15 vjet shtet, Kosova me të arritura e ngecje - Këto janë sfidat kryesore që e presin

Politika

15 vjet shtet, Kosova me të arritura e ngecje - Këto janë sfidat kryesore që e presin

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 17 shkurt 2023 Në ora: 07:50
Foto ilustrim, dita e pavarësisë

Sot (E premte 17 shkurt) Kosova shënon 15 vjetorin e Pavarësisë së saj. Që nga formimi si shtet, në Kosovë kanë qeverisur pothuajse të gjitha partitë politike.

Duke filluar nga 17 shkurti si e pavarur, Kosova është qeverisur nga Partia Demokratike e Kosovës me kryeministër Hashim Thaçi, kurse që nga 9 dhjetori i vitit 2014 primatin e shtetit e mori Lidhja Demokratike e Kosovës nën udhëheqje të kryeministrit Isa Mustafa.

As Aleanca për Ardhmerinë e Kosovës nuk ka mbetur pa e “provuar” shijen e pushtetit, me 9 shtator të vitit 2017, kryeministër i Kosovës u bë Ramush Haradinaj, deri me 3 shkurt të vitit 2020 për t’ia lëshuar vendin Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti, i cili për pak muaj u ndryshua duke u bërë Lidhja Demokratike e Kosovës me Avdullah Hotin kryeministër.

Ky përvjetor i Pavarësisë, e gjen Kosovën përsëri me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin kryeministër, pozitë këtë që e mban që nga 14 shkurti i vitit 2021.

Gjatë gjithë këtyre viteve pavarësi, sfidat që ka kaluar shteti i Kosovës nuk janë të pakta, qoftë nga ana ekonomike, sociale, drejtësi, arsim apo shëndetësi.

Analistët politikë përmendin sfidat që ka kaluar Kosova gjatë këtyre viteve, gjersa thonë se ka ngecje në sektorë të ndryshëm.

Ngecjet dhe sfida e dialogut

Analisti politik, Blerim Burjani, si me sfiduese në këtë përvjetor e konsideron raportin Kosovë- Serbi.

Sipas tij, Serbia është toleruar shume.

Image
Blerim Burjani

“Normalizimi i raporteve me Serbinë është dashur të ndodhë kaherë, sepse Kosova është e pavarur, kështu trajtohet nga shumica e shteteve ndërkombëtare, përgjegjësia është te Serbia. Te Serbia dhe toleranca e tepruar për shume vite nga shtetet ndërmjetësuese në dialog, ngecja është edhe për shkak se Serbinë e kanë toleruar plotësisht pa arsye dhe ia kanë ngjallur shpresën se mund të dialogohet statusi për Kosovëm, për këtë arsye asnjëherë nuk është pajtuar dhe kurrë nuk do të pajtohet se e ka humbur Kosovën”, ka pohuar Burjani.

Ai ka përmendur sektorët ku ka ngecur Kosova, gjersa ka shtuar se varfëria po rritet dhe njerëzit po ikin masivisht.

“ Kosova ka ngecur në reforma sektoriale, ekonomi, arsim pa reforme shume i kushtueshëm dhe jo produktiv, pa reforme sociale, pa sigurime shëndetësore, varfëria po rritet dhe me ikje masive të të rinjve. Kosova pa njerëz dhe parti politike që qeverisin me njerëz pa shkollë, apo me shkollim të botës, njerëz të papunë nominuar dhe formojnë qverisje kjo është tragjike”, ka përfunduar Burjani.

Shëndetësia e “sëmurë”

Image
Skender Mulliqi

Skënder Mulliqi, analist politik thotë se 23 vjet pas luftës dhe 15 vitet e pavarësisë nuk shënuan rezultatet as për afër në të gjitha sektorët e jetës dhe të punës.

“Përvjetori i 15 i pavarësisë sigurisht nuk është ai që e kanë pritur shumica. Faza e tranzicionit nuk shkoi sipas pritshmerisë së shumicës. Kosova shënoi stagnim të proceseve të saja zhvillimore. Në të gjitha sistemet pati defekte të cilat rezoltuan me rënie të standardit të jetesës. Asnjë qeveri nuk hartoi plane afatmesme dhe afat gjate zhvillimore ekonomike, që është e pa lejueshme për një shtet normal. U punua jo mirë, në planin ekonomik, atë të politikës, në drejtësi, arsim e shëndetësi….23 vite të pas luftës dhe 15 vite të pavarësisë nuk u shënuan rezultate as për afër në të gjitha këta sektorë të jetës dhe të punës. Dështuam në ndërtimin e mirë të shtyllave kryesore të shtetit, nga keqpërdorimet dhe nga hajnitë të atyre që ishin në pushtet. Nuk mund të jemi të kënaqur me sistemin arsimor, ku po prodhojme analfabet potencialë, kur dihet së nga shkalla e arsimimit edhe cilësohet zhvillimi i një shteti. Për nivelin e ulët të arsimit ka shume çka të flitet”, deklaron Mulliqi.

Që nga formimi i Qeverisë së parë pas zgjedhjeve të mbajtura pas luftës në Kosovë, shëndetësia në Kosovë është udhëhequr nga 12 ministra.

Ministri i parë që ka udhëhequr me Shëndetësinë është Numan Baliq i ardhur në këtë pozitë nga minitoritetet. Pas tij kanë vazhduar edhe Resmije Mumxhiu dhe Sadik Idrizi, të dy poashtu nga partitë minoritare.

Nga viti 2007 deri me 2010 pozitën e ministrit të Shëndetësisë e mbajti Alush Gashi. Pas tij në Qeverinë Thaqi 2, u emerua Bujar Bukoshi i cili mbajti poashtu edhe pozitën e zv.kryeministrit.

Bukoshit me pas iu ngrit aktakuza për korrupsion së bashku me 10 zyrtarë tjerë të lartë të MSH-së, përfshirë edhe ish-sekretarin Ilir Tolaj.

Pas Bukoshit erdhi Ferid Agani. Periudha e menaxhimit të Aganit njihet si një nga fazat kur janë miratuar me së shumti ligje e akte nënligjore në shëndetësi. Megjithatë edhe Agani ka përfunduar në gjykatë si i akuzuar për keqpërdorim të detyrës në rastin Stenta 1, e madje i njëjti u dënua edhe me burg.

Imet Rrahmani (LDK), mjeku nga Gjilani e udhëhoqi MSH-në nga viti 2014 deri me 2017, kurse pas tij erdhi Uran Ismaili nga PDK. Ky i fundit ishte ministri i vetëm i Shëndetësisë deri atëherë që nuk ishte mjek me profesion. Ismaili menaxhoi MSH-në nga 2017 deri në fillim të vitit 2020.

Arben Vitia e mori ministrinë e Shëndetësisë vetëm pak ditë para se të fillonte pandemia Covid-19. Vitia ishte ministër në Qeverinë Kurti 1 dhe 2. Ai dha dorëheqje të shtunën pasi u kandidua për kryetar të komunës së Prishtinës në zgjedhjet e 17 tetorit.

Armend Zemaj, një ministër i Shëndetësisë poashtu me profesion tjetër, jurist. Pas Zemajt, ministër u zgjodh Rifat Latifi, ndërsa tani u rikthye në Ministrinë e Shëndetësisë, Arben Vitia.

Analisti politik, Skënder Mulliqi, thotë se shëndetësia pothuajse kolapsoi.

“Shëndetësia për shume vite po thuaj së kolapsoi, nuk i përmbushi obligimet si duhet ndaj qytetarëve. Para këtyre ishte dashur ndoshta të flasim për politikën, së ajo ishte që i prodhoi të ligat të cilat e goditën Kosovën. Për qarjet klanore e farefisnore, ndarjet regjionale e krahinore, ndarjet partiake nuk i kontribuuan stabilitetit politikë dhe institucional të vendit. Madje, këtu nuk bënë të kalohet e mos të përmenden edhe pikëpamjet ideologjike të ndryshme, ku u shfaqën krimi i organizuar dhe korrupsioni. Pastaj, u ballafaquam me klinetelizëm, nepotizma, punësime të familjarëve dhe të ilakave, militantëve partiakë, të atyre forcave politike që ishin për shume vite në pushtet”, deklaron Mulliqi.

Vettingu si nevojë urgjente

Ndërsa, sa i përket sektorit të drejtësisë, Mulliqi thotë se po vonohet vettingu.

“Shume herë deri me sot u fol se duhet medeomos të bëhet reformim i organeve të drejtësisë, që ato të funksionojnë shume me mirë. U fol për domsdoshmerinë e Vettingut, edhe këtu ende po vonohemi, edhe pse qeveria e re ka filluar me mirë të punojë. Keqpërdorimet e pozitës shoqërore dhe politike bën që të shtohet numri i atyre të cilët po kërkojnë punë, të rritet shkalla e varfërisë, të largohen të rinjtë masivisht nga Kosova”, thekson Mulliqi.

Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor ku qytetarët e saj nuk lëvizin lirshëm, me përmbushjen e kushteve me shume se secili vend, qytetarët e Kosovës presin vendimin për viza në nëntor të vitit 2023, kurse Mulliqi, thotë se nuk kishte Kosova diplomatë në nivelin e kërkuar.

“Punët të cilat nuk na shkuan mirë në planin e brendshëm zhvillimor, e ato rezultuan keq edhe në planin e jashtëm politik. Kosova mbeti i vetmi vend në Evropë i izoluar pa lëvizje të lirë. Shume herë nga krerët pushtetarë na u servuan rrena me data së kur do të kemi liberalizim të vizave e nuk patëm. Kur bëhet fjalë për politikat e jashtme të shtetit me të ri në Evropë, qëndruam jo mirë. Nuk patëm diplomatë në nivelin e kërkuar, që e prezantojnë Kosovën ashtu siç duhet nëpër ambasadat tona në botë. Nuk ishin në nivel as ministrat e punëve të jashtme. Nuk ishin në nivel të detyrës së kërkuar as krerët me të lartë të shtetit, të cilët na zhgënjyen duke firmosur marrëveshje në dëm të Kosovës, të cilat i dime se cilat janë ato. Maratona e bisedimeve me Serbinë për normalizim të marrëdhëniëve u nisë për çështje teknike për të kaluar shume shpejt në ato politike. Nuk u negociua mirë nga pala jonë, se Serbia na diktojë shumeçka në bisedime, thua së ajo nuk ishte agresori , e cili në vitin 1999 shkaktoi gjenocid mbi shqiptarët”, vazhdon analisti.

15 vjetori i pavarësisë, e gjen Kosovën pa një epilog të dialogut me Serbinë. Dialogu Kosovë- Serbi, filloi në vitin 2011, fillimisht si dialog teknik me idenë që të që të diskutohen çështjet teknike që do ta bënin me të lehtë jetën e përditshme për qytetarët e të dyja shteteve.

Ndryshe, në tetor të vitit 2012, procesi i dialogut teknik kaloi në nivelin politik. Negociatat atëbotë u zhvilluan ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nga kryeministrat e atëhershëm, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.

Dialogu dhe (mos)njohjet

Marrëveshja e parë në kuadër të këtij procesi u arrit ndërmjet dy kryeministrave, në prill të vitit 2013.

Me vonë, procesi u ngrit në negociata në nivel të presidentëve dhe pastaj me ndërmjetësim edhe të SHBA-së.

Sipas, Mulliqit, ngecja apo ndërprerja e dialogut nuk u bë për shkak të Kosovës.

“Ky shtet që është me së keqi na i caktoi agjendat politike të bisedimeve, deri sa erdhën në pushtet forcat e reja politike para dy vitesh. Ngecja apo ndërprerja e dialogut për disa vite, nuk u bë për fajin e Kosovës , por u bë nga obstruksionet e vazhdueshme të Serbisë. Madje, gjatë kësaj kohe nga diplomacia e dobët e jona, jo që nuk patëm njohje të reja, por me lobimin e Serbisë, na ndodhën edhe ç’njohje. Kur jemi të bisedimet me Serbinë për arritje të ndonjë marrëveshjeje finale, në 10 vitet e fundit prej që ka ardhur në pushtet të Serbisë, për president Aleksandër Vuqiqi, gjendja është radikalizuar edhe me shume në veri të Kosovës, nga strukturat kriminale serbe të dirigjuara nga Beogradi zyrtar. Për një decenje politikat e Serbisë dhe dialogu kanë pasur dy pamje, në njërën anë bisedime, kurse në anën tjetër paralelisht me bisedime, Serbia ka përdorur metodat e shantazhit dhe të dhunës në kufij me Kosovën , duke na kërcënuar me barrikada dhe me luftë. Në këtë plan Vuqiqi ka punuar ngushtë me Putinin e Rusisë, për destabilizimin e rajonit të Ballkanit. Sidomos kjo është shpërfaqur pas invazionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë. Nga ky kënd duhet shikuar shume edhe zhvillimin e dialogut të ndërsjellë”, ka vazhduar Mulliqi.

Asociacioni dhe formimi i tij, i ka marrë Kosovës mjaftueshëm kohë dhe “energji”, por pa rezultate konkrete.

Presion për formimin e tij, vjen nga ana e ndërkombëtarëve, këtë trysni jo me vend e shohin analistët.

Sipas Mulliqit, trysni duhet t’i bëhet Serbisë dhe jo Kosovës, por sipas tij, lufta në Ukrainë ka ndikuar te BE-ja.

“Madje, në vend që bashkësia ndërkombëtare të bënë trysni te Serbia , e cila ishte shkaktarja e luftës me rastin e shpërbërjes me dhunë të ish-Jugosllavisë, ajo po i bënë presion-Kosovës. Këtë presion po vazhdon sidomos kohën e fundit lidhur me implementimin e Asociacionit të komunave në shumicë serbe sipas marrëveshjeve të Brukselit. Si duket zhvillimet me luftë në Ukrainë, kanë ndikuar bukur negativisht te BE-ja, që të na bëhet presioni, duke “harruar” kështu se po përmbushen egotë e sëmuara të Putinit dhe Vuqiqit, të cilët me të madhe janë duke punuar, për t’i realizuar planet shoviniste të botës ruse dhe të botë serbe, në rajon dhe në botë. Këtë gjë nuk ishte dashur në asnjë menyrë ta lejon bota demokratike, dhe aleanca ushtarake e NATO-së. Ku jemi të bisedimet me Serbinë duhet përmendur faktin së Qeveria e re, ka arritur shume të amortizoj politikat shoviniste të Vuqiqit, i cili po dëshiron ndarje të Kosovës, mbi bazat etnike”, ka pohuar Mulliqi.

Plani Franko-gjerman

Ndryshe, si arritje në këtë përvjetor mund të quhet pranimi i planit franko- gjerman, nga ana e kryeministrit Albin Kurti, plan ky i cili synon normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi.

Mulliqi këtë e konsideron punë të mirë, gjersa shton se Asociacioni kërkon unitet.

“Qeveria Kurti 2 kur po shënon këtë dy vjetor të qeverisjes me vendin, ajo ka bërë punë të mira, por që natyrisht ka edhe shume punë përpara për të bërë.  Tema e Asociacionit kërkon unitet, të cilin vullnet nuk po e shprehë sa duhet ende blloku opozitarë, ku Asociacionin te dera na e lanë krerët e tyre. Se a do te kemi fund të dialogut këtë vit mbetet të shihet, kur dihet se Serbia gjithmonë është shërbyer me rrena dhe obstruksione politike. E këtë metodë politike do të zgjedhë edhe ku bëhet fjalë për planin franko-gjerman, të cilën si bazë të mirë të bisedimeve e ka pranuar Kosova”, ka shtuar Mulliqi.

Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk ka dalë ende me raport për numrin e ikjes së të rinjve nga Kosova për vitin 2022, por sipas kryetarit të OEK, Lulëzim Rafuna, gjatë vitit 2021 numri i të rinjve që kanë ikur në vitin 2021 ka qenë 43 mijë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat