Kërcënimet nga serbët ndaj personaliteteve amerikane/ Çfarë po përgatisin UDB-ja e ndihmuar nga KGB-ja?!

Politika

Kërcënimet nga serbët ndaj personaliteteve amerikane/ Çfarë po përgatisin UDB-ja e ndihmuar nga KGB-ja?!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 12 janar 2023 Në ora: 11:55
Ivana Stradner

Institucionet e Serbisë të përkëdhelura nga Perëndimi, me synimin që ta përfshijnë në “boshtin perëndimor”, kanë eskaluar duke mos kursyer as kërcënimet flagrante ndaj personaliteteve amerikane, që po e thonë të vërtetën për shqiptarët dhe Kosovën.

Para se të sulmohej, fyhej e njollosej profesori i Universitetit të njohur amerikan John Hopkins, një zyrtar i lartë i qeverisë së Serbisë, e ka kërcënuar rëndë një tjetër personalitet amerikan.

Cak i sulmit ishte hulumtuesja amerikane Ivana Stradner, e cila e bëri të njohur kërcënimin që i ishte bërë nga një zyrtar i lartë i qeverisë së Serbisë, emrin e të cilit ajo nuk e ka publikuar, por e ka bërë të qartë linjën e tij, të mendimit e veprimit, duke përshkruar ‘rrjedhën’ e tij, nga UDB-a (BIA) serbe.

Stradner me anë të një reagimi në Tvitter ka treguar e kërcënimi ka ardhur me arsyetimin se po ia prish imazhin Serbisë.

Ajo thekson se nuk është asgjë e re përveç se nga lojërat e inteligjencës së KGB-së ruse dhe UDB-ës serbe.

“Sapo pranova një kërcënim nga zyrtari i lartë i Qeverisë serbe dhe se pas konsultimeve, këtë javë mund të nisin një aktakuzë penale kundër meje për cenim të reputacionit të Serbisë. Asgjë e re nga lojërat e inteligjencës së KGB/UDB-A”, njofton ajo.

Hulumtuesja Stradner, që po ashtu punon si gazetare për mediumin ukrainas “Kiev Post”, thotë se nuk frikësohet nga këto kërcënime.

“Ata mund të dërgojnë njerëz këtu për të më 'vizituar' pasi Qeveria ruse më akuzoi hapur për kinse përhapjen e gënjeshtrave dhe udhëzimeve për 'bashkëpunëtorët e informacionit', MPJ e tyre dhe (zëdhënësja Maria) Zakharova iu përgjigjën një shkrimi tim, por ata harrojnë: Unë thjesht jam një luftëtare që nuk frikësohem lehtë”, përfundoi ajo.

Kujtojmë që nuk është hera e parë që analistja amerikane pranon kërcënime, një të tillë me vdekje e kishte raportuar në dhjetor të 2021-ës, pasi kishte publikuar hulumtimin “Rusia po luan me zjarrin në Ballkan – si e kërcënon Evropën loja e pushtetit e Putinit?”.

Në këtë hulumtim, Stradner kishte paraqitur rëndësinë e anëtarësimit të Bosnjës e Hercegovinës dhe Kosovës në NATO.

Mehmeti: Duhet reagim i fortë nga Perëndimi për kërcënime të tilla nga zyrtari i lartë i qeverisë së Serbisë

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, flet komentuesi politik, Faton Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

Ai u shpreh se nuk janë befasi këto kërcënime nga zyrtarët serb pasi ende veprojnë me logjiken e Millosheviçit.

“Nuk më befasojnë kërcënimet e zyrtarëve serb ndaj kujtdo që flet të vërtetën, Serbinë e vret veç e vërteta që është kundër saj. Në këtë kuptim kërcënimet ndaj hulumtueses amerikane Ivana Stradner kanë të bëjnë me luftën e Serbisë ndaj të vërtetës, të cilën zonja Stradner e ka thënë. Është dashur reagim i fortë nga e gjithë bota për një kërcënim të tillë nga zyrtari i lartë i qeverisë së Serbisë, e cila qeveri nuk ndryshon aspak nga logjika e Millosheviqit ndaj të gjithë atyre që nuk mbështesin propagandën serbe”, u shpreh ai.

Analisti më tej, thekson që UDB-ja në lidhje sinkron me KGB-në e Putinit i kanë shpallur luftë Kosovës dhe shqiptarëve.

“UDB-ja në lidhje sinkron me KGB-në e Putinit i kanë shpallur luftë Kosovës dhe shqiptarëve. Andaj shërbimi i Kosovës dhe Shqipërisë të bashkërendojnë veprimet për tu mbrojtur. Për fund dua të them se institucionet e Kosovës është dashur të reagojnë më fuqishëm të mbronin zonjën Stradner, për të vërtetën që ajo ka thënë”, nënvizoi Mehmeti për “Bota sot”.

Duhanaj: Qeveria dhe institucionet tjera relevante të Kosovës, duhet ta shfrytëzojnë ketë në mënyrë që ta pozicionojnë Rusinë dhe Serbinë aty ku e meritojnë

Image
Leon Duhanaj

Ndërsa, analisti tjetër, Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që shërbimet ruse e serbe kanë dështuar për destruktivitet gjithandej kah kanë shtrirje.

“Shërbimet sekrete ruse e serbe janë të dështuara për destruktivitet gjithandej kah kanë shtrirje. Madje amerikanët i kanë të listuara në majat e armiqësisë. Po ashtu ata i përcjellin këto veprime dhe me siguri të plotë janë syçelë në përcjelljen e këtyre kërcënimeve. Ne si Kosovë nuk kemi kapacitete as politike, e as të sigurisë që t'i trajtojmë këto çështje. Megjithatë, janë pikërisht këto deklarata, të cilat duhet të na shërbejnë të zgjohemi”, nënvizon ai.

Në fund, Duhanaj thotë që Serbia shfrytëzon madje edhe një kollitje nga Kosova që ta paraqes keq para botës, prandaj duhet që Qeveria të mos flejë por ta ngrit zërin kundër këtyre kërcënimeve.

“Qeveria dhe institucionet tjera relevante të Kosovës, duhet ta shfrytëzojnë këtë në mënyrë që ta pozicionojnë Rusinë dhe Serbinë aty ku e meritojnë, pra si shtete jo vetëm totalitare, por edhe agresive ndaj fqinjëve, madje me përmasa terrori. Serbia shfrytëzon madje edhe një kollitje nga Kosova që ta paraqes keq para botës, prandaj duhet që Qeveria të mos flejë, por ta ngrit zërin kundër këtyre kërcënimeve. Bota duhet ta kuptojë çdo të vërtetë rreth nesh e mos t'i lihet hapësirë Serbisë për ta thurur tregimin e vet”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat