Njohja nga pesëshja e famshme evropiane, Kurti e Osmani japin sinjale pozitive – çfarë po ndodh në ‘prapaskenë’?

Politika

Njohja nga pesëshja e famshme evropiane, Kurti e Osmani japin sinjale pozitive – çfarë po ndodh në ‘prapaskenë’?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 18 shkurt 2023 Në ora: 12:03
Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Në foltoren e Kuvendit të Kosovës, ditë më parë kryeministri Albin Kurti, bëri një deklaratë befasuese. Ai përmendi “vendimin e pesë shteteve të BE-së për ta njohur Kosovën”.

Kurti ka qenë duke lexuar një përgjigje kur ka pohuar se në ka një “vendim” për njohjen nga pesë shtetet e BE’së, që janë Greqia, Spanja, Rumania, Qipro dhe Sllovakia, të cilat ende s’e njohin Kosovën.

“Tash edhe vendimi i pesë shteteve mosnjohëse të Bashkimit Europian për ta njohur Kosovën, për të cilin ne jemi duke punuar dhe përmes saj anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe marrja e statusit shtet-kandidat i BE-së dhe anëtarësimi në Këshill të Europës dhe Konventës së saj është një gjë tejet qendrore në angazhimin tonë të mëtutjeshëm”.

Nuk ka ende një vendim zyrtar për këtë cështje, mirëpo në rast se arrihet njohja nga këto shtete, atëherë Kosova do përfitonte shumë në arenën ndërkombëtare.

Nuk kishte vetëm kryeministri, ai që paralajmëroi njohje, këtë e bëri edhe presidentja Vjosa Osmani.

Osmani: Çështje kohe se sa shpejt do të na njohin disa vende

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se është çështje kohe se sa shpejt do ta njohin Kosovën disa vende.

Këtë koment, e para e vendit e bëri në një intervistë për “El Periodico”, gazetë kjo me bazë në Katalonjë.

Ajo u pyet në lidhje me mosnjohësit e pavarësisë. Ndaj kësaj pyetjeje, ajo tha se nuk duhet të futen në një grup pesë vendet e BE-së dhe Rusia e Serbia, pasi këto të fundit “kanë ide hegjemoniste dhe imperialiste”.

“Nuk do të vendosja Rusinë dhe Serbinë në të njëjtin grup me pesë vendet e BE-së. Rusia dhe Serbia nuk e njohin Kosovën sepse kanë ide hegjemoniste dhe imperialiste. Serbia dëshiron të na shohë ne, Bosnje Hercegovinën, Malin e Zi dhe vende të tjera si shtete të përkohshme dhe të kthehet në vitet ’90 përmes pretendimeve të saj territoriale. Sa i përket pesë vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, besoj se jemi në rrugën e duhur dhe do të gjendet një zgjidhje. Pavarësia e Kosovës është një fakt i pakthyeshëm, kështu që ne jemi këtu për të vazhduar të jemi shtet i pavarur dhe sovran, është vetëm çështje kohe se sa shpejt disa vende e zyrtarizojnë vendimin e tyre për të na njohur”, ka deklaruar Osmani në këtë intervistë.

Këto deklarata të krerëve të shtetit, duket të kenë një mesazh shumë të fuqishëm.

Mehazi: Opinionet diolomatike evropiane e amerikane japin sinjale shpresëdhënëse

Profesori dhe njohësi i çështje politike, Sulejman Mehazi në një prononcim për gazetën “Bota sot” foli për mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës, nga pesëshja e famshme evropiane.

Fillimisht, tha se beson tek deklarata e Kurtit, pasi ai më së miri e di se ccfarë përmban plani franko-gjerman, dhe kështu mund të jenë edhe njohjet.

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më së mirë e di procesin e marrëveshjes së planit franko-gjerman, se pas njohjeve reciproke dypalëshe serbe-kosovare jo që pesë shtete të BE-së do ta kishin njohur Kosovën, por Kosova do të kishte përfituar ekonomikisht, ndërkombëtarisht e diplomakisht, kështu deklaroi edhe Sekretarit Shtetëror të SHBA-ve, Antony Blinken, në Beograd, i cila tha se për shkak "kompromiseve të vështira" të dialogut do të përfitojnë jo vetëm Serbia dhe Kosova, por edhe vendet tjera të rajonit”, deklaroi profesori.

Mehazi përmendi edhe disa sinjale shpresë-dhënëse për këtë temë, të cilat po vijnë nga Evropa e Amerika. 

“Opinionet diolomatike evropiane e amerikane japin sinjale shpresëdhënëse se menjëherë pas marrëveshjes paqësore të njohjes së Kosovës nga Serbia do  pasojnë edhe njohjet e pesë shteteteve të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, themi kështu pasi vetë projekti i planit franko-gjerman rrjedh nga shtetet e BE-së të cilët janë edhe Spanja, Sllovakia, Romania, Greqia e Qipro”, theksoi ai.

Ndër të tjera, profesori beson se Kurti me pranimin e plani franko-gjerman ka marrë premtime të mëdha.

“Edhe sikur plani franko-gjerman të mos e kishte paraparë njohjen e Kosovës nga këto pesë shtete do ishte e pamundur e nuk do guxonin që si anëtarë të BE-së të kundërshtonin e të mos pajtoheshin me planin franko-gjerman, pasi ky plan rrjedh nga vetë shtetet e BE-së.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është vetë pjesëmarrës i planit franko-gjerman dhe me siguri ai ka marrë premtime për proceset e mëtutjeshme të njohjeve të Kosovës nga pesë shtetet e BE-së”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Mehmeti: Duket se plani franko gjerman është bazë e mirë, vlerësoj se ky plan duhet të bëhet publik jo të mbahet fshehur

Kurse, analisti politik, Faton Mehmeti u shpreh pesimist se mund të ndodhë njohja nga të gjitha pesë shtetet e lartpërmendura.

Image
Faton Mehmeti

Ai në prononcimin e tij “Bota sot” tha se është vështirë që Qipro dhe Spanja ta njohin Kosovën.

“Njohja nga pesë shtete e BE-së është vështirë të arrihet, marrë parasysh specifikat që kanë këto shtete me disa krahina që kërkojnë pavarësi. E vështirë të mendohet që Qipro dhe Spanja ta njohin, derisa tri të tjerat ka gjasa të ndodhë. Përveç se nëse futet në pako me kompromisin edhe të pesë shteteve, në të kundërtën vështirë të ndodhi”, deklaroi ai.

Po ashtu, analisti planin franko-gjerman e vlerësoi si një propozim të mirë dhe pasi Kurti po përmend njohjet, mund të ketë diçka në prapavijë.

“Duket se plani franko gjerman është bazë e mirë, vlerësoj se ky plan duhet të bëhet publik jo të mbahet fshehur. Derisa Kurti e përmend njohjen nga pesësh-ja, duhet të ketë diçka, megjithatë sa më shumë që mbahet i fshehur për qytetarët plani në fjalë, aq më shumë do të ketë spekulime”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat