Gjykata Kushtetuese kishte dhënë versionin e saj, si do të formohet asociacioni?

Politika

Gjykata Kushtetuese kishte dhënë versionin e saj, si do të formohet asociacioni?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 16 shkurt 2023 Në ora: 18:46
Gjykata Kushtetuese

Asociacioni i komunave serbe vazhdon të jetë “prodhues” i debateve në Kosovë e më gjerë.

Kjo marrëveshje, e cila fillimisht u nënshkrua në vitin 2013 dhe pastaj në vitin 2015, u konstatua nga Gjykata Kushtetuese se nuk ka pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës.

“(Gjykata Kushtetuese) konstaton që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti që implementon Parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, me nenin 3 [paragrafi 1, me Kapitullin II dhe III, duhet të plotësojnë standardet kushtetuese dhe duhet të jenë në pajtueshmëri posaçërisht me nenet 3, 7, 12, me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore], me nenet 21 dhe 44, me Kapitullin III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre”, thuhet në vendimin e GJK-së.

Kështu, Gjykata Kushtetuese kishte marrë vendim që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të themelohet ashtu siç ishte parashikuar në Marrëveshjen e parë të Brukselit, e nënshkruar në prill të vitit 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“TE KONSTATOJË që Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe do të themelohet, siç është paraparë me Marrëveshjen e Parë, të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe shpallur nga Presidentja e Republikës së Kosovës”.

Në vendimin e saj prej 39 faqesh që Gjykata Kushtetuese e publikoi (23.12) në faqen e vet zyrtare thuhet se Gjykata konstaton se parimet e këtij asociacioni, siç janë përshkruar në marrëveshjen e 25 gushtit të këtij viti, nuk janë tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës, përkatësisht me disa nene që kanë të bëjnë me kapituj mbi barazinë para ligjit, të Drejtat dhe Liritë Themelore dhe kapitullin mbi të drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre.

Prandaj Gjykata konstaton se akti juridik i Qeverisë së Kosovës dhe statuti që zbaton parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, duhet t‘i plotësojnë standardet kushtetuese dhe duhet të jenë në pajtueshmëri me kapitujt e saj”.

Në bazë të këtij vendimi, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku kërkon themelimin e Asociacionit.

“Çështja e marrëveshjes rreth asociacionit ka epilog prej vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo është kërkesa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe njerëzve që e duan Kosovën përnjëmend. Ne kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe në bazë të tij duhet të procesojmë tutje. Tani i takon udhëheqësve shtetëror që të bëjnë këtë procesim tutje”, ka deklaruar Abdixhiku.

Mehmeti: 22 shkeljet e gjetura do të korrigjohen

Analisti politikë, Faton Mehmeti, thotë se kërkesa e Abdixhikut nuk është risi.

Image
Analisti politikë, Faton Mehmeti

Sipas tij, në formimin e asociacionit është me rëndësi të mos cenohet sovraniteti i vendit.

“Nuk është risi kërkesa e Lumirit, meqenëse vendimet e Gjykatës nuk komentohen, por respektohen. Në këtë kuptim, Lumiri s’ka thënë diçka që nuk dihet, vendimet e gjykatës flasin vet. Edhe kryeministri Kurti e ka përmendur gjithnjë këtë fakt si mburojë para ndërkombëtarë për të refuzuar. Edhe SHBA dhe Britania kanë theksuar se forma e Asociacionit do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe s’do e cenojë sovranitetin e vendit. 22 shkeljet e gjetura do të korrigjohen, disa do të hiqen, në të kundërtën mundet gjykata prapë t’i refuzojë. Me pak fjalë, është shumë me rëndësi që mos të cenohet sovraniteti i vendit, Asociacioni mos të ketë kompetenca ekzekutive si dhe të parandalohet lidhja dhe investimet e Beogradit për komunat serbe në kuadër të asociacionit”, pohon Mehmeti.

““Serpska Republika” në zemrën e Kosovës”

Në anën tjetër, kundër opozitës është analisti politik, Binak Maxharraj, i cili thotë se asociacioni është pasojë e liderëve të opozitës së shantazhuar.

Image
Analisti politik, Binak Maxharraj

“Serbia qe sa kohë po insiston që kjo marrëveshje të realizohet, bile po bënë edhe trysni te ndërkombëtarët që kjo të arrihet. Dhe çuditërisht ndërkombëtarët BE/SHBA janë rreshtuar përkrah Serbisë dhe Vuçiqit duke bërë presion të pa parë ndaj Kosovës për realizimin e kësaj fantazme një etnike. Duke e parë rrezikun që po i kanoset Kosovës me këtë Asociacion qeveria e Kosovës është e vendosur që kjo të mos ndodhë, sepse Asociacioni është një kancer, është një bombë me sahat e cila do të plasë shumë shpejtë nëse themelohet dhe votohet. Asociacioni është një ”Srepska Republika” në zemrën e Kosovës. Krijimi i kësaj krijese amorfe duhet të ndalet, nuk guxon të ndodhë sepse është në pyetje shteti dhe sovraniteti i tij. Për këtë është e angazhuar qeveria e Kosovës që kjo të mos ndodhë”, thekson Maxharraj.

Ai shprehet se pozita është e vetme në mbrojtje të shtetit, gjersa shton se opozita po i ndihmon Vuçiqit.

“Ka mbetur e vetme në mbrojtje të shtetit sepse opozita e sotme e cila vetë e solli marrëveshjen për Asociacionin një etnik serb sikur po heshtë, sikur nuk është e interesuar të krijojë një front të përbashkët kundër kësaj belaje që po i kanoset shtetit. Ajo më shumë po i ndihmon Vuçiqit me sjelljet e saja në luftë për pushtet, e jo për shtet se sa qeverisë duke e lënë fajtore Albin Kurtin se gjoja po done me na prishë me ndërkombëtarët dhe me Amerikën nëse nuk krijohet Asociacioni. Për këtë jo vetëm, që nuk angazhohet fare, por ajo po sorollatet nëpër Evropë dhe Amerikë duke përhapë kritika të rrejshme kundër qeverisë dhe Kurtit dhe duke e cilësuar si anti amerikanë”, pohon Maxharraj.

Maxharraj ka kërkuar që Amerika të mos përsërisë gabimin në bëri në Bosnjë e Hercegovinë, gjersa ka shtuar se qeverisë Kurti po i dalin forcat të reja në mbrojtje.

“Është edhe me e tmerrshme, kur insistimi për formimin e Asociacionit po bëhet me pëlqimin, presionin dhe çmendurinë dhe arrogancën e emisarëve amerikanë siç është Gabriel Eskobar dhe me ambasadorin Hill në Serbi të cilët me arrogancën e tyre po i dalin zot Serbisë dhe Vuçiqit duke e kërcënuar Kosovën se Asociacioni duhet të formohet “me ose pa Kurtin”. Kjo sjellje tij nuk ka te bëjë aspak me vlerat e demokracisë Amerikane duke bërë presion të paparë kundër një populli të vogël të cilin vet Amerika e nxori nga gjenocidi serb. Mendoj se është koha që Amerika mos të bëj, mos të përsërisë edhe një herë gabimin që e bëri në Bosnjë e Hercegovinë me 1995 në Konferencën e Dejtonit kur pranoi që me insistimin e kriminelit Millosheviqit B dhe H të ndahet në baza etnike duke që si rezultat i asaj sot e kemi “Republika Srpska”, duke insistuar e bile edhe duke kërcënuar që tashti për hatër të Vuçiqit të bosnjëzohet edhe Kosova. Kjo është e pa pranueshme. Duke e pasur parasysh heshtjen makabre të opozitës lidhur me Asociacionin duke mos i dalë në ndihmë qeverisë dhe Kurtit që kjo të mos ndodhë në qoftë se po dalin forca te reja siç janë diaspora dhe rinia studentore”, përfundon Maxharraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat