër të "kërcënojë"! Por çdo proces, çdo fenomen, çdo zhvillim e ka një fillim dhe një fund. Serbia është në fundin e aleancës së saj me Rusinë, thjesht për faktin se nuk do të ketë më Rusi!”, ka përfunduar Bytyçi.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt. Presidenti Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat