Mes tensioneve dhe provokimeve - vendimi për zgjedhjet në veri/ Presidentes i bëhet edhe një propozim i ri!

Politika

Mes tensioneve dhe provokimeve - vendimi për zgjedhjet në veri/ Presidentes i bëhet edhe një propozim i ri!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 17 nëntor 2022 Në ora: 08:05
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani

Siç dihet, vendi po përballet me mjaft zhvillime dramatike. Derisa para disa muajsh ndodhte greva në arsim dhe më gjerë, sytë kritikë ishin kthyer më shumë nga opozita duke besuar se ajo qëndronte pas sindikatave, ndërsa në protestat e veteranëve po ashtu opozita, dy partitë PDK e AAK.

Por, tashmë situata në veri nuk ka të bëjë me opozitën, e cila me gjithë kritikat e saj, nuk është duke e cenuar punën e Qeverisë.

Përballë ndodhet Serbia, që po përdorë çdo skenar, për të krijuar paqëndrueshmëri dhe rrezik për dhunë në veri.

Duke e pasur nën kontrollë shumicën e serbëve, Lista Serbe (LS), e kontrolluar kjo drejtpërdrejt nga Beogradi, ka vendosur për braktisjen e institucioneve politike, të sigurisë, gjyqësisë etj.

Por, pas vendimit për dorëheqje të LS, presidentja e vendit, Vjosa Osmani shpalli zgjedhjet e parakohshme për kryetarë të katër komunave në pjesën veriore të Kosovës, të cilat mendohet të mbahen me 18 dhjetor.

Vendimi u shpall pas takimit konsultativ që presidentja Osmani zhvilloi me përfaqësuesit e partive politike parlamentare, të cilin e bojkotuan Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe.

Vendimi për zgjedhjet për kryetarë të komunave në veri: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, pasoi dorëheqjen e përfaqësuesve politikë e institucionalë të serbëve të Kosovës që kundërshtuan konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia. Qeveria e Kosovës nisi zbatimin e vendimit për targat më 1 nëntor fillimisht me lëshimin e paralajmërimeve për ata që përdorin targat e vjetra serbe ndërkohë që në fazën e dytë tha se do të gjobis të gjithë pronarët e makinave që nuk i riregjistrojnë ato.

Të katër komunat veriore kanë mbetur pa kryetarë, pas dorëheqjeve të kryetarëve nga radhët e Listës Serbe.

Në vendimin e saj, presidentja Osmani tha se ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të ndërmarrë veprimet për “organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve në përputhje me ligjin në fuqi”.

Mehazi: Serbëve të larguar kurrsesi të mos u lejohet rikthimi i tyre në institucionet e Kosovës

Image
Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi

E për këtë çështje në një prononcim për “Bota sot” foli profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi.

Fillimisht, ai e vlerëson pozitivisht, vendimin për zgjedhje në komunat veriore, derisa kërkoi nga presidentja Osmani që të propozonte në parlament një amendament, se, kandidatët serbë që do të konkurrojnë nëpër komunat e tyre duhet ta njohin Republikën e Kosovës e kurrsesi të Serbisë.

“Pas largimit dhe dorëheqjes së serbëve nga institucionet e katër komunave me shumicë serbe, presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, si ka mbetur gjë tjetër përveç që të respektojë Kushtetutën e Republikës së Kosovës për të shpallur urgjentisht zgjedhje të jashtëzakonshme lokale për komunat serbe, që kanë mbetur pa koka udhëheqëse, përveç kësaj do të ishte shumë e dobishme për Kosovën që presidentja, Vjosa Osmani, të propozonte në parlamentin e Kosovës edhe një amendament, se, kandidatët serbë që do të konkurrojnë për kryetarë të komunave duhet ta njohin Republikën e Kosovës e kurrsesi të Serbisë, nëse jo atëherë nuk duhet t’ju mundësohet të garojnë për kryetarë komunash”, deklaroi profesori.

Krahas kësaj, Mehazi vlerësoi se udhëheqësit e shtetit nuk duhet që komunat në veri të udhëhiqen nga serbë që nuk e njohin Kurtin si kryeministër, por Vuçiqin.

“Presidenca, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës nuk duhet të lejojnë që kryetarët e komunave në veri të udhëhiqen nga serbë që nuk e njohin kryeministrin Kurti, e janë me presidentin e Serbisë, Vuçiqin. Përveç kësaj edhe dikasteret ministrore dhe drejtoritë e ndryshme të Kosovës nuk mund të udhëhiqen nga partitë që Kosovën e konsiderojnë brenda kushtetutës së Serbisë”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, profesori tha se serbëve të tërhequr nuk duhet t’iu lejohet rikthimi i tyre në institucionet e Kosovës, por të zëvendësohen me personat serbë që janë luajal para Kushtetutës e ligjeve të Kosovës.

“Nëse serbët e Kosovës janë larguar nga Qeveria, Policia dhe komunat me shumicë serbe, kurrsesi të mos ju lejohet rikthimi i tyre në institucionet e Kosovës, por të zëvendësohen me personat serbë që janë luajal para Kushtetutës e ligjeve të Kosovës.

Besojmë se në muajin dhjetor komunat serbe në Kosovë do të fitojnë udhëheqësit e tyre të mençur, të cilët do ta njohin Kushtetutën, pushtetin dhe shtetin e pavarur të Kosovës”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Burjani: Problemi mund të jetë pjesëmarrja e bojkotuar plotësisht

Image
Juristi Blerim Burjani

Ndërsa, juristi Blerim Burjani në një bashkëbisedim me “Bota sot” duke folur për zgjedhjet në veri, e sheh rrezikun për procesin zgjedhor nga bojkotimi.

Sipas tij në rast se nuk ka aplikime të mjaftueshme të partive për zgjedhje, atëherë është edhe mundësia për t’i zëvendësuar ish-deputetët.

“Shpallja e zgjedhjeve duhet të ndodhë duke qenë të gjitha partitë në konsultime nga presidentja, duhet të propozohet data e zgjedhjeve, nëse nuk ka aplikime të partive për zgjedhje, atëherë duhet tentuar që të zëvendësohen ish-deputetët”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, juristi si problem e sheh bojkotimin e pjesëmarrjes në zgjedhje, megjithëse ligji nuk e parasheh një kuotë legaliteti për këtë çështje.

“Problem mund të jetë pjesëmarrja e bojkotuar plotësisht, nëse ka trup elektoral zgjedhjet mund të mbahen, pasi ligji nuk parasheh kuotë legjitimacioni, kjo çështje varet kryekëput nga interesimi i partive serbe dhe të gjitha partive tjera nga të gjitha komunitetet”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat