Pse Albin Kurti nuk flet asnjëherë për anëtarët e vrarë të LDK-së? Bashkëluftëtari i Sali Çekajt zbulon arsyet

Politika

Pse Albin Kurti nuk flet asnjëherë për anëtarët e vrarë të LDK-së? Bashkëluftëtari i Sali Çekajt zbulon arsyet

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 17 janar 2023 Në ora: 20:47
Albin Kurti

Me përkujtimin e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq në pesë vjetorin e vrasjes së tij, dhe lëvdatat që kryeministri Albin Kurti i bëri për të dje, nxiti shumë reagime në opinionin publik në Kosovë.

Edhe pse Oliver Ivanoviq u akuzua dhe u dënua për vrasjen e shqiptarëve, Kurti tha se Ivanoviq njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumë etnike.

"Sot ne përkujtojmë jetën dhe kujtimin e Oliver Ivanoviqit, në ditën e vdekjes së tij. Mendimet dhe ngushëllimet e mia janë me familjen dhe miqtë e tij. Oliver Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij. Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord. Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumë etnike”, ka thënë ndër të tjera Albin Kurti, për Oliver Ivanoviqin.

Por Albin Kurti asnjëherë nuk ka marrë mundin që të përkujtojë viktimat e vrasjeve politike në Kosovë, të cilët ishin anëtarë të LDK-së dhe bashkëpunëtorë të Ibrahim Rugovës.

Vetëm pesë ditë më parë, ishte përvjetori i 24-t i vrasjes së Enver Malokut, ish bashkëpunëtorit të ngushtë i Ibrahim Rugovës, por kryeministri Kurti nuk gjeti kohë t’i thotë disa fjalë, ashtu siç veproi me rastin e Ivanoviqit.

Njëjtë Kurti ka vepruar edhe sot, kur po shënohet 21-vjetori i vrasjes së ish deputetit të LDK-së dhe komandanti të UÇK-së në Rugovë, Smajl Hajdaraj.

E sipas ish bashkëluftëtarit të heroit Sali Çekaj, Saim Tahiraj, janë disa arsye pse Albin Kurti nuk i përkujton viktimat e vrasjeve politike në Kosovë.

Image
Saim Tahiraj

“Janë disa arsye pse ai nuk i përkujton figurat madhore të kombit të cilat u vranë me atentate për motive politike, ndërsa përkujton një serb që aq shumë tragjedi i sollën kombit tonë historikisht. E para, është se ai i takon një organizate politike, ideologjia e së cilës e pjellë krimin politik në Kosovë. E dyta është, lidhjet e ngushtë që ka me ideologët e asaj organizate politike”, thotë Tahiraj për “Bota sot”.

“E treta, janë disa figura që dyshohen për udhëheqjen e krimit dhe i ka në radhët e partisë së tij, njëri nga ta po gjykohet në Hagë si i dyshuar. E katërta, urrejtja që ka ndaj LDK-së, Presidenti Rugova dhe të gjitha figurave madhore të saj që u vranë me atentate politike”, shprehet Saim Tahiraj.

Sipas Tahirajt, Kurti i përket ideologjisë majtiste, ashtu siç ishte edhe Ivanoviq.

“Ndërsa Ivanoviqin e përkujton sepse i takon ideologjisë së njëjtë majtiste pansllaviste, pra vëlla ideologjik. Mos u çuditeni sepse ky nuk ndryshon, është po i njëjti vetëm maskat ndërron”, përfundon Saim Tahiraj për “Bota sot”.

Kundër veprimit të Kurtit ka dal edhe deputeti i partisë së tij, Haki Abazi.

“Po Mark Krasniqi, Anton Çetta, Zekeria Cana, Gazmend Zajmi, Afrim Loxha, Ukë Bytyqi…shumë të tjerë, ata nuk meritojnë përkujtim, ata nuk kanë vlerë sa një buqetë lulesh nga Holanda. Po pyes si i erdhi radha Oliver Ivanovic-it? …ndërkohë që aktin e ushtarit të FSK e e gjykuam si krim barbar, ende pa ditur asnje gjë”, shkroi në reagimin e tij deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat