Veriu ‘pika e dobët’ e Vuçiqit, juristi nga Belgjika zbulon prapaskenat për ndarjen e Kosovës – përmend edhe Thaçin!

Politika

Veriu ‘pika e dobët’ e Vuçiqit, juristi nga Belgjika zbulon prapaskenat për ndarjen e Kosovës – përmend edhe Thaçin!

A.Morina Nga A.Morina Më 12 dhjetor 2022 Në ora: 22:53
Foto ilustrim

Situata në veri të vendit është tejet e tensionuar nga grupet kriminale serbe të orkestruara nga Beogradi, pavarësisht, që Kosova të shtunën pasdite vendosi ta shtyjë mbajtjen e zgjedhjeve për në mesin e pranverës.

Serbët për ditë me radhë kanë provokuar, sulmuar dhe madje dhe kanë shpërthyer bomba-shok, ndërsa të enjten në mbrëmje e plagosën një polic shqiptar.

E këto zhvillime në veri i ka komentuar juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.

Fillimisht, ai në një prononcim për “Bota sot” tha se situata në veri ka qenë e tensionuar që nga momenti kur ish-presidenti Thaçi bëri marrëveshje me forcat franceze, të cilat u vendosën më pas në këtë pjesë të vendit.

Sipas tij, që atëherë është përgatitur tereni për ndarjen e Kosovës.

“Që nga përfundimi i luftës, në qershor të vitit 1999, Kosova de facto u « nda » nga terësia e saj territoriale, respektivisht në bazë të një ujdie « gjentlemente », mes forcave françeze të NATO-s dhe Hahim Thaçit, forcat françeze u vendosën në pjesën Veriore të Kosovës, në urën e lumit Ibër. Kjo do të thotë se, që atëherë u përgatit terreni për ndarjen e Kosovës, duke u shndërruar në problem kryesor të shtetndërtimit, pasojat e së cilës i vuajmë sot e asaj dite. Këtë fakt e kanë shpieguar disa herë nëpër televizione të ndryshme pjesëtarë me autoritet të UÇK-ës, por kjo lexohet edhe në dokumentet sekrete të inteligjencës së NATO-s. Kështu pjesa Veriore e Mitrovicës u shndërrua në territor ku asnjëherë nuk u zbatuan ligjet e Kosovës, kurse Serbia gjithnjë e më tepër merrte nën kontrollë pjesën Veriore. Fillimisht kriminelët filluan të organizohen dhe strukturohen për mbrojtjen e këtij territori, duke formuar, « rojet e urës », « mbrojtjen civile », « mbrojtjen territoriale» dhe krijuan strukturat paralele parashtetërore”, deklaroi ai.

Image
Juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.

Krahas kësaj, Musliu përmendi edhe grupet dhe bandat kriminale serbe të cilat bashkëpunojnë me Serbinë dhe Listën Serbe.

Madje, ai tha se përmes Listës Serbe iu mundësua Vuçiqit t’a kontrollojë kontrabandën, korrupsionin, krimin e organizuar dhe jetën politike të serbëve të Kosovës.

“Këto struktura paralele, në realitet, ishin banda të organizuara kriminale të lidhura ngushtë me kontrabandën, korrupcion dhe krimin e organizuar. Sipas të dhënave të OJQ-ve të ndryshme, në veçanti ato nga Serbia, supozohet se « mbrojtja civile » ka patur mes 700 deri 800 pjesëtarë, në mesin e të cilëve kishte ish-oficer të ushtrisë serbe të armatosur. Këto struktura kriminale menagjohen nga Lista serbe, e cila i kontrollon dhe i mbanë peng serbet e Veriut, kurse vet Lista serbe kontrollohet dhe vepron sipas urdhërave të Aleksandar Vuçiqit.

Mirëpo me Marrëveshjen e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe përfshirjen e strukturave paralele serbe në institucionet e Kosovës, formalisht nisi « integrimi » i pjesës Veriore. Vetëm një vit pas kësaj marrëveshje, më 2014, u krijua një subjekt i ri politik « Lista serbe », me çka Aleksandar Vuçiqit edhe legalisht iu mundësua t’a kontrollojë kontrabandën, korrupsionin, krimin e organizuar dhe jetën politike të serbëve të Kosovës”, theksoi juristi.

Në vazhdim, ai tha se dorëheqjet kolektive të serbëve nga institucionet e Kosovës erdhën si pasojë e urdhërave të Vuçiqit, në mënyrë që të realizojë një lloj ‘proteste’ ndaj kryeministrit Kurti.

“Fatkeqësisht me « shuarjen » e strukturave paralele serbe dhe inkorporimin e tyre në institucionet shtetërore të Kosovës, jo vetëm që nuk u shuan ato, por Thaçi dhe Vuçiqi, i fuqizuan dhe legalizuan strukturat paralele kriminale, të cilat e defunksionalizuan dhe vështirësuan punën e institucioneve të Kosovës. Në krye të të ashtuquajturave organe të përkohshme vetqeverisëse serbe, sipas sistemit të Serbisë, në të shumtën e rasteve janë njerëzit e njejtë që drejtojnë edhe komunat sipas sistemit të Kosovës, që do të thotë se këta mbajnë poste të dyfishta, rrjedhimisht që paguhen nga buxheti i Kosovës, por edhe nga buxheti i Serbisë. Kjo mënyrë e veprimit funksionon për një dekadë, për çka të gjitha institucionet janë në dieni, mirëpo askush nuk ndërmerr masa.

Muajin e kaluar, me urdhër të Aleksandar Vuçiqit, nga institucionet e Kosovës, dhanë « dorëheqje » kolektive, Lista serbe, prokurorët, gjyqtarët, të gjithë zyrtarët e policisë së Kosovës në pjesën Veriore të Kosvës, respektivisht në katër komunat, në shenjë proteste kundër Qeverisë së Kosovës”, nënvizoi Musliu.

Gjithashtu, juristi nga Belgjika përmendi edhe sulmet dhe shpërthimet që ndodhën vetëm pak ditë më parë në veri.

Ai tha se me këto veprime po tentohet qëllimisht të destabilizohet situata dhe të rrezikohet siguria e qytetarëve të Kosovës.

“Ditë më parë me mjete shpërthyese u vandalizuan lokalet e KKZ-së në Veri të Mitrovicës, kurse një ditë më vonë u sulmua një patrullë e policisë së Kosovës, me ç’rast u plagos një polic shqiptar, dhe një patrullë e EULEX-it.

Me urdhër të Prokurorisë së Kosovës, Policia e Kosovës, arrestoi tre persona, ndër të cilët ishte edhe një polic i dorëhequr, nën dyshimin se kishin marrë pjesë në plagosjen e policit shqiptar dhe në vandalizimin e lokaleve të KKZ-ës. Në shenjë proteste, Lista serbe me strukturat kriminale, bllokuan rrugët që çojnë në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

Me këto veprime, strukturat kriminale serbe, për qëllim kanë destabilizimin e institucioneve të Kosovës, rrezikimin e sigurisë dhe Rendin Kushtetues si dhe destabilizimin e rajonit. Është e papranueshme që Lista serbe, kryetari i Gjykatës dhe komandanti i policisë së pjesës Veriore të Kosovës, të marrin pjesë në mbledhjet e Këshillit të Sigurisë të Serbisë dhe pastaj në Kosovë t’i zbatojnë urdhërat e Vuçiqit. Prandaj Qeveria e Kosovës, nuk duhet t’iu nënshtrohet kriminelëve, por ata duhet të luftohen me të gjitha mjetet ligjore. Kam të drejtë të mendoj dhe shpresoj se, do të vjen koha, kur të gjithë kriminelët dhe bashkëpunëtorët e tyre, do të dalin para drejtësisë”, shpjegoi ai.

Më tej, Musliu kërkoi nga ndërkombëtarët që të jenë më të ashpër karshi Serbisë dhe kërcënimeve të tyre ndaj Kosovës.

Po ashtu, kritikoi edhe qasjen e Borellit ndaj sulmeve dhe shpërthimeve në veri.

“Personalisht mendoj se pjesa dërmuese e policëve të dorëhequr, më shumë kanë punuar për interesat e Serbisë se sa për Kosovën, madje ata vet kanë qenë pjesë e strukturave paralele. Prandaj shpesh herë, aksionet e ligjshme të policisë së Kosovës, janë dekonspiruar pikërisht nga këta polic, të cilë e kanë sabotuar punën e institucioneve të Kosovës.

Lista serbe i ka konvenuar PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, sepse këto parti, në vend që t’i kishin luftuar atëherë strukturat paralele, ato kanë bashkëpunuar me ato, kanë patur biznese të përbashkëta dhe kanë qenë të lidhur me kontrabandë. Sa herë që iu kanë dashur votat e Listës serbe për formimin e Qeverive, ata i kanë patur ato vota.

Me këtë rast faktori ndërkombëtar duhet të jetë më i vendosur në kritikat ndaj Serbisë, sepse mbrëmë, Joseph Borell në një deklaratë kritikoi Serbinë për shkak se serbët kishin sulmuar një patrullë të EULEX—it, kurse asnjë fjalë nuk tha për sulmin e patrullës së policisë së Kosovës dhe plagosjen e një polici shqiptar. Institucionet e Kosovës duhet të reagojnë për njëanshmërinë e Borellit, sepse nuk është hera e parë që ai mbanë anën e Serbisë”, vlerësoi juristi.

Në fund, ai tha se në këtë aspekt i kanë ndihmuar Listës Serbe, partitë opozitare që në të kaluarën kanë bashkëpunuar me atë.

Derisa, nuk i kurseu edhe kritikat ndaj qeverisë së Shqipërisë.

“Një rol të veçantë duhet t’a luaj opozita duke e mbështetur pa rezervë Qeverinë, t’i lejë anash inatet politike, kurse Shqipëria zyrtare, si zakonisht, ngelë e heshtur.

Këte çka po e korrë sot kryeministri Kurti, e kanë mbjellë qeveritë e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së me veprimet e tyre të papërgjegjshme. Kjo opozitë, asnjëherë nuk pati guximin t’a zbatojë ligjshmërinë në pjesën veriore, sepse vet ajo u bë pjesë e kontrabandës dhe krimit të organizuar”, përmbylli Skënder Musliu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat