Asociacioni dhe plani franko-gjerman – “Kushtet e Albin Kurtit të vonuara”, cili është hapi i radhës i kryeministrit?

Politika

Asociacioni dhe plani franko-gjerman – “Kushtet e Albin Kurtit të vonuara”, cili është hapi i radhës i kryeministrit?

Nga: Nehat Shaqiri Më: 7 shkurt 2023 Në ora: 22:34
Albin Kurti, Ambasadori amerikan dhe Aleksander Vuçiq

Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe Bashkimi Evropian me shtetet mike të Kosovës, si Gjermania, Franca, Italia por edhe Britania e Madhe janë duke kërkuar formimin e Asociacionit në Kosovë.

E mira e gjithë kësaj thirrjeje është se, Asociacioni duhet të formohet në bazë të Kushtetutës së Kosovës, dhe nuk do të ketë rrezik sikurse në Bosnjë, për një republikë serbe.

Mirëpo, për të pranuar Asociacionin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paraqitur gjashtë kushte.

Ndërsa, gjatë ditës së sotme, kryeministri Kurti është pajtuar edhe për planin evropian për të arritur një marrëveshje me Serbinë, megjithatë, akoma mbetet pikëpyetje se a do të jetë kjo marrëveshje me njohje reciproke, ashtu siç po e kërkon Qeveria e Ksoovës.

Në lidhje me formimin e Asociacionit dhe planin franko-gjerman, është deklaruar analisti politik Rexhep Elezaj.

Analisti thotë se kushtet e kryeminsitrit Kurti për formimin e Asociacionit janë të vonuara.

“Mendoj se 6 kushtet e reja të cilat kryeministri Kurti i vendosi si kusht për formimin e AKS-së në kuadër të Planit franko-gjerman, ani se janë mjaft të mira, në fakt janë të vonuara, kur kihet parasysh fakti se marrëveshja e Brukselit (2015) midis Kosovës dhe Serbisë për formimin e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, veç ishte e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, duke marrë kështu mbi supet e veta obligimin juridik për formimin e saj, por të cilin obligim Kosova me të drejtë nuk e ka zbatuar deri tash”, thotë Elezaj për gazetën “Bota sot”.

Image
Rexhep Elezaj

Ai shprehet se marrëveshja për Asociacionin është nënshkruar nga Thaçi e Mustafa, duke shtuar se Thaçi është dashur të përgjigjet penalisht para organeve të drejtësisë.

Por, nuk duhet harruar kurrë, se nënshkrimi i asaj marrëveshjeje ka qenë një gabim tepër i rëndë politiko-juridik që e kanë nënshkruar me vetëdije Hashim Thaçi me 2013 dhe Isa Mustafa me 2015, duke pranuar një marrëveshje shkatërruese për Kosovën, me të cilën ligjërisht i hapën derën formimit të saj, të cilët (HM) është dashur të përgjigjeshin penalisht para organeve të drejtësisë, ngase kjo marrëveshje për një dekadë e ka mbajtur peng dialogun Kosovë-Serbi, duke e ngulfatur edhe ecjen përpara të vendit tonë”, pohon ai.

Elezaj shton se, nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje ka qenë një akt i tradhtisë shtetërore, pasojat e të cilës edhe sot po i vuan populli shqiptar, qeveria aktuale dhe vetë Kosova.

“Andaj, pa marrë parasysh dëshirat dhe qëndrimet tona individuale dhe kolektive që i kemi të gjithë kundër formimit të këtij asociacioni, si dhe kërkesën tonë, që qeveria Kurti ta refuzojë kategorikisht formimin e AKS-së, lidhur më këtë qëndrim jam mjaft skeptik, se ajo do ia dalë t’i shmanget këtij obligimi të marrë në Bruksel në vitin 2015. Shto kësaj presonin e madh të miqve amerikanë, që AKS të formohet menjëherë por në harmoni me Kushtetutën e Kosovës!”, potencon ai.

Mbase, sipas tij, nuk duhet harruar as faktin, se në ndërkohë, sidomos qëkur ka filluar agresioni rus në Ukrainë, kanë ndryshuar pothuajse të gjitha rrethanat politike, ekonomike, ushtarake dhe diplomatike në Evropë, përfshirë Ballkanin perëndimor, por dhe në botë.

“Pra, ndryshimi i këtyre rrethanave e ka sjellë edhe ndryshimin e strategjive globale të fuqive të mëdha në botë, sidomos te ShBA-ja, duke e përshpejtuar në të njëjtën kohë edhe procesin e dialogut Kosovë-Serbi, i cili siç dihet, për dhjetë vite nuk ka dhënë asnjë rezultat pozitiv për Kosovën. Mbase, si rezultat i ndryshimit të këtyre rrethanave erdhi edhe deri te Plani i ri franko-gjerman, të cilin dy shtetet më të fuqishme të BE-së, Franca dhe Gjermania, ua ofruan dy palëve negociuese, Kosovës dhe Serbisë, si kornizë e re për vazhdimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre”, thotë Elezaj.

Ai shton se, e gjithë kjo ka ndodhur kështu për faktin se, ngase në agjendën e zbatimit të planeve dhe strategjisë së ShBA-së dhe BE-së qëndron parimi, se së pari duhet zgjidhur problemet e vogla, pastaj ato të mëdhatë, duke marrë parasysh, në veçanti, lojën e ndytë pro-ruse të Serbisë, e cila ende po vazhdon të luajë me dy karta, edhe me Rusinë, edhe me Evropën, gjëra të cilat nuk mund të ecin më bashkë njëra me tjetrën.

“Pra, në rend të parë duhet zgjidhur konfliktin e ngrirë Kosovë-Serbi, si një pengesë e madhe drejt zgjidhjes finale të tij, për të ecë tutje në zbatimin strategjisë euro-amerikane, në rend të parë, zhbërjen e ndikimit rus në Ballkanin perëndimor dhe më gjerë. Mirëpo siç dihet, gjithnjë në raport me luftën në Ukrainë, regjimi fashist i Beogradit po vazhdon të taktizojë duke blerë kohë, dhe atë në pritje të fitores së Rusisë në Ukrainë, për të marrë pastaj vendime finale, pra rreshtimin e saj “historik” me “nënën” Rusi..!?”, potencon Elezaj.

Ai shton se, Serbia nuk do të pranojë pavarësinë e Ksoovës, prandaj ka dalë plani franko-gjerman ku Serbia detyrohet që të pranojë gjendjen reale.

“Serbia, me një regjim kriminal dhe antishqiptar çfarë vazhdon të jetë, ajo asnjëherë nuk do ta pranojë formalisht pavarësinë e Kosovës, prandaj edhe ka dalë Plani i ri franko-gjerman, me të cilin Serbia detyrohet ta njeh gjendjen reale, Kosovën si shtet më vete dhe i pavarur, ashtu siç nënkuptohet në Nenin 2 të këtij Plani, duke ikur qëllimisht nga njohja formale, madje me kërkesë të Serbisë ka disa muaj që në vokabularin politik të faktorëve ndërkombëtarë është hequr fraza, “njohje reciproke”, gjë që ishte ky një kompromis i ndërkombëtarëve i bërë ndaj Serbisë. Pra, bisedimet Kosovë-Serbi për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve të tyre ndër-fqinjësore, gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe juridikisht të obligueshme, do vazhdojnë në kuadër të Planit të ri franko-gjerman, e të cilat mund të zgjasin me vite..!”, përfundon analisti politik Rexhep Elezaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat