Amerika mbështet Kosovën, Rusia paralajmëron Serbinë! Cili do të jetë ‘epilogu’ i dialogut në Bruksel?

Politika

Amerika mbështet Kosovën, Rusia paralajmëron Serbinë! Cili do të jetë ‘epilogu’ i dialogut në Bruksel?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 14 shkurt 2023 Në ora: 10:00
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe emisari amerikan, Gabriel Escobar

Plani franko-gjerman vazhdon të jetë në qendër të diskutimeve, pasi po vlerësohet si propozimi që mund të sjellë një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë. 

Megjithatë, jo çdo gjë po duket se do shkojë lehtë, kjo pasi dy shtetet nuk kanë qëndrime të përafërta. 

Vetëm pak ditë më parë, këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Cholet zhvilloi një bisedë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me të cilin ka foli për propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. 

Chollet, përmes një postimin në Twitter, tha se ShBA-ja mirëpret vendimin e Kosovës për të pranuar propozimin e BE-së. 

“Kam folur sot me kryeministrin Albin Kurti. Ne mirëpresim vendimin e Kosovës për të pranuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Tani na duhet zbatimi për të siguruar përfitime të rëndësishme për të dy vendet”, ka shkruar Chollet. 

Derisa, Amerika po përkrah dhe vlerëson qëndrimet e kryeministrit të Kosovës, në anën tjetër është Rusia, ajo që po i ndërhynë Serbisë, më saktësisht Vuçiqit. 

Në një nga deklaratat e fundit, ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Bochan-Kharchenko,  foli për planin franko-gjerman, të cilin e kundërshtoi. 

Ai tha se e kupton që plani franko-gjerman “për zgjidhjen e çështjes së Kosovës” nuk është i pranueshëm për Serbinë, sepse parasheh moskundërshtimin e Serbisë që Kosova të anëtarësohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare. 

“Ndryshe nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, plani franko-gjerman nuk është bazë për zgjidhje afatgjatë të çështjes së Kosovës. Dhe ky plan, si gjithë të mëparshmit, parasheh lëshime të njëanshme nga Beogradi, në radhë të parë që Kosova të bëhet anëtare e të gjitha institucioneve ndërkombëtare dhe Kombeve të Bashkuara. Plani franko-gjerman në thelb përfaqëson njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Perëndimi këmbëngul hapur se Beogradi duhet të njohë pavarësinë e Kosovës”, tha Bocan-Harchenko. 

Derisa Kosova ka në krah Amerikën dhe Serbia Rusinë, atëherë vetëm mbetet të shihet se sa mund të arrihet një marrëveshje finale dhe se a do ndëshkohet shteti serb për shkak të Rusisë së Putinit. 

Zogaj: Kosova e ka fjalën dhe rolin kryesor 

Image
Opinionisti Skënder Zogaj

Opinionisti Skënder Zogaj në një bashkëbisedim me gazetën “Bota sot” foli për zvarritjet e procesit të dialogut Kosovë-Serbi. 

Krahas kësaj, ai përmendi edhe problemet me themelimin e Asociacionit dhe  vërejtjet e Kushtetueses. 

“Zgjatja 10-veçare e diskutimit të marrëveshjes për Asociacionin, që e ka pranuar Qeveria e Kosovës, por për fat të mirë e ka ndaluar Gjykata Kushtetuese, e cila i ka evidentuar 23 mospërputhje ligjore me Kushtetutën, prandaj Asociacioni nuk është formuar.  

Mirëpo, edhe këtu ka ngjarë një e keqe e madhe: Qeveria e Kosovës është dashur ta di se, derisa ka pasur të nënshkruar një marrëveshje, është dashur të angazhohet maksimalisht rreth hartimit të dokumentit themelues, statutit të Asociacionit, duke i zbatuar vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese dhe të mos pres që, bashkësia ndërkombëtare të intervenojë”, deklaroi ai. 

Sipas Zogajt, gjithsesi duhet pranuar plani franko-gjerman dhe nuk duhet marrë për bazë deklaratat e Rusisë për këtë çështje. 

“Kjo nuk ka ndodhur dhe edhe pas 10 vitesh ne zihemi galif, e të mos e kemi ende të qartë se çka të bëjmë! Bashkësia ndërkombëtare e ka krijuar një dokument dhe, mendoj se, nuk do të mund të hidhet! Refuzuesit padyshim që  bartin pasoja. Serbia e pavarësisht nga deklarimet ka për ta pranuar propozimin franko-gjerman, ndërsa Ruasia është e parëndësishme çka thotë, sepse strategjisë Rusise i duhet Serbia Evropiane”, theksoi opinionisti. 

Ndër të tjera, ai kërkoi nga Kosova që të fokusohet në dialog dhe të marrin një vendim përfundimtar për Asociacionin.  

“Pra, Kosova e ka fjalën dhe rolin kryesor, gjë që, faktori politik i Kosovës duhet të mos neglizhojë por të angazhohet seriozisht për vendimin definitiv rreth Asociacionit dhe përgjegjësinë e mëtutjeshme të çdo lloj efekti që mund të prodhojë kjo sajesë brenda shtetit të lirë e të pavarur të Kosovës. Partitë politike gabojnë nëse kërkojnë dhjam nga pleshti” përfundoi Skënder Zogaj për “Bota sot”. 

Qarri: SHBA dhe BE, përfundimisht duhet ti kenë parasysh, të gjitha këto dëme masive që i ngarkohen pa të drejtë Republikës së Kosovës 

Ndërsa, analisti politik, Gani Qarri në prononcimin e tij dhënë “Bota sot” e vlerësoi Qeverinë e Kosovës si partnere të besueshme të aleatëve evropianë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

Image
Analisti politik, Gani Qarri

“Nisur nga synimet që thuhet se ka propozimi i Bashkimit Evropian, i njohur ndryshe edhe si plani franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve, Kosova dhe udhëheqja e saj shtetërore, përkundër kërcënimeve të vazhdueshme, ndërhyrjeve të pareshtura në çështjet e brendshme shtetërore dhe veprimeve të hapura agresive të Serbisë hegjemoniste, kundër vendit tonë, duke ngritur qëllimisht dhe në mënyrë të vazhdueshme tensionet në veri, është treguar mjaft konstruktive dhe me qëndrim të matur e parimor në adresimin e problemeve që e përcjellin vendin tonë dhe mbarë rajonin.     

Vet kjo dëshmon edhe njëherë më tepër, se Qeveria e Kosovës është partnere e besueshme e aleatëve evropianë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të cilat, siç dihet, vendi dhe populli ynë historikisht dhe tradicionalisht, ende shpreson se ka marrëdhënie të ngushta dhe shumë miqësore”, deklaroi ai. 

Mirëpo, Qarri tha se krahas mbështetjes që ia ka dhënë Kosovës për pranimin e planit franko-gjerman, Amerika duhet të marrë vendim të vendosë sanksione ndaj Serbisë. 

“Por sado që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së fundi, kanë mbështetur vendimin e Kosovës për pranimin e propozimit të BE-së, të njohur ndryshe edhe si plani franko-gjerman, duke potencuar se do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetjen e tyre për dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në realitet, nga SHBA dhe BE, do duhej që të penalizohet sa më rëndë Serbia hegjemoniste, nëse tani e refuzon edhe këtë planë, pa pranimin e të cilit, automatikisht do të ndërpritej dialogu ndërmjet të dy vendeve dhe bëhej e pamundshme vazhdimësia e bisedimeve Kosovë-Serbi”, nënvizoi analisti. 

Një fakt, shqetësues për të është insistimi për themelimin e Asociacionit, gjë që sipas tij është në dëm të Kosovës.   

“Në anën tjetër brengos shumë fakti se përveç heqjes së njohjes ndërmjet të dy vendeve, reciprocitetit në trajtimin e minoriteteve dhe pranimit të Kosovës në OKB, nga procesi i bisedimeve edhe pse në këtë propozim nuk figuron krijimi i asociacionit kundër-kushtetues një etnik serb, çuditërisht nga Gabriel Eskobar e Mirosllav Lajçak, nuk e di se me çfarë të drejte këmbëngulet në krijimin medoemos të “zajednicës” serbe, që nuk është asgjë më pak, se hapje e istikameve për luftën e ardhshme ndërmjet të dy vendeve.     

Për aq më tepër, përkundër dëmtimit të hapur të vendit tonë, edhe përkrahja ndaj Kosovës, erdhi vetëm pasi ambasadori rus në Beograd paralajmëroi Serbinë që mos ta pranojë planin franko-gjerman, të cilin Vuçiq vetëm para pak ditësh deklarohej sikur e kishte pranuar”, u shpreh Qarri. 

Më tej, analisti përmendi edhe disa dëme që i ka pësuar Kosova nga shteti serb, ku kërkoi nga BE dhe SHBA t’i marrë parasysh ato. 

“Siç dihet në historikun mese 12 vjeçar të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, më 2013, Kosova dhe Serbia kishin arritur Marrëveshjen edhe për rregullimin e çështjes së furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike në katër komunat në veri, të Kosovës, por duke qenë se pjesëtarët e pakicës serbe, që nga vitit 1999 nuk paguajnë ujin as rrymën, sipas kryeministrit Kurti, përveçse janë humbur mese 320 milionë euro nga faturat e papaguara të rrymës dhe 17 milionë të tjera nga ato të ujit, për shkak të refuzimit të Serbisë edhe gati 24 vite pas çlirimit dhe përfundimit të luftës, për të lejuar tregtinë Kosovë-Serbi, Kosova humb edhe deri në 10 milionë euro në muaj, ndaj SHBA dhe BE, përfundimisht duhet ti kenë parasysh, të gjitha këto dëme masive që i ngarkohen pa të drejtë Republikës së Kosovës”, shpjegoi ai. 

Në fund, Qarri konsideron se Kosovës nuk po i bëhet trajtimi i duhur, ku deri në mbyllje të dialogut do të përballet me presione të ndryshme.   

“Marrëveshja e vitit 2013 për energjinë, jo vetëm që nuk është zbatuar asnjëherë nga Serbia, por megjithëse në qershor të vitit 2022, palët arritën pajtueshmëri për zbatimin e marrëveshjes ekzistuese përmes një udhërrëfyesi për energjinë edhe ky udhërrëfyes nuk është zbatuar as gjatë vitit të kaluar, ndaj është shumë e habitshme se si SHBA vazhdon të heshtë, kurse BE ka deklaruar publikisht, se përgjegjësinë për moszbatimin e udhërrëfyesit e kanë Kosova dhe Serbia, gjë që flet hapur, se që nga fillimi i bisedimeve e deri në fund të tyre, Kosovës jo vetëm që asnjëherë, nuk iu bë trajtim adekuat, por deri në përmbyllje të dialogut, nga të gjitha anët, do të përcillet me trysni të llojllojshme, presione të pareshtura dhe padrejtësi të vazhdueshme, që vërtetë është për çdo kritikë dhe gjykim”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat