Atentati ndaj Abdixhikut dhe deputetëve të LDK-së/ Flet eksperti i sigurisë: Kështu duhet të veprohet

Politika

Atentati ndaj Abdixhikut dhe deputetëve të LDK-së/ Flet eksperti i sigurisë: Kështu duhet të veprohet

Nga: P.R Më: 18 janar 2023 Në ora: 22:33
Lumir Abdixhiku

Policia e Kosovës ka konfirmuar raportimet në media për një atentat të planifikuar ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe tre deputetëve tjerë të LDK-së.

“Policia e Kosovës, në këtë rast drejtoria kompetente e PK-së, ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin/kanosjen në fjalë. Të gjitha veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, ka thënë Baki Kelani nga policia e Kosovës.

E gazeta “Bota sot”, përmes burimeve të saja, ka mësuar se edhe tre emrat e deputetëve të LDK-së, ndaj të cilëve ishte planifikuar atentat.

Përveç kryetarit Abdixhiku, atentat ishte planifikuar edhe ndaj Avdullah Hotit, Arben Gashit dhe Armend Zemajt.

Poashtu, planet për atentat i ka konfirmuar edhe deputeti i LDK-së, Kujtim Shala.

“Po, ne sot kemi marrë një informacion të kësaj natyre, pra mund të konfirmoj që jam i informuar për këtë çështje, për një lloj planifikimi, për një rrjet njerëzish të lidhur me të dhe organizatash në Kosovë dhe në disa shtete të tjera të bashkimit Evropian dhe jashtë territorit të Evropës. Individë të cilët kanë rënë në përgjime të njërës prej agjensive intelegjente kryesore të BE-së, të vendeve të BE-së dhe nga ajo çka na është thënë ne, del që ka pasur një plan të strukturuar për këtë gjë”, ka deklaruar Kujtim Shala.

E për atentatin ndaj Lumir Abdixhikut, dhe tre deputetëve të LDK-së, për gazetën “Bota sot” ka folur eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Image
Drizan Shala

“Duhet që organet e sigurisë të Kosovës të merren me hetimin e informacioneve se si ka rrjedh krejt ngjarja. Në anën tjetër të konstatohet a ka pasur komunikim me strukturat e sigurisë së shtetit gjerman me ato të Kosovës apo informacioni ka rrjedh nga njeri person që është i kërcënuar”, thotë Shala për “Bota sot”.

“Pra në hapësirë kemi një kanosje në anën tjetër duhet pritur hetimet dhe assesi të ndërlidhen me zhvillime politik deri sa nuk kemi materie tjetër dhe mos të bimë në grackë qoftë shoqëria dhe institucionet”, shton Shala.

Por cili është qëllimi i atentatit të planifikuar ndaj kreut të opozitës në Kosovë?

“Çdo planifikim, ekzekutim fizik të bartësve institucional si pasojë e pozitës qe ushtron është shqetësuese në gjitha dimensionet dhe që efekti negative mund të jete i lartë në shoqëri”, thekson Shala.

Për fund, eksperti Drizan Shala thotë se kërcënimet ndaj Abdixhikut dhe deputetëve tjerë të LDK-së, duhet të trajtohet me seriozitet të plotë.

“Sepse kërcënimet e tilla janë shqetësuese për faktin që kemi të bëjmë me deputet të kuvendit të Kosovës, ku rezulton edhe që njeri është kryetar atëherë kjo pjese duhet të trajtohet shumë senzitive duke mos dëmtuar provat/informacionet si dhe nxitur reagime emocionale në kampe politike”, përfundon për “Bota sot”, eksperti i sigurisë Drizan Shala.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat