Jepet alarmi/ Kërkohet nga ndërkombëtarët ta “shtrëngojnë” Serbinë!

Politika

Jepet alarmi/ Kërkohet nga ndërkombëtarët ta “shtrëngojnë” Serbinë!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 17 nëntor 2022 Në ora: 20:50
Ilustrim

Situata vazhdon të jetë e tensionuar në veri, dhe informacionet i japin kahje dramatike zhvillimeve që mund të ndodhin.

Ndërkohë, edhe vlerësimet e zyrtarëve të lartë, sidomos atyre të BE-së po shkaktojnë presion dhe pasiguri.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme Josep Borell, i cili në vazhdimësi po kërkon një marrëveshje finale sa më shpejt mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar së fundi se edhe plani që u njoh si franko-gjerman, është bërë nga ai dhe ndërmjetësi Lajçak, të cilin e kanë mbështetur Franca dhe Gjermania.

Serbia është duke i krijuar të gjitha vështirësitë, pasi po mundohet me çdo kusht ta refuzojë njohjen e Kosovës, siç është shtet i pavarur dhe demokratik.

Së fundmi, vëmendjen e opinionit publik e mori deklarata e Borrell, i cili kërkoi kompromise të reja, dhe marrëveshje për targat, duke dhënë një ogur të zi, se “mund të ndodhë më e keqja”.

“Nuk mund të arrijmë te kjo datë pa pasur një marrëveshje ose do të jemi buzë një situate të rrezikshme. Tërheqja e serbëve nga institucione ka krijuar vakuum, mund të ndodhë më e keqja . Kështu që të dy palët duhet të tregojnë më shumë fleksibilitet. Mesazhi nga Këshilli është i qartë, na duhet progres i qartë. E kemi prezantuar propozimin, e falënderoj Gjermaninë dhe Francën që e kanë mbështetur fuqishëm këtë propozim . Serbët e Kosovës duhet të kthehen në institucione . Autoritetet nga Kosova duhet të tregojnë fleksibilitet dhe të punojnë për implemetnimin e Asociacionit pa vonesa” ka theksuar ai.

A po flet Borell për luftë e gjakderdhje?

Qarri: Nuk është momenti i duhur, qoftë nga Borell, apo kushdo tjetër, duke i hedhur benzinë zjarrit të ndezur nga Serbia hegjemoniste

Image
Gani Qarri

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Gani Qarri.

Ai për gazetën u shpreh se deklaratat që po vazhdojnë të bëjnë serbët nuk janë befasi për Kosovën dhe se nuk është momenti i duhur sipas Qarrit që Borell të acarohet pasi mund ta pësoj Kosova në këtë rast.

“Largimi i dirigjuar nga Vuçiqi i dorës së zgjatur të Serbisë në Kosovë- të të ashtuquajturës “listë serbe” nga institucionet e shtetit të Kosovës dhe deklaratat e hapura ekstremiste të GoranRakiqit me shokë, se nuk i njohin institucionet legjitime të shtetit tonë. Në të cilat, deri më tani, kanë punuar edhe vet, si dhe kërcënimet e vazhdueshme të tyre, se jo vetëm që nuk do të marrin pjesë në votime, por edhe do ti pengojnë qytetarët e komunitetit serb, të dalin në zgjedhjet lokale të shpallura nga Presidentja Dr. Vjosa Osmani me 18 dhjetor në veri, edhe pse marrëveshja për zëvendësimin e targave ilegale të prodhuara në Rashkë të Serbisë, me ato legjitime të Republikës së Kosovës, është nënshkruar para më tepër se një dekade, janë akte që duhet dënuar nga Borell, Lajçak, BE dhe SHBA.

Kështu që nuk është momenti i duhur, qoftë nga Borelli apo kushdo tjetër, të acarohet edhe më tepër situata duke i hedhur benzinë zjarrit të ndezur nga Serbia hegjemoniste, me deklaratat si ato, se mund të ndodhë, apo vije deri te më e keqja, vetëm pse Kosova dëshiron rivendosjen e rendit e të ligjit edhe në këtë pjesë të Kosovës të dominuar nga bandat kriminale serbe në veri, udhëheqësit e të cilave, ka kohë që janë vendosur edhe në Listën e Zezë të SHBA-ve, për çka edhe Borelli është në dijeni”, u shpreh ai.

Qarri më tej, thotë se Borell po vazhdon të ngre alarmin që Kosova të bëjë përsëri lëshime pasi nëse nuk bënë,atëherë, mund të ketë shpërthime apo gjakderdhje të reja.

Pse BE-ja nuk po punon me kohë t’i parandaloj këto “gjakderdhje”

“Borell shkon deri atje sa të ngritë ekstra, alarme të orkestruara, se nëse nuk bënë Kosova, sërish lëshime të reja, ndaj bandave kriminale në veri, mund të ndodhë më e keqja, apo të shpërthejnë edhe gjakderdhje të reja, të gjitha këto nga një shtet i njohur agresor e kriminal si Serbia, e cila i ka nisur të gjitha luftërat dhe kryer gjenocid e mijëra krime në mbarë territorin e ish-federatës jugosllave”, thotë ai.

Qarri thotë se nëse situata qenka e rrezikshme sipas Borellit dhe BE-së, atëherë pse po shikohet në heshtje përgatitja, armatosja e Serbisë për luftë.

“E nëse vërtetë, paska një rrezik të atillë, për të cilin BE-ja, edhe paraprakisht, qenka në dijeni, atëherë lind pyetja e patejkalueshme, se pse, po kjo BE, nuk vepruaka me kohë për parandalimin e luftërave të Serbisë dhe shkaktimin e gjakderdhjeve të reja prej saj, por shikuaka në heshtje përgatitjet e Vuçiqit për agresion të ri ushtarak mbi Kosovë, duke fajësuar Kosovën, pse përpiqet paqësisht, të vendos rend e rregull në territorin e vet legjitim, kur dihet se pakicën serbe nuk e ka detyruar Kosova, por Vuçiqi që të tërhiqet nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës”, shpjegon analisti.

Ndër të tjera, analisti thekson që institucionet e vendit dhe pjesën më të madhe dërmuese të qytetarëve të Kosovës, i shqetëson kërcënimi publik antishqiptar, i Serbisë hegjemoniste, jo vetëm kundër Qeverisë, por edhe kundër rendit kushtetues.

“Megjithatë, fatkeqësisht, ajo që edhe në këto momente kritike, shqetëson veçanërisht shumicën e qytetarëve të Kosovës, nuk janë më vetëm deklaratat e pamatura, alarmante dhe fare të pa sensë të Borellit, por shumë më tepër se sa vet kërcënimet e hapura të Serbisë, institucionet e vendit dhe pjesën më të madhe, dërmuese të qytetarëve të Kosovës, i shqetëson rreshtimi i hapur i opozitës së inkriminuar të Kosovës, me tendencat për agresion ushtarak të Aleksandër Vuçiqit dhe kërcënimet publike antishqiptare, të Serbisë hegjemoniste, jo vetëm kundër Qeverisë, por edhe kundër rendit kushtetues, tërësisë territoriale dhe sovranitetit të shtetit të lirë e të pavarur të Republikës së Kosovës, për çka kërkohet që populli ynë,të jetë sa më unikë dhe të veprojë më me vendosmëri”, nënvizoi analisti Qarri për “Bota sot”.

Burjani: Nuk ka vend për asnjë konflikt, dhe nuk mund të ketë

Image
Blerim Burjani

Ndërsa i pyetur për këtë çështje juristi Blerim Burjani për “Bota sot”, thotë që nuk ka vend për asnjë konflikt, mjafton sipas tij organet e rendit e sigurisë të kryejnë punën e tyre.

“Jo, nuk ka asnjëlloj mundësie për konflikt, dhe nuk mund të ketë në veri. Atje mjafton policia rrugore të ushtroj detyrën, KFOR-i dhe policia e EULEX-it. Mendoj që kjo faza e dytë e zbatimit të vendimit të shtyhet edhe për një kohë ose deri në prill të vitit 2023. Ky vendim mund të shtyhet edhe për një kohë”, u shpreh ai.

Juristi në fund thotë që njëherë përparësi duhet dhënë marrëveshjes përfundimtare, nuk është mirë me u marr me targa, duhet me u marr me zgjidhje të përhershme.

“Njëherë përparësi duhet dhënë marrëveshjes përfundimtare, nuk është mirë me u marr me targa, duhet me u marr me zgjidhje të përhershme. Është gjasë e mirë me ndodhë marrëveshja, e mos me u marr me çështje teknike”, përfundoi Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat