“Republika shkatërrohet me këtë plan, të hapet kutia e Pandorës”

Politika

“Republika shkatërrohet me këtë plan, të hapet kutia e Pandorës”

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 15 shkurt 2023 Në ora: 08:07
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Diplomatë perëndimorë, me në krye të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë vizituar më 20 janar Prishtinën dhe Beogradin.

Ata kanë zhvilluar takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Thelbi i bisedës ishte propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Nga kabineti i Kurtit ishte deklaruar se ky propozim është “bazë e mirë për diskutim të mëtejshëm”, kurse Vuçiq tha se Beogradi është i gatshëm të punojë në zbatimin e propozimit, por se ka “shqetësim dhe rezervë për një çështje të rëndësishme”, për të cilën nuk kishte folur publikisht.

Për këtë plan dhe shpalosjen e tij se çfarë ngërthen në vetvete, është diskutuar të hënën (13 shkurt) në Kuvend.

Kryeministri Albin Kurti tha se më 20 janar të vitit 2023, emisarët e Gjermanisë, Francës, Italisë, SHBA-së dhe BE-së i dorëzuan planin përfundimtar të propozimit evropian.

Ata ma bënë të qartë që propozimi kryesor, këtë herë është fare pranë formatit ‘merre ose lëre’. Nuk do të lejohet, praktikisht, hapja apo negocimi i tij. Ata gjithashtu ma bënë të qartë që çfarëdo refuzimi i propozimit, do të shoqërohet me hapa kundërshtues dhe ndëshkues diplomatik për Kosovën”, tha Kurti.

Por, cila pritet te jete përmbajtja e këtij plani dhe a do te ketë kompromise te "dhimbshme" brenda tij?

Burjani: Plani është mbi 70% përfundimtar

Image
Blerim Burjani

Juristi Blerim Burjani në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se me këtë plan duket se Kurti është më komod.

Kurse, sa i përket planit ai në thelb nuk mund të ndryshojë që do me thënë se do të mbetet i njëjtë.

Plani është mbi 70% përfundimtar, pra palët ende kanë mundësi të negociojnë për planin, diçka apo 30% mund të ndryshojë, përderisa deklarimet e Vuçiqit se është pothuajse merre ose leje, ai kishte bërë deklarime në panik, përderisa në Kosovë Albin Kurti duket më komod, me rëndësi është se ka gjasa të ndryshojë plani por jo edhe esencialisht, në thelb do të mbetet i njëjtë.

Plani i fundit i prezantuar nuk do të ketë ndryshime të mëdha”, shprehet ai.

Kelmendi: Kosova nuk mund të pranon ndarjen e copëtimin e tretë të Dardanisë

Image
Muhamet Kelmendi

Kurse, juristi Muhamet Kelmendi ka thënë se, në kuadër të planit franko-gjerman tashmë është përcaktuar baza e dialogimit dhe shumë pak ose fare ka mundësi që të ndryshohet.

Sipas tij, përcaktimi i planit me bazë përfundimtare, me bazën "merre ose leje", tregon se dy rrugë janë në kuadër të marrëveshjes me shtetin kriminal serb.

“E para, është pranimi i planit në formën e dhënë nga UE dhe SHBA dhe

Së dyti, refuzimi i planit, e këtej, edhe të pozitës së Kosovës në UE, nëpër organizata të ndryshme dhe në SHBA. Plani i paraqitur i ka disa mungesa të mëdha dhe të rrezikshme për Kosovën. Këtu mendohet:

1. Organizimi dhe ndërtimin i asociacionit të komunave me shumice serbe me kompetenca të gjera ekzekutive dhe me organizim mbi bazën e shtetit, me organe dhe strukturë organizative dy shkallëshe brenda asociacionit.

2. Marrëveshja nuk parasheh njohje de-jure reciproke, por vetëm pranim de-fakto të gjendjes.

3. Republika e Kosovës e humb karakterin e shtetit unitar dy-shkallës dhe shndërrohet në një shtet me shtet brenda, sikurse është rasti me Bosnie e Hercegovine.

4. Nuk kemi garanti nga UE dhe SHBA se ky asociacion nuk nënkupton edhe një republikë serbe, që në fakt me asociacion edhe de-jure veç ndërtohet.

5. Asociacioni nuk ka qartësi në shtrirje organizative.

Këtu del: a) Organizim horizontal apo b) Organizim vertikal i asociacionit.

Në rastin e parë, kuptohet se nuk ka organe në të cilat barten kompetencat e komunave, por ato mbesin në komuna me kompetenca dhe me asociacion që bëhet vetëm koordinimi dhe,

Në rastin e dytë, kompetencat e komunave barten në nivel qendror të asociacionit dhe, kështu krijohet baza udhëheqëse politiko-organizative me pushtet ekzekutiv, krijohen organet e shtetit të ri serb”, shpjegon jursiti.

Tutje, ai thotë se në këtë plan asociacioni ka marrë bazën e shtetit, e që dëmtohet Kosova, duke humbur territor.

Në planin aktual, asociacioni ka marrë bazën e shtetit. Çështjet e paraqitura janë të rënda. Asociacioni ka pushtet ekzekutiv dhe organe të shtetit, me komperenca te gjera autonome.

Në kuadër të kësaj, Kosova si Republikë dëmtohet dhe de-fakto e humb territorin e vet shtetëror dhe bëhet tërësisht jo funksionale.

Shteti nuk mund të funksionoj kur i mungojnë elementet e shtetit. Këtu është fjala:

1. Për territorin e shtetit, sepse me asociacion de-fakto e humb Kosova sovranitetin në territorin e vet dhe

Së dyti, dëmtohen shumë organet e pushtetit shtetëror, sepse organet e humbin autonominë dhe shtrirjen e kompetencave të tyre në Republikë”, deklaron Kelmendi.

Më tej, ai thotë se me këtë plan po copëtohet Kosova dhe shqiptarët për herën e tretë.

Nëpërmjet këtij plani të UE-së dhe të SHBA-së Kosovës i bëhet një padrejtësi e madhe.

Tri herë brenda dy shekujve, faktori ndërkombëtar e ndan dhe i copëton territoret shqiptare. Me ndarjen e parë, në Kongresin e Berlinit, viti 1878, shumë territore shqiptare të aneksuara Serbisë, Malit te Zi e Greqisë u spastruan me dhunë e me terror nga shqiptarët dhe u bënë territore serbe, malazeze e greke.

Me ndarjen e dytë, në Konferencën e Ambasadorëve, në Londër, në vitin 1913, u nda Shqipëria në dysh.

Territore të mëdha shqiptare si Çamëria e Janina iu aneksuan Greqisë, që edhe u greqizuan me dhunë fashiste.

Kosova iu dha Serbisë, me viset shqiptare në Maqedoni etj. Filloj kolonizimi i madh i Kosovës.

Serbët e tashëm erdhën si kolonë në vitet 1918-1965 në territoret shqiptare. Mbi 1 milionë shqiptarë i dëbuan me Turqi.

Tash është ndarja e tretë, që po bëhet në Bruksel e territorit shqiptar. Thika e ndarjes dhe e copëtimit u fut edhe në trupin e mbetur cung të Kosovës Dardane. Po humb kështu Kosova mbi 17% të territorit të vet legal”, thotë tutje ai.

Në fund, ai thekson se me këtë plan shkatërrohet Kosova, por se në këtë rast nëse bëhet asociacioni, atëherë është koha të hapet kutia e pandorës, dhe të korrigjohen kufijtë shqiptar në Ballkan.

“Ajo që është e domosdoshme është përgjigja e Kosovës. Në Kuvendin e Kosovës nga Qeveria, përkatësisht z.Kurti, u tha se plani i UE-se dhe i SHBA-ve është plan i mirë dhe bazik për diskutim. Me këtë mendohet se plani duhet te pranohet!

Është e domosdoshme që plani mos të pranohet nëse ka asociacion në organizim të pushtetit në instancën e dytë me kompetencat e komunave që barten në organet e larta të asociacionit.

Ky është kushti kryesor, krahas garancive se nuk ka republikë të re serbe, përveç të një bashkësie koordinuese, pa pushtet ekzekutiv. E tërë kjo kërkon njohje reciproke dhe garanci nga UE dhe nga SHBA-te.

Mos aprovimi i këtyre çështjeve kërkon që të hapet kutia e pandorës, si dhe të kërkohet korrigjimi i kufijve shqiptar në Ballkan, mbi bazën e popullit dhe të territorit. Nuk mund të pranohet edhe një ndarja e re, që nënkupton edhe një humbje të madhe të territorit shqiptar. Republika shkatërrohet me këtë plan. Kosova -Dardane humb territor”, përfundon Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat