Tenderi 2.8 milionë euro për autostradë, VV tregon kur do të kyçet Vitia

Politika

Tenderi 2.8 milionë euro për autostradë, VV tregon kur do të kyçet Vitia

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 18 janar 2023 Në ora: 14:25
Lëvizja Vetëvendosje

Ka kaluar një javë që nga hapja e tenderit për kyçjen e Vitisë në autostradën “Arbër Xhaferi”, projekt ky i cili është më i ri në këtë vend.

Vlera e këtij projektit, siç thuhet nga Ministria është rreth 2.8 milionë euro dhe kryetari i komunës së Vitisë, e ka mirëpritur këtë gjersa ka akuzuar Qeverinë për mos transparencë rreth procesit.

Sipas tij, niveli lokal nuk është njoftuar fare nga ai qendror për këtë projekt.

Ai vlerëson se vlera e përcaktuar nuk është e mjaftueshme për përfundimin e punës, teksa shpreson që kjo të përfundojë sa më shpejt.

I pari i komunës thekson se me përfundimin e këtij projekti do të ketë shumë lehtësira për banorët e kësaj ane.

Ministria ende nuk ka bërë të ditur se kur do të fillojnë punimet në këtë drejtim, ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se Vitia është anashkaluar nga qeveritë e kaluara.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mirlinda Tishukaj- Sadiku, ka qenë një ndër personat që vazhdimisht bënte thirrje për kyçjen e Vitisë në autostradë.

E pyetur nga “Bota sot”, kur realisht vitiasit do të arrijnë të kenë kyçje në autostradë, Sadiku shprehet se projekti është dashur të bëhet.

Sadiku shpreson që projekti do përfundojë sipas planit dinamik të paraparë, gjersa përmend zotimet e saj.

“E di që edhe një nga zotimet e mia, se në rast që zgjidhem deputete një ndër çështjet që do të merrem intensivisht padyshim është edhe çështja e kyçjes së Vitisë në autostradë, ku angazhimi imi ka qenë i vazhdueshëm, por është thelbësor edhe angazhimi i Qeverisë Kurti dhe ministrave përkatës. E vërtetë që Komuna e Vitisë është e anashkaluar nga qeveritë e kaluara dhe është e vërtetë që edhe në fjalimin tim të parë e kam cekur që do të bëhet kyçja e Vitisë në autostradë dhe do të bëhet. Sa i përket vonesave është dashur të bëhet projekti, elaborati ish pronësimit, dhe tash së fundmi edhe është hapur tenderi për kryerje të punëve. Në kohën sa kam qenë asambliste (8) vite jam dëshmitare që tri herë kemi votuar deklaratë të përbashkët për këtë kyçje, jam shumë e nderuar që është buxhetuar me 2.8 milionë dhe shumë shpresoj se do të përfundojë sipas planit dinamik të paraparë”, ka deklaruar Sadiku.

Image
Mirlinda Tishukaj- Sadiku

Vendimi për tenderin e autostradës është hera e dytë që hapet, pasi që i fundit u anulua pas rritjes së çmimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat