Nesër protestohet kundër Asociacionit, analisti paralajmëron opozitën: Është “pjellë” e juaja, i futët thikë pas shpine Kosovës

Politika

Nesër protestohet kundër Asociacionit, analisti paralajmëron opozitën: Është “pjellë” e juaja, i futët thikë pas shpine Kosovës

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 14 shkurt 2023 Në ora: 14:11
Foto ilustrim

Kundër Asociacionit dhe formimit të tij me kompentenca ekzekutive tashmë kanë filluar të protestohet.

Të shtunën është protestuar në Gjermani, protesta është përkrahur nga shoqatat e bashkatdhetarëve në Gjermani, gjithashtu edhe nga qendra e Vetëvendosjes në Gjermani.

Disa nga pankartat protestuese ishin “Kundër bosnjizimit të Kosovës”, “Vuçiqi e do edhe një luftë në Evropë”, e shumë të tjera të cilat ishin edhe në gjuhën gjermane.

Image
Protesta në Gjermani kundër Asociacionit

Sipas këtyre protestuesve, me Asociacion, Serbia ka për qëllim ndarjen e Kosovës mbi baza etnike, duke theksuar se e “ndërkombëtarët po e mbështesin këtë ndarje”.

Pra, sipas tyre qëllimi i kësaj proteste ishte “se sensibilizimi i opinionit për rrezikun që paraqet themelimi i enklavave një etnike (serbe) përkatësisht themelimi edhe i një Republika Srpska, për Kosovën dhe tërë rajonin”.

Kurse, një protestë tjetër do të mbahet në Prishtinë nesër.

Studentët e Universitetit të Prishtinës, do të protestojnë më 15 shkurt kundër formimit të Asociacionit.

Analistët kanë dalë në përkrahje të protestës, duke thënë se vetëm kështu mbrohet shteti.

Analisti politik në Amerikë, Binak Maxharraj, thotë se dalja e studentëve është diçka madhështore, pasi ata janë pjesa më e shëndoshë e kombit dhe lëvizjet e mëdha gjithmonë kanë filluar nga studentët.

“Të shtunën mërgimtarët tanë në Gjermani protestuan në Berlin kundër themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe të cilat do të vazhdojnë edhe më tutje. Në anën tjetër, më datë 15 shkurt, Unioni i Studentëve të Universitetit të Prishtinës do të protestojnë, po ashtu kundër formimit të këtij Asociacioni tepër të rrezikshëm për ekzistencën e shtetit të Kosovës. Dalja në skenë e studentëve është diçka madhështore, e cila po i del zot vendit të vetë, sepse studentët siç dihet janë pjesa më e shëndoshë e kombit, sepse lëvizjet e mëdha gjithmonë kanë filluar nga studentët”, pohon Maxharraj.

Ai thotë se në protestë nuk do të shihet opozita, kjo pasi sipas tij, asociacioni është pjellë e tyre, e liderëve të tyre, që i futën thikë pas shpine vendit të vet.

“Prandaj, më 15 shkurt në protestë do të dalin studentët për t’i dalë zot qeverisë dhe vendit të vet që kjo e keqe me Asociacionin të mos ndodh edhe në Kosovë një “Republika Srpska”, sikur ajo në Bosnjë, sepse është kundër qenies së shtetit, kundër sovranitetit dhe integritetit të vendit. Në protestë nuk mund të shihen edhe opozita e cila nuk është kundër, sepse Asociacioni është pjellë e opozitës, i liderëve të tyre të cilët ia futën thikë pas shpine vendit të vet. Protesta e organizuar nga studentët nga kjo pjesë më e shëndosh e kombit kësaj radhe do të jetë masovike e fuqishme, e cila i çon mesazh opinionit ndërkombëtar, e veçmas Amerikës e sidomos të ia bëjë me dije arrogantëve si Escobar e Hill se populli i Kosovës është kundër këtij asociacioni një etnik në Kosovës multietnik dhe kokë ulur të tërhiqen nga kryeneqësia e tyre duke i dalë zot Serbisë dhe Vuçiqit”, thekson Maxharraj.

Protesta e së mërkurës duhet të jetë masovike, sipas Maxharrajt, gjersa shton se duhet protestuar qetësisht dhe dinjitetshëm.

“Protesta e cila më 15 shkurt do ta ketë vetëm fillimin duhet të jetë masovike, gjithë popullore, e fuqishme bash si dikur në kohën e presidentit Ibrahim Rugova kur bëhej protesta kundër regjimit diktatorit të Millosheviqit që nuk do të ndalet për t’u përhapur nëpër të gjitha qytetet e Kosovës, për t’i treguar botës, BE-së, por edhe Amerikës se mos ta përsërisë edhe në Kosovë gabimin e Bosnjës, duke e ndarë në baza etnike, në enklava etnike, duke dalë kundër karakterit shumë etnik, ashtu siç e karakterizon edhe kushtetuta e vendit. Uroj që protesta e së mërkurës të jetë masovike, të bashkohet i gjithë popullit nga të gjitha anët e Kosovës, të protestohet qetësisht dhe dinjitetshëm, sepse kështu mbrohet vendi i cili edhe pas tri dekadave të çlirimit të saj është përsëri në rrezik nga fashizmi serb i cili si mortajë po sillet mbi Kosovën”, përfundon Maxharraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat