Përmbajtja e planit franko- gjerman, komentojnë analistët: Do të ‘kontrabandohet’ asociacioni!

Politika

Përmbajtja e planit franko- gjerman, komentojnë analistët: Do të ‘kontrabandohet’ asociacioni!

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 25 janar 2023 Në ora: 11:38
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Jeffrey Hovenier, Aleksander Vuçiq

Dialogu Kosovë- Serbi ende nuk ka gjetur një epilog, ndërsa ndërkombëtarët tashmë kanë filluar ta marrin “më seriozisht” që një marrëveshje në mes të dyja vendeve të jetë e afërt.

Javën që shkoi pesë emisarët ndërkombëtarë zhvilluan takime si me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, ashtu edhe me presidentin serb.

Kurse, të dielën mediat e publikuan përmbajtjen e planit evropian, apo të njohur si propozimi franko- gjerman.

Propozimi evropian, sipas mediave, përmban 10 pika.

Pos tjerash, në pikën 4 të propozimit evropian të “marrëveshjes bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shkruhet se Serbia dhe Kosova dalin nga supozimi se asnjëra prej tyre nuk mund të përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare, ose të veprojë në emër të saj.

Sipas këtij plani, Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk përmendet konkretisht.

Ndërsa, pika e fundit në pikën 10 shkruhet: “Të dyja palët konfirmojnë detyrimet e tyre për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të mëparshme”.

Duke komentuar planin evropian të publikuar në media, analistët politikë thonë për “Bota sot”, se Serbisë nuk i shkon për shtati ky projekt, por edhe për Kosovën do të jetë sfidues funksionimi i dialogut përmes këtij projekti.

“Kurthi i dytë”

Edhe pse në projekt nuk përmendet asociacioni konkretisht, sipas analistëve ai do të futet në njërën nga pikat dhe kjo do të jetë pastaj cenuese për Kosovën.

Profesori Fadil Maloku thotë se Serbia deri më tani ka lozur me dy “karta” dhe tani ka ardhur koha të zgjedh.

Sipas tij, “kurthi i dytë”, ka të bëjë me pretendimin e saj politik të manipulimit të pakicës serbe në Kosovë.

“Kurthi i parë, sepse, nuk kishte as edhe një bazë e mundësi të vetme të instalimit pragmatik të modelit të ”bashkëjetesës së multietnicitetit” (që ishte inskenuar e imponuar artificialisht!) dhe amputimit të Zajednices monoetnike! Serbia, deri më tani ka “lozur” me këto dy “karta” kurthëruese! Tani ka ardhur koha kur duhet të zgjedhë ose Asociacion (pa superprivilegje e superdiskriminim pozitiv) ose, superprivilegje e superdiskriminim (pa Asociacion)(!?);

Kurthi i dytë, ka të bëjë me pretendimin e saj politik të manipulimit të pakicës serbe në Kosovë. Ajo gjatë gjithë periudhës së pasluftës arriti që pakicën demografike prej 3%-sh ta viktimizoj në sy të Uashingtonit dhe të Brukselit. Ndërkaq, si imperativ e kishte synimin që (fillimisht) të uzurpoj e më vonë edhe ta kontrolloj 25%-ishin e gjeografisë së Kosovës(!?)”, pohon Maloku.

Image
Fadil Maloku

Tutje, në listimin e kurtheve, Maloku është shprehur se Serbia ka bërë që “të kujdestarojnë” online si strukturat paralele ashtu edhe ato lojale serbe ndaj shumë proceseve.

“Kurthi i tretë, ka të bëjë ekskluzivisht me pamundësinë e ambientimit dhe të koegzistencēs në “hapësira” të njëjta gjeopolitike e ambiente sociale, paradigma e modelit të superdiskriminimit pozitiv me atë të superdiskriminimit negativ (?!);

Kurthi i katërt, bëri që të “kujdestarojnë” online si strukturat paralele ashtu edhe ato lojale serbe, ndaj proceseve dhe zhvillimeve që kishin të bënin me sovranitetin e për të vazhduar pastaj me “infrastrukturën” ligjore dhe manifestimin e pabarazisë para ligjit e Kushtetutës. Këto struktura që faktikisht, u etabluan qëllimisht në shumicën e pikave neuralgjike (mjeshtërisht: në FSK, polici, gjyqësi, por, jo edhe në shëndetësi e arsimit!?) të demokracisë, u dëshmua (sidomos pas braktisjes) që e kanë shumë problem ta pranojnë dhe të ”mirëmbahen”, si kontribuuese ekuivalente të procesit të shtet ndërtimit të Kosovës(!?)”, thekson Maloku.

Profesori te “kurthi i pestë, gjashtë dhe shtatë”, i ka future vlerat evropiane, super privilegjet dhe super diskriminimi pozitiv të pakicës serbe nga Kosova dhe synimin e Serbisë për marrjen e territorit të Kosovës.

“Kurthi i pestë, ku vlerave evropiane (që i kultivonim me afsh 95%-i shqiptarë) padrejtësisht u jepej “pesha” e njëjtë “specifike”, me minoritarët e frustruar dhe tejet të privilegjuar serb!? Ani pse, këto vlera kishin si imperativ të vetëm; kacafytjen (madje edhe) publike dhe “fyt për fyt” me vlerat dhe modelet e sjelljes dhe qeverisjes autokrate proruse (sjelljet e pakicës së 3%-it serb)(?!); Kurthi i gjashtë, ku super privilegjet dhe super diskriminimi pozitiv i pakicës serbe kosovare, nuk u “konsumuan” si të drejta dhe privilegje që garantonin prosperitet dhe zhvillim vetanak, por, u shndërruan në armë të fuqishme për autokratin Aleksandër Vuçiq, për ta komprometuar (përmes Lista “Srpska“), shantazhuar (përmes 10 vendeve të garantuara në Parlament) dhe për ta zgjeruar territorialisht ndikimin (përmes: 700 ha me tapi në pronësi të Kishës Ortodokse, de facto dhe de jure pronarit më të madh në Kosovë, privilegj ky që as në kohën e Car Dushanit s’ ekzistonte!) serb edhe në sferat tjera të jetës. Model, ky që ishte tërësisht antipod i sjelljeve që e bën Serbia, me shqiptarët e Luginës(?!);”.

“Kurthi shtatë, një model i stërvitur i komunikimit ndëretnik, ku dështuan të bashkërenditen dhe të bashkëjetojnë; të drejtat shtesë për 3% të minoritarëve serb, me insistimin për një asociacion me kompetenca ekzekutive (lexo: aneksim apo ndarje “paqësore”!?), ku Serbia e synon 25% të territorit Kosovës. Ngase, nuk ka kurrfarë kuptimi “bashkëjetesa” midis superdiskriminimit që “prodhoi” superprivilegje dhe asociacionit që shpresohet të “prodhoj” një “Republika Serbe në Kosovë(?!)”;

Tani, nëse shtrohet çështja se si Kosova mund të dalë nga këto dhe kurthe të tjera perfide që i lansoi e i “promovoi” Serbia, jo vetëm gjatë këtyre tri dekadave të fundit, por, edhe gjatë gjithë historisë dhe përvojave të hidhura shekullore ndaj shqiptarëve, mendoj se na duhen “dioptri” e kundërpërgjigje më të sofistikuara dhe më të avancuara”, thotë Maloku.

Nga kabineti i kryeministrit Kurti, pas takimit me emisarët ndërkombëtarë, kanë thënë se propozimi evropian vlerësohet “bazë e mirë për diskutim të mëtejshëm për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër”.

Ndërsa, presidenti serb ishte shprehur se bisedimet ishin shumë të vështira, “ndoshta më të vështira që kemi pasur”, se ishte një diskutim i hapur rreth “asaj për të cilën jemi dakord, është se konflikti i ngrirë nuk është zgjidhje”.

Ky plan nuk i shkon shumë përshtati Serbisë, por krijon probleme për Kosovën

Analisti politik, Skënder Mulliqi, thotë se plani frako- gjerman ende ka paqartësi për opinionin.

Sipas tij, asociacioni nuk figuron në këtë plan, mirëpo ka gjasa të futet dhe kjo duke u bazuar në pikën 10 të përmbajtjes.

“Plani franko-gjerman, ende ka paqartësi për opinion, se cilat janë të gjitha pikat e këtij plani, si bazë siç thuhet të vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi. Sa shihet në 10 pikat e publikuara, Serbia nuk do të pengojë inkuadrimin e Kosovës në asnjë strukturë evropiane, madje këtu nuk figuron, por në planin franko -gjerman është kusht nga Serbia që mos ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në OKB, si kundër shpërblim që ajo të inkuadrohet në BE. Edhe më parë është ditur se asociacioni nuk figuron në këtë plan, por që sipas shumë njohësve ai ka mundësi të futet në kuadër të këtij plani. Asociacioni është tema më diskutabile, ku për ata, të cilët e kanë lexuar përmbajtjen e asociacionit, gati çdo formë përpos të formës të OJQ-ve, cenon rendin kushtetues të Kosovës, duke mos e lënë asnjëherë Kosovën të jetë shtet funksional. Ajo që bie në sy është në pikën 10 ku thuhet se të gjitha palët duhet t’i përmbushin detyrimet nga marrëveshjet ndërkombëtare. Kjo flet se edhe Kosova duhet t’i përmbushë detyrimet nga nënshkrimi i marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015 lidhur me asociacionin. Thaçi dhe Mustafa shumë sherr i kanë bërë Kosovës”, pohon Mulliqi.

Image
Skënder Mulliqi

Ky plan nuk i shkon shumë përshtati Serbisë, sipas Mulliqit, kjo sepse në formë decidive duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës.

Ai ka komentuar pikat e përmbajtjes, gjersa ka shtuar se në pikën e shtatë do të aludohet për asociacionin e komunave me shumicë serbe, jo i pranueshëm për Kosovën.

“Përkundër pohimit të Vuçiqit se diskutimet ishin shumë të vështira, tha se për atë do të ketë edhe diskutim publik. Kjo flet se Vuçiqit nuk i shkon shumë për shtati plani franko -gjerman, se në shumë pika Serbia sipas planit edhe pse jo të formës decidive duhet ta pranojë pavarësinë Kosovës. Në pikën 1 ku thuhet se palët do të kenë marrëdhënie të mira reciproke, duke i njohur reciprokisht dokumentet dhe simbolet kombëtare, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore, të gjitha këto janë elemente të shtetësisë së Kosovës, nëse Serbia e pranon planin. Edhe pika 2 e cila flet se të dyja palët duhet t’i përmbahen Kartës së Kombeve të Bashkuara, është pozitive për Kosovën, e cila vazhdon edhe në pikën 3 të këtij dokumenti, ku nuk lejohet kërcënimi apo përdorimi i forcës. Edhe pika katër ku Serbia nuk ka të drejtë të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë strukturë evropiane. Pika vijuese ka të bëjë me vazhdimin e dialogut, ndërsa pika e 7 mua më duket shumë e diskutueshme se duhet ta pranojë Kosova vetëqeverisjen e lartë për minoritetit serb, në fusha specifike, që më duket se në këtë pikë aludohet në asociacionin e komunave me shumicë serbe, jo i pranueshëm për Kosovën”, thotë analisti.

Qeveria ka sprovë të madhe asociacionin, sipas Mulliqit, gjersa ka shtuar se pala e Kosovës nuk duhet ta pranojë eksterritorialitetin e 40 kishave dhe manastireve sa janë në Kosovë.

“Qeveria jonë e ka sprovë të madhe asociacionin, i cili sipas dokumenteve të shkruara, është jashtë konceptit kushtetues të vendit, që i mundëson minoritetit serb autonomi shumë të gjerë fillimisht. Edhe kur bëhet fjalë për zyrtarizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe duke i siguruar asaj mbrojte të lartë mendoj se ka vend që pala jonë duhet të mos pranojë eksterritorialitetin e 40 kishave dhe manastireve sa janë në Kosovë. Këtë gabim e patë bërë Grupi i Unitetit, në dialog me Serbinë, si dhe shumë gabime që u bën më pas, të cilat ka mundësi të na kushtojnë shumë”, ka theksuar ai.

Pikat tetë dhe nëntë, sipas Mulliqit janë më shumë teknike, ndërsa vazhdimi i dialogut sipas këtij plani do të jetë shumë sfidues edhe për Kosovën.

“Pikat 8 dhe 9 nuk kanë të bëjnë më shumë me çështje teknike dhe këtu nuk shoh diçka të keqe siç është shkëmbimi i misioneve të përhershme dhe ndihma financiare që do të vijnë nga BE-ja. Ndërsa, në pikën e fundit thuhet se duhet të formohen komisionet për monitorimin e gjithë marrëveshjeve. Për fund disa fjalë për modelin e “Belgjikës Lindore”, që po flitet si mundësi që do të kishte asociacioni, e që nuk bënë në asnjë mënyre të pranohet, kur dihet se është model thuaja shtet në shtet. Vazhdimi i dialogut sipas planit franko -gjerman edhe për palën e Kosovës do të jetë shumë sfidues, por që duhet bërë shumë kujdes çka të pranohet nga ky plan dhe çka të hidhet poshtë, aty ku preket statusi politik i Kosovës”, përfundon Mulliqi.

Kujtojmë se Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat fillimisht si bisedime teknike, për normalizimin e marrëdhënieve, qysh në vitin 2011, me ndërmjetësimin e BE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat