Po kërkohet me urgjencë Asociacioni, reagon eksperti amerikan: Ekziston rrezik serioz sovraniteti e integriteti

Politika

Po kërkohet me urgjencë Asociacioni, reagon eksperti amerikan: Ekziston rrezik serioz sovraniteti e integriteti

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 22 dhjetor 2022 Në ora: 21:03
Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer

Asociacioni i komunave me shumicë serbe, vazhdon të kërkohet me ngulm nga ndërkombëtarët.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier ka kërkuar me urgjencë të fillojnë negociatat për Asociacionin, ndërsa ambasadori i SHBA-së në Serbi, ka thënë “Të jini të sigurt se nuk do të ketë marrëveshje tjera pa e zgjidhur këtë”.

Se “jo vetëm që Asociacioni duhet të bëhet” por se ajo decidivisht “do të bëhet”, tha zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar në një konferencë në “Atlantic Council”.

“Ne do ta kemi Asociacionin, ne do të jemi pjesë e procesit, dhe ai proces duhet të përfshijë Qeverinë e Kosovës”, ishte shprehur ai.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, nuk e kishte kaluar “testin e Gjykatës Kushtetuese”.

Ai theksoi se janë 33 marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë të arritura në Bruksel, kurse Serbia këmbëngul vetëm tek marrëveshja e Asociacionit.

Këtë çështje Kurti ka thënë se Serbia mund ta adresojë në kuadër të dialogut në Bruksel.

“Merreni me mend, 33 marrëveshja janë bërë në Bruksel, Serbia këmbëngul në atë marrëveshje që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Unë nuk e mohoj që, në kuadër të dialogut, Serbia do ta ngrejë si çështje Asociacionin si model për të zgjidhur çështjet e të drejtave të pakicave kombëtare. Le ta bëjë në kuadër të dialogut që duhet ta zhvillojmë në Bruksel”, ka thënë Kurti.

Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, në një intervistë për “Bota sot”, duke folur rreth asociacionit të komunave serbe ka thënë se është diçka që nuk mund të zbatohet derisa Serbia të mos e njohë Kosovën.

Sipas tij, ekziston rrezik serioz për sovranitetin në rast se bëhet më herët.

“Mendoj se Asociacioni është diçka që nuk mund të zbatohet derisa Serbia të mos e njohë Kosovën. Nëse bëhet më herët se kaq, ekziston rrezik serioz për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”, ka deklaruar Serwer.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat