Zbulohen prapaskenat e skandalit Rama-Abazoviq/ Bytyçi: Kjo është e frikshme – ja si e ndihmuan Vuçiqin!

Politika

Zbulohen prapaskenat e skandalit Rama-Abazoviq/ Bytyçi: Kjo është e frikshme – ja si e ndihmuan Vuçiqin!

Nga: A.Morina Më: 22 dhjetor 2022 Në ora: 19:23
Foto ilustrim

Ditë më parë, një skandal i përmasave ndërkombëtare u publikua nga media malazeze “Pobjeda”, e cila në një shkrim të saj thoshte se Shqipëria dhe Mali i Zi thyen embargon ndaj Rusisë, duke lejuar tregtinë e grurit dhe të plehrave kimikë mes Serbisë dhe Rusisë, përmes Portit të Durrësit.

Sipas këtij artikulli, mijëra kamionë u ngarkuan me pleh kimik nga anijet që erdhën nga Rusia në Portin e Durrësit, kaluan në Malin e Zi përmes pikës kufitare të Hanit të Hotit dhe nga territori malazez u futën në Serbi pranë Dobrakovit, ndërsa në kthim, kamionët janë ngarkuar me drithë dhe kanë kryer të njëjtin itinerar.

Gazetarët malazezë raportojnë se për transportin e drithërave dhe të plehut kimik në Shqipëri u përfshi një kompani e madhe e lidhur me autoritetet e Tiranës, të cilët kanë mbyllur një sy për tregtinë mes Vuçiçit dhe Putinit, në shkelje të sanksioneve që SHBA dhe Bashkimi Europian kanë vendosur ndaj Rusisë.

E në lidhje me këtë skandal, në një prononcim për “Bota sot” foli profesori universitar, Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Fillimisht, ai u shpreh se ky rast tregon qartë se si dy kryeministra shqiptarë, Edi Rama dhe Dritan Abazoviç janë bërë ‘mashë’ në duart e Aleksandar Vuçiqit.

“Gazeta “Pobjeda” e Podgoricës në Mal të Zi ka zbuluar një skandak të përmsave ndërkombëtare. Në kushtet e embargos kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj ndaj Ukrainës dy kryeministra shqiptarë, Edi Rama dhe Dritan Abazoviç, u bënë sërishmi mashë në duart e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Përdoren infrastrukturën portuale dhe tokësore të Shqipërisë dhe Malit të Zi për të thyer embargon perendimore dhe ndihëmuar tregtinë midis Moskës dhe Beogradit.

Me qindrs kamionë të ngarkuar me grurë dhe plehra kimike pasi janë ngarkuar në portin e Durrësit, kanë udhëtuar ilegalisht përmes territorit të Shqipërisë dhe të Malit të Zi dhe janë shkarkuar në Serbi. Në territorin shqiptar janë krijuar stacione të përpunimit të këtyre mallrave që vijnë nga Rusia dhe aty punojnë me dhjetra punëtorë të ardhur nga Serbia. E gjitha ndodh nën mbikëqyerjen e qeverisë shqiptare, sepse këtyre punëtorëve dhe specialistëve serbë u janë garantuar kushtet ideale për strehim dhe trajtim. Mjafton të kontrollohen hotelet ku ata janë strehuar”, deklaroi profesori.

Bytyçi këtë e cilësoi si një nga skandalet më të mëdha.

Sipas tij, kjo tregon nivelin e lartë të korrupsionit që mbizotëron në Shqipëri, ku njëkohësisht e ka bërë vendin shumë të pasigurtë për të gjithë shqiptarët.

Skandali i thyerjes së embargos për Rusinë në dobi e në shërbim të Serbisë është ndoshta më i madhi i kohës. Nga kjo aferë bie gjithashtu era korrupsion i gjallë. Nuk bën asnjë shërbim Edi Rama pa shpërblimin përkatës në euro ose dollar amerikanë, që vijnë nga këmbimi në këto valuta të rublës ruse ose dinarit serb. Ngarkesat në mijëra tonelata të këtyre dy produkteve ruse në adresë të tregut serb dëshmojnë se Shqipëria, jo vetëm ka thyer embargon europiane ndaj Rusisë, por edhe se qeveria shqiptare e ka shndërruar vendin në një vend të pasigurt. Shqipëria dhe Mali i Zi për shkak të kryeministrave të tyre kanë dëmtuar imazhin e tyre.

Besoj kjo aferë do të tërheq vëmendjen e Bashkimit Europian dhe SHBA-ve nga fillimi i këtij viti, mbasi në këto momente reagimi është i vakët, gjë për të cilën besoj se ndikojnë festat e Krishtlindjeve. Kjo thyerje embargo është thyerje shtetërore. Ashtu si kalimi i kokainës dhe drogërave të tjera kalojnë në portin e Durrësit nën kujdesin dhe patronazhin e qeverisë shqiptare. Ndryshe nuk do të rezultonin si pronarë të inpianteve të përpunimit të këtyre drogërave njerëzit e afërt të kryeministrit dhe vëllait të tij”, theksoi Bytyçi.

Në vazhdim, profesori tha se kjo që u zbulua nga media malazeze është një gjë e frikshme, ku kjo ndodhi, pasi Rama dhe Abazoviç u bënë aleatë të ngushtë me Vuçiqin.

Skandali i zbuluar nga ana e gazetës „Pobjeda“ është i frikshëm. Është skandal që përfshin në të njerëzit e skandaleve. Të dy kryeministrat vijnë deri në këtë pikë pasi ata u bënë aleatë të ngushtë të presidentit Vuçiq dhe Beogradit në dëm të interesave të Shqipëisë dhe Malit të Zi. Me këto akte Rama dhe Abazoviç kanë mundur ta përçajnë skenën politike në Tiranë dhe në Podgoricë në atë shkallë, aq sa e ka dëshiruar Serbia. Asnjë lider shtetëror në këto dy vende nuk ka mundur dhe nuk ka guxuar të luajë rol destruktiv për paqen e stabilitetin në Ballkan, sa këta të dy. Mali i Zi para Abazoviçit kishte një kryeministër nga komuniteti serb i këtij vendi. Por, ai nuk guxoi të shkojë në destinacionin e kryeministrit të sotëm të shkarkuar me emër shqiptar e prapashtesë serbe”, nënvizoi ai.

Më tej, Bytyçi vlerësoi se ky skandal e shpërfaqi qëllimin e vërtetë të “Ballkanit të Hapur”, ku tregon hapur se ky projekt është ideuar për skandale të tilla.

Gruri dhe plehrat kimike i shkuan Serbisë në kuadër të bashkëpunimit të Open Balkan. Kjo dëshmon se iniciativa serbe e Ballkanit të Hapur e luajti më në fund një rol grevthyes në dobi të Serbisë e kundër Bashkimit Europian. Me këtë skandal bie argumenti propagandues i Ramës, Vuçiq dhe Abazoviç, se gjoja Open Balkan është në harmoni me Procesin e Berlinit. Procesi i Berlinit do e parandalonte një aferë si kjo. Ndërsa Open Balkan duket se është krijuar pikërisht për afera dhe bashkëpunim me mafien rajonale të politikanëve ballkanikë. Ata që e kundërshtuan dhe e kundërshtojnë Ballkanin e Hapur dëshmojnë se nuk i përkasin mafisë, por mbrojnë parimet e lirisë e të demokracisë”, potencoi profesori.

Ndër të tjera, ai kërkoi që të fillojnë menjëherë hetimet për zbardhjen e këtij skandali, duke shtuar se mund të ketë edhe persona të tjerë të përfshirë.

Profesori, shpreson që shoqëria dhe drejtësia shqiptare të mos heshtin përballë këtij rasti, sepse në këtë mënyrë po bllokohet rruga e integrimit evropian.

Kostos së përçarjes politike, sidomos ndër shqiptarët, iu shtua edhe kjo kosto e tmerrshme, dhuratë e Edi Ramës dhe Dritan Abazoviç. Përveç reagimeve, do të duhet që organet e drejtësisë në Shqipëri dhe në Mal të Zi të fillojnë menjëherë hetimet se si dhe pse ka ndudhur thyerja e embargos ndërkombëtare për Rusinë dhe aleaten e saj në Ballkan, Serbinë. Do të duhet patjetër që të bëhen hetime se kush është implikuar në këtë skandal jo vetëm politik, por edhe juridik e anti-ligjor. Nëse shoqëria shqiptare dhe drejtësia në të dy këto vende do të heshtin, siç ka ndodhur edhe në raste të tjera, atëherë ne me vetëdijë kemi bllokuar rrugën e integrimit europian. Dhe nuk dihet se për sa kohë do të mbetemi të bllokuar në këtë proces, sepse skandali pasohet gjithnjë nga një skandal tjetër.

Brukseli sidomos e ka për detyrë të krijojë komisione të posaçme për të verifikuar në praktikë thyerjen e embargos ruse nga autoritetet e Shqipërisë dhe të Malit të Zi. Nëse jo, atëherë humbet autoriteti dhe integriteti i tij”, përfundoi Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat