Veprimtari i LDK-së flet për vrasjen e vëllëzërve Gërvalla dhe Kadri Zekës: Tragjike, u tradhtuan nga njerëzit e afërt të tyre!

Politika

Veprimtari i LDK-së flet për vrasjen e vëllëzërve Gërvalla dhe Kadri Zekës: Tragjike, u tradhtuan nga njerëzit e afërt të tyre!

Nga: A.Morina Më: 17 janar 2023 Në ora: 23:02
Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka; foto ilustrim nga "Bota sot"

Sot, më 17 janar, u bënë 41 vite që nga vrasja e heronjve Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës.

Fatkeqësisht, ndonëse kanë kaluar kaq shume vite, asnjëherë drejtësia nuk arriti që t’i zbulojë autorët e këtij atentati.

Në këtë përvjetor, veprimtari i LDK-së, Ismet Mjaki në një prononcim për “Bota sot” janarin e cilësoi si një nga muajt më të ftohtë për shqiptarët.

Ai tha se ‘janarët’ ia morën shqiptarëve personat më të mëdhenj, siç janë: Skënderbeu, Gërvalla dhe Rugova.

“Po janarët janë të ftohtë për nga natyrë, por për ne shqiptarët janarët ishin të ftohtë që nga koha e Skënderbeut e deri më sot. Njerëzit më të mëdhenj kanë ndërruar jetë, si kryeheroi Skënderbeu, Ibrahim Rugova, vëllëzërit Gërvalla dhe shumë e shumë të tjerë. Pra, janarët janë të ftohtë edhe kështu nga jashtë, por edhe nga brendësia e shpirtit se kemi humbur njerëzit më të mëdhnej në janarët”, deklaroi veprimtari i LDK-së.

Image
Veprimtari i LDK-së, Ismet Mjaki

Sa i përket atentatit ndaj vëllëzërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, Mjaki tha se është e qartë se ‘gisht’ në këtë rast ka UDB-ja.

Mirëpo, ai tha se UDB-në e ndihmuan edhe disa grupe të tjera ideologjike.

“Si ka ndodhur rasti këtu, dihet ajo, UDB-ja ishin pjesëmarrës në vrasjen e Gërvallëve se ishin njerëz që kërkonin lirinë për popullin e tyre.

Mirëpo, sipas shumë informatave, atëherë kishte edhe shumë grupe tjer të lëvizjeve të shumta, marksiste, leniniste, ekstreme të majta, që kanë pas konflikte dhe dallime mes tyre, ideologjike dhe me metodat dhe mënyrat se si të arrihet diçka më shumë”, theksoi ai.

Ndër të tjera, veprimtari i LDK-së vlerësoi se në këtë vrasje janë të përshifrë edhe shqiptarët, prandaj këtë e cilësoi si shumë të dhimbshme dhe tragjike.

“Prandaj, unë mendoj që ka pas një bashkëpunim mes UDB-së dhe njerëzve brenda shqipfolës, kjo është edhe e dhimbshme edhe tragjike, pasi njerëzit më të mëdhenj në histori janë tradhtu nga vetë ne, nga njerëzit tanë., si Skënderbeu, ashtu edhe vëllëzërit Gërvalla.

Janë tradhtu nga njerëzit e afërt të tyre, e dhimbshme është kjo dy herë, sespse si duket ne nuk jemi atdhetarë sa shitemi dhe se sa flasim. Pra, shitemi te armiku për t’i bërë dëm vetës dhe kombit”, përfundoi Ismet Mjaki për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat