“Gabim i pafalshëm”, kërkohet arrestimi i kriminelëve serbë, që kryen krime në Kosovë

Politika

“Gabim i pafalshëm”, kërkohet arrestimi i kriminelëve serbë, që kryen krime në Kosovë

Nga: Nehat Shaqiri Më: 14 janar 2023 Në ora: 16:42
Kriminelët serbë

Eksperti i sigurisë dhe ish-zëvendësminsitri i MPB-së, Hajrullah Tërnava, po kërkon që të gjithë kriminelët e luftës që kanë kryer krime në Kosovë të dalin para drejtësisë.

Ai thotë se, pas luftës ndërkombëtarët ishin pengesë administrative në një proces të tillë, sepse Kosova nuk ishte ende shtet i pavarur ndërkombëtarisht dhe i anëtarësuar në institucionet ndërkombëtare, si në INTERPOl etj.

Sipas tij edhe sot ka pengesa për një përndjekje të drejtpërdrejtë nga institucionet tona të shtetit.

Megjithatë, ai shton se, është dashur në çdo mënyrë të gjenden rrugët dhe të përndiqen të gjithë ata që kanë krye krimet e tmerrshme gjatë luftës.

Ai thotë se për lëshimet që ka bë shteti i Kosovës pas shpalles së pavarësisë është gabim i pafalshëm.

“Duhet një angazhimin serioz për hetimin e të gjithë të dyshuarve dhe lëshimin e fletë arresteve, që në bashkëpunim dhe bashkërendim të pandashëm më ndërkombëtarët, të emërtohen, ndiqen dhe arrestohen kudo që lëvizin ish pjesëmarrësit në krime lufte, për të cilët ka pasur dëshmi dhe dosje të pjesëmarrjes në krim e në gjenocid”, shprehet Tërnava.

Image
Hajrullah Tërnava

Ai flet edhe për një kriminel të arrestuar në Hungari për vrasjen e 33 shqiptarëve në Pejë.

“Ky zbulim dhe arrestim i kriminelit që dyshohet për një masakër të përmasave aq të mëdha, për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë, për vrasjen e 33 shqiptarëve të 23 vite më parë në lagjen “Kristal” në Pejë nuk duhet të shërben për vetë kënaqësi të institucioneve të drejtësisë”, thotë ai.

Tërnava shton se, përveç tij, edhe dy serbë të tjerë dyshohet se janë të përfshirë në këtë rast.

“Mirëpo arresti nuk ka ndodhur për meritë të angazhimit të drejtësisë tonë, Prokurorisë Speciale për Krime lufte, por është meritë e Prokurorisë së Përgjithshme të Budapestit e cila njofton se i akuzuari është arrestuar mbi urdhër-arrestin ndërkombëtar të lëshuar nga administrate e UNMIK-ut, nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë”, shton ai.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur fajtor të akuzuarin për krime lufte në lagjen “Kristal” të Pejës Zoran Gjokiq.

Ai u dënua me 12 vite burgim, ku do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

“Gjithsesi se ky është një mesazh për institucionet e shtetit të Kosovës që të mos heshtin por që t’i shpërndajnë fletë arrestet e të dyshuarve që janë jashtë Kosovës gjithandej nëpër botë, për t’i ndjekur dhe zbuluar, të gjithë ata kriminelët të cilët dihen me emër e mbiemër e të cilët gjen mënyra të ndryshme për t’u fshehur nga drejtësia dhe strehuar, në pritje të humbjes dhe zhdukjes së dëshmive dhe provave nga kalimi i kohës”, thekson ai.

Tërnava shprehet se, këto vepra kriminale nuk vjetërsohen, megjithatë fletë ndjekjet ndërkombëtare për të gjithë ata që i kanë krye krimet e ngjashme, vrasje të civilëve dhe gjenocid etj, duhet të ushtrohen ashtu si i parashohin ligjet ndërkombëtare, dhe të gjithë duhet të përgjigjen për ato vepra kriminale të cilat ata vetë i kanë kryer, dhe këto përvoja duhet ti vetëdijsojnë ata të cilët ishin të pamëshirshëm gjatë luftës dhe me ato veprime kryen krime ndërkombëtare të ndaluara me ligje.

“Me dënimin e kriminelëve që janë kapur deri më tani do të vetëdijesohen edhe të tjerët që nëse iu epet rasti të marrin pjesë prapë në ndonjë luftë, që mos të kryejnë krime të tilla që edhe ligjet ndërkombëtare i ndalojnë dhe i kualifikojnë si krime ndërkombëtare”, përfundon Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat