“Kompromise të vështira dhe përfitime të mëdha”, kjo është “prapavija” e mesazhit të sekretarit amerikan

Politika

“Kompromise të vështira dhe përfitime të mëdha”, kjo është “prapavija” e mesazhit të sekretarit amerikan

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 18 shkurt 2023 Në ora: 10:16
Antony Blinken dhe Albin Kurti

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë duhet të bëjnë kompromise të vështira në arritjen e një marrëveshje, por përfitimet për qytetarët e të dyja vendeve do të jenë të mëdha, kështu ka thënë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në një urim drejtuar Serbisë për Ditën Shtetërore.

“Përshëndeta angazhimin konstruktiv të Serbisë me zyrtarët e SHBA-së, BE-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë gjatë një vizite të fundit në Beograd. Jam i bindur se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të sjellë siguri dhe prosperitet për Serbinë dhe të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Sigurisht, liderët serbë dhe kosovarë do të bëjnë kompromise të vështira për t’i arritur këto qëllime, por shpërblimet për popullin serb – dhe gjithë rajonin – do të jenë të mëdha”, ka theksuar Blinken në këtë letër.

Analistët politikë thonë se mesazhi i sekretarit për kompromise të vështira më shumë i shkon Serbisë dhe njohjen e Kosovës nga Vuçiqi.

Sipas tyre, Kosova ka bërë mjaftueshëm kompromise të vështira, përfshirë këtu edhe asociacionin.

Analisti Sulejman Mehazi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se sintagma e “kompromiseve të vështira”, ështa sa paralajmëruese, aq edhe këshilluese për vetë presidentin serb.

Image
Sulejman Mehazi

Mesazhi ishte për Serbinë

Sipas tij, është e qartë se kompromiset e vështira do jenë për të dyja palët, por për Serbinë do të jenë më të rënda dhe më të vështira.

“Mesazhi i Sekretarit Amerikan, Antony Blinken, me rastin e urimit të Ditës Shtetërore të Serbisë "për të bërë kompromise të vështira" në arritjen e një marrëveshje përfundimtare të dialogut, Kosovë-Serbi, e ka kuptimin e seriozitetit të SHBA-ve për zgjidhjen e përhershme paqësore të dy shteteve fqinje, Serbi-Kosovë. Sintagma e "kompromiseve të vështira" është sa paralajmëruese, po aq dhe këshilluese e qortuese për vetë presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin, dhe qeverinë e tij për njohjen e Kosovës, për ndryshe Serbia do jetë e mbështetur, e shtypur në murin e izolimeve totale ekonomike, politike e diplomatike evropiane e amerikane. Është e qartë se kompromiset e vështira do jenë në të dyja palët dialoguese, mirëpo për presidentin e Serbisë, Vuçiqin, kompromisi do jetë shumë më i rëndë e më i vështirë për njohjen e Republikës së Kosovës. Po të krahasojmë palët dialoguese do vërejmë se kompromisi i njohjes së Kosovës nga Serbia është shumë më i rëndë e më i vështirë se kompromisi i Kosovës për asociacionet 5% të pakicës serbe në Kosovë”, ka pohuar Mehazi.

Mesazhi i sekretarit amerikan, sipas Mehazit, është dedikim më shumë për Vuçiqin, sepse njohja e Kosovës për të është më shumë sakrificë, sesa asociacioni që i kërkohet Kosovës.

“Për presidentin e Serbisë, Vuçiqin, njohja e Republikës së Kosovës do jetë shumë më tragjike, pasi serbët e konsiderojnë Kosovën si "Zemra e Serbisë (Srce Srbije", pas njohjes së Kosovës Serbia do mbetet pa këtë organ kryesor të zemrës. Urimi i shtetësisë së Serbisë dhe mesazhi i SHBA-ve për kompromise të vështira i dedikohet më shumë Vuçiqit për të sakrifikuar e humbur përgjithmonë formulën ekspansioniste "Kosova është Serbi" kështu që sakrifica e Serbisë do jetë shumë më e rëndë sesa ajo e Kosovës për asociacionet e pakicave serbe brenda kufijve të saj. Me njohjen e Kosovës nga Serbia hiqen të gjitha dilemat e kidnapimit, pushtimit të Kosovës nga Serbia”, ka vazhduar analisti Mehazi.

Pos, sekretarit amerikan, Serbisë i është drejtuar edhe vetë presidenti i SHBA-së, Joe Biden.

Biden ka theksuar mbështetjen e Uashingtonit për dialogun me Kosovën.

“Në vitin e ardhshëm, SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe dialogun për normalizimin e raporteve me Kosovën, nën përkujdesjen e BE-së. Ne mirëpresim mbështetjen tuaj ndaj propozimit të BE-së për normalizim, që do të kontribuojë në krijimin e një rajoni më paqësor dhe me të ardhme më me prosperitet”, ka shkruar Biden.

Kosova ka bërë kompromise të mjaftueshme

Image
Leon Duhanaj

Analisti politik, Leon Duhanaj, ka deklaruar se Kosova ka bërë kompromise të mjaftueshme në procesin e dialogut dhe asociacioni është një nga këto.

Ai ka kërkuar syçeltësi në hartimin, përkatësisht aprovimin e statutit si dhe themelimit të tij.

“Sekretari Amerikan i shtetit Antony Blinken, kur përmend kompromiset, duhet në radhë të parë të kuptohet si gjuhë e balancuar diplomatike, pa e definuar kush bën më shumë apo më pak kompromise. Që të gjithë e dimë se Kosova ka bërë kompromise të mjaftueshme në proces dhe se edhe Asociacioni është një nga këto. Megjithatë, akoma është e padefinuar shkalla e kompetencave të këtij asociacioni dhe si i tillë bëhet i vështirë për t'u themeluar, e me vonë për t'u menaxhuar. Prandaj kërkohet kompetencë dhe syçeltësi në hartimin përkatësisht aprovimin e statutit si dhe natyrisht themelimit të tij”, ka pohuar Duhanaj.

Edhe sipas Duhanajt, kompromis më i madh për Serbinë është Kosova dhe distancimi nga ajo.

Sekretari Blinken, sipas Duhanajt, ka menduar duke llogaritur që rajoni do të integrohet në BE dhe si i tillë për qyetatarët do të nënkuptohet paqja dhe perispektiva.

“Në anën tjetër kemi Serbinë e cila përpos që ka nënshkruar disa marrëveshje me Kosovën, akoma vazhdon ta trajtojë si pjesë të sajën. Pra Kosova vazhdon të jetë pjesë e preambulës Kushtetuese në Serbi dhe kjo është e papranueshme. Serbia duhet të gjejë rrugë dhe modalitete ta njoh realitetin dhe duke e ditur ketë dhe gjendjen në Serbi, si pasojë e propagandës së vazhdueshme, është vështirë të arrihet pa probleme. Probleme në aspektin se politika serbe vazhdon ta mashtrojë popullin e vetë rreth Kosovës. Njëherësh edhe manipulon me komunitetin serb në Kosovë, duke manipuluar me propaganda kinse Kosova është pjesë e Serbisë. Në ketë kontekst, duhet kuptuar se për ta është kompromis i madh, por që duhet ta bëjnë. Që njëherë e mirë të distancohen nga qasja konfliktuoze. Ta njohin dhe respektojnë realitetin gjeopolitik dhe të orientohen kah ardhmëria. Ardhmëria me të cilën mendoj edhe Sekretari Blinken ka menduar, duke llogaritur që rajoni do të integrohet në BE dhe si i tillë për qytetarët do të nënkuptojnë, paqe e perspektivë. Në metë kontekst, uroj që ky proces të përfundojë sa me parë, sepse vetëm atëherë, kur nuk kemi probleme të natyrës së pazgjidhur politike me fqinjët mund edhe të prosperojmë si shtete, qoftë në mënyrë vetanake, qoftë edhe kolektive përmes integrimit”, ka përfunduar Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat