“Litar në fyt për Kosovën”, kush do t’i zbardh vrasjet politike nga viti 2001 e këndej?

Politika

“Litar në fyt për Kosovën”, kush do t’i zbardh vrasjet politike nga viti 2001 e këndej?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 20 janar 2023 Në ora: 16:00
Foto ilustrm - "Bota sot"

Me 1 mars do të fillojë gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Gjatë konferencës së fundit përgatitore, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) tha është gati të fillojë gjykimin, pavarësisht volumit të punës, procedurave dhe dokumenteve që duhet të shqyrtohen.

Gatishmërinë për fillim të gjykimit në muajin mars kanë shprehur edhe avokatët mbrojtës të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës Rexhep Selimi.

Të hapen dosjet për vrasjet politike

Në pritje të gjykimit të ish- krerëve të UÇK-së, analistët politikë thonë se duhet të hapen edhe dosjet për vrasjet politike, pasi që sipas tyre ato kanë mbetur si litar në fyt për Kosovën.

Ata shprehen se vrasjet që kanë ndodhur deri më 31 dhjetor të vitit 2000 do të zbardhen nga Gjykata Speciale, ndërsa pas këtij viti duhet shteti i Kosovës të merret me to.

Analisti Skënder Mulliqi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se vrasjet politike kanë mbetur si litar në fyt për Kosovën dhe zbardhja e tyre është i vetmi ngushëllim për familjarët e të vrarëve.

Image
Analisti Skënder Mulliqi

Sipas Mulliqit vrasjet mbetën të pa zbardhura për shkak të mos funksionimit të organeve të drejtësisë.

“Vrasjet për motive politike ishin fenomeni më i keq që e kanë goditur Kosovën e pas luftës. Shumë nga këto vrasje kanë mbetur ende të pazbardhura, se nuk funksionuan si duhet organet e drejtësisë. Deri në vitin 2008 kur u zyrtarizua pavarësia e Kosovës nga Serbia, pushteti ekzekutiv ishte nën mbikëqyrjen e UNMIK-ut, e cila organizatë ‘mamuthe’ e OKB-së, pak bëri në sundimin e rendit dhe të ligjit, dhe në zbulimin, apo ndalimin e vrasjeve të shumta, të cilat e zymtësuan të ardhmen e Kosovës. Ato ende sot e kësaj dite kanë mbetur si një litar në fyt për Kosovën, ku zbardhja e tyre është ngushëllim i vetëm për familjarët e të vrarëve. 

As organizata ndërkombëtare e EULEX-it nuk qe në detyrën e parashtruar, së bashku më organet përkatëse të shtetit të Kosovës. Shumë herë deri më sot u fol për reformim të organeve të drejtësisë përmes Vettingut, por edhe kjo ende nuk po ndodhë”, ka pohuar Mulliqi.

Gjykata Speciale përpos krimeve të supozuara ndaj serbëve dhe të tjerëve, do të zbulojë ato vrasje të shqiptarëve deri në fund të vitit 2000, sipas Mulliqit, ndërsa pas këtij viti duhet të veprojë pushteti në zbulimin e tyre.

“Mos sundimi i duhur i rendit dhe ligjit në masë të duhur, mendoj unë, bëri që të formohet edhe Gjykata Speciale për krime të supozuara të luftës për Kosovën. Kjo gjykatë përpos krimeve të supozuara ndaj serbëve dhe të tjerëve, do të zbulojë ato vrasje të shqiptarëve, deri në fund të vitit 2000, për të cilën kohë e ka edhe mandatin. Unë mendoj se pas këtij viti mund të ndodhë të gjykohet dikush, vetëm si vazhdimësi e ndodhive gjatë luftës, dhe jo më vonë. Nevojitet reformim në të gjitha hallkat e pushtetit, e kjo reformë po shkon shumë ngadalë, e që duhet të përshpejtohet. Pushteti i ri duhet të veprojë shumë më shpejt në këtë drejtim, siç edhe i kanë dhënë premtimet para zgjedhjeve nacionale të vitit 2019.Tash pas tre vitesh të qeverisjes, natyrisht se kërkohen nga qytetarët veprime më konkrete. Pa zbatimin e Ligjit të Vettingut, nuk mund të llogarisim shumë, se në Kosovë do të funksiononin në mënyrë efikase, shteti ligjor, i cili do t’i kishte riparuar gabimet e shumta nga e kaluara e gjatë 20 vjeçare”, ka theksuar Mulliqi.

Ai ka kërkuar nga të gjithë ta rrisin zërin për reforma, pasi sipas tij, nuk duhet të heshtin nëse duan që Kosova të jetë në Evropën e Bashkuar.

“Unë mendoj se duhet hapur edhe dosjet, që është edhe kusht, për tu inkuadruar në strukturën e BE-së. Të gjitha vendet e rajonit, pos Shqipërisë e Kosovës, e kanë mbyllur kaptinën e dosjeve. Ky është natyrisht një proces jo i lehtë, që kemi të bëjmë edhe me pikëpamje ideologjike të ndryshme, të cilat ndikuan për të keq, në jetën shoqërore dhe politike të Kosovës, dhe në jetën jo të mirë, të cilën po e bëjnë sot shumica e qytetarëve. Kur është fjala te reformat të gjithë duhet ta ngrisin zërin, pozitë dhe opozitë, por dhe shoqëritë civile e jo të zgjedhin heshtjen, nëse e dëshirojmë më shpejt Evropën e Bashkuar, dhe kur dihet se ende është në proces kaptina e pambyllur e bisedimeve me Serbinë”, shton Mulliqi.

Zyra e Prokurorit të Specializuar akuzon ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Por, si fillim të konfliktit të armatosur ZPS-ja ka përmendur janarin e vitit 1998 dhe si përfundim të konfliktit shtatorin e vitit 1999.

Megjithatë avokatët mbrojtës të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit thanë se duhet qartësuar saktësisht datën se kur ZPS-ja konsideron se ka filluar konflikti i armatosur dhe se kur ka përfunduar ai, pasi sipas tyre, disa prej akuzave për krime lufte nuk përkojnë me datën e fillimit e as të mbarimit të konfliktit të armatosur.

Gjykata speciale është e pandikueshme

Analisti politik, Muhamet Kelmendi thotë se veprat pas 31 dhjetorit të vitit 2000, i takojnë organeve të Kosovës t’i gjykojnë.

Sipas Kelmendit, në Gjykatë Speciale nuk mund të intervenojë askush, pasi është Gjykatë e pavarur.

Image
Analisti politik, Muhamet Kelmendi

“Gjykata Speciale vepron jashtë sistemit të drejtësisë në Kosovë. Me vendim të nxjerrë në Kuvendin e Kosovës, në vitin 2015, me propozimin e faktorit ndërkombëtar, është krijuar Gjykata Speciale, me seli në Dene Hagë. Kompetencat e kësaj gjykate shkojnë, deri në dhjetor të vitit 2000. Çdo vepër penale, pavarësisht prej kryesve të saj, gjykohet nga ana e kësaj gjykate. Veprat pas 31 dhjetorit të vitit 2000, i takojnë organeve të Kosovës, të cilat edhe janë kompetente t’i gjykojnë. Gjykata Speciale e ka edhe Prokurorinë e vete speciale. Ajo heton e pavarur dhe ka kompetenca të gjëra brenda kësaj kohe. Askush nga Kosova nuk mund të intervenojë. Tash a do të akuzohen dhe kush do të akuzohet nuk i dinë organet e Kosovës. Gjykata Speciale vepron jashtë çdo kontrolli të Kosovës. Është gjykatë e pavarur. Këtej është e pamundur të jepen mendime dhe të konstatohet se kush do të akuzohet”, ka deklaruar Kelmendi.

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ish-eprorët e UÇK-së u arrestuan nëntorin e vitit 2020. Që nga ajo kohë ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.

Ata dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat