Pranuan planin franko-gjerman/ Çfarë mesazhe morën Kurti e Vuçiq nga diplomatët amerikan dhe evropian?

Politika

Pranuan planin franko-gjerman/ Çfarë mesazhe morën Kurti e Vuçiq nga diplomatët amerikan dhe evropian?

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 7 shkurt 2023 Në ora: 20:36
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë takimit me emisarin e posaçëm të dialogut, Miroslav Lajçak

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Kosova pranon planin franko-gjerman për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Bashkëbisedim i mirë me përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajcak në një drekë pune në Prishtinë. Ne e pranojmë propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë si një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, si dhe një platformë solidë për të ecur tutje”, ka shkruar Kurti pas takimit me emisarin e posaçëm të dialogut, Miroslav Lajçak.

E sipas ish ambasadorit dhe ish-zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Anton Berisha, kjo deklaratë e Kurtit tregon edhe fillimin e ndryshimit të tij politik.

Image
Anton Berisha

“Deklarata e Kurtit për pranimin e planit franko-gjerman paraqet fundin e sjelljes se Kurtit si një misionar, çfarë ka qenë me më shumë se një dekadë, ku ai e shihte veten si çelës dhe zgjidhës të problemeve politike, dhe paraqet fillimin e sjelljes së tij si funksionar politik me fuqi të kufizuar që duhet t’i pershtatit planit ndërkombëtar”, thotë Berisha për “Bota sot”.

Sipas tij, ashtu si Kurti, edhe Vuçiq kanë marrë mesazhet nga diplomatët amerikan e evropian.

“Edhe kryeministri Kurti, edhe presidenti serb Vuqiq, kanë marrë mesazhet e duhura nga diplomatët amerikan dhe evropian se nuk ka kohë të pakufishme të lojërave të brendshme politike, e as te rivaliteteve populiste, por është koha e stabilizimit të situatës në Ballkan marrë parasysh edhe kontekstin gjeostrategjik dhe gjeopolitik të krizës ukrainase”, thekson Berisha.

“Beteja e Kurtit tash mbetet me veten e tij, me politiken e deritanishme, me mbivlerësimin e vetes dhe me diskursin antiperendimor që e ka ushqyer në dekada si dhe raporti me përkrahësit e tij, por edhe me shoqërinë që një pjesë i kanë besuar ligjërimeve të tij që kanë qenë iluzione dhe demagogji e pastër”, shton ish ambasadori Berisha.

Për fund, ai thotë se bashkësia ndërkombëtare nuk do t’i lë rrugë Kurtit e Vuçiqit që t’i ikin planit franko-gjerman.

“Unë, pavarësisht paparashikushmerisë së veprimeve të Kurtit e Vuçiqit, nuk shoh se Perëndimi do t’u lejoj këtyre t’i ikin projektit tashmë të dakorduar franko-gjerman sepse masat do të jenë të ashpra qoftë për karrierën e tyre politike qoftë ndaj vet Kosovës e Serbisë”, përfundon për “Bota sot”, ish ambasadori Anton Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat