Zhgënjimi i ish- deputetit që nënshkroi pavarësinë: Nuk është Kosova që ëndërruam

Politika

Zhgënjimi i ish- deputetit që nënshkroi pavarësinë: Nuk është Kosova që ëndërruam

Nga: Naile Ejupi Më: 18 shkurt 2023 Në ora: 12:29
Qytetaret duke festuar Diten e Pavaresise

Kosova dje ka shënuar 15 vjetorin e Pavarësisë. Me aktivitete të ndryshme, që nga fillimi i ditës e deri në përmbyllje me festë.

15 vjet më parë përfaqësuesit e institucioneve dhe deputetët, vulosën vullnetin e qytetarëve.

Pavarësia fillimisht u nënshkrua nga presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi dhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, për të vazhduar me nënshkrimin e deputetëve të Kuvendit.

Njëri prej nënshkruesve deputet, ka qenë edhe Adem Salihaj, i cili ka rrëfyer për “Bota sot”, emocionet e asaj dite.

Salihaj thotë se akti i nënshkrimit të shpalljes së pavarësisë ishte privilegj i madh.

Sipas tij, shpallja e pavarësisë ishte akti më i madh dhe më i rëndësishëm i historisë së Kosovës.

“Akti i nënshkrimit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ishte nder i madh për mua, por edhe satisfaksion i madh pas gati 12 vitesh në burgje dhe angazhimit dhe sakrificës në institucionet e Kosovës që nga viti 1990 e këndej. Ky akt ishte edhe privilegj i madh, sepse mijëra veprimtarë të gjallë e të vdekur apo të vrarë për liri, të cilët kanë kontribuar shumë, nuk e patën këtë mundësi. Vetë ideatori dhe strategu i pavarësisë së Kosovës, presidenti Ibrahim Rugova nuk e arriti këtë ditë kaq të rëndësishme të Kosovës. Po ashtu, simboli i rezistencës dhe i sakrificës, Adem Jashari dhe familja e tij nuk e përjetuan këtë ditë të madhe. Shpallja e pavarësisë ishte akti më i madh dhe më i rëndësishëm i historisë së Kosovës. Secili do ta ndjente veten krenar të ishte pjesëmarrës i këtij akti të madh”, pohon Salihaj.

Image
Adem Salihaj

I pyetur nëse është kjo Kosova që e ka ëndërruar para nënshkrimit, Salihaj thotë se nuk është.

Sipas tij, Kosova sot është shumë e dobët, e përçarë dhe e pazhvilluar, me një rini të dëshpëruar me qëllim të vetëm që të largohet.

“Sa i përket faktit se a është Kosova ajo, të cilën e kemi ëndërruar, mund t'ju them se nuk është. Para lufte dhe gjatë luftës, Kosovën tonë e kemi ëndërruar si një vend të zhvilluar, ku lulëzon harmonia, dashuria dhe uniteti , jo vetëm brenda shqiptarëve të Kosovës, por edhe brenda gjithë kombit shqiptar. Por, kanë ndodhur të gjitha ato që nuk i kemi imagjinuar dhe dëshiruar. Kosova sot është shumë e dobët, e përçarë dhe e pazhvilluar, me një rini të dëshpëruar, e cila ka të vetmin qëllim-që të ikë sa më parë nga Kosova. Këtë vërtetë nuk kemi mundur ta imagjinojmë atëherë kur kemi luftuar me tërë qenien tonë për çlirimin e Kosovës. Një shtet i vërtetë dhe i fuqishëm mund të ngritet vetëm nëse të gjithë e duam atë dhe punojmë e veprojmë me përkushtim për ndërtimin dhe forcimin e tij”, thekson Salihaj.

Ai shpreson që populli shqiptar të vetdijësohet.

“Shpresoj se populli shqiptar i Kosovës një ditë do të vetdijësohet dhe do të përkushtohet që këtu ta krijojë mirëqenien ekonomike e sociale, si dhe lumturinë familjare. Kosova mund të na i japë të gjitha, mjafton që ta duam atë”, shton ish- deputeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat