“Lufta për kryq”, vjen alarmi pas deklaratës së Gjuriqit: Serbia ka në ‘cak’ këto shtete për konfrontim!

Politika

“Lufta për kryq”, vjen alarmi pas deklaratës së Gjuriqit: Serbia ka në ‘cak’ këto shtete për konfrontim!

Nga: A.M. Më: 19 shkurt 2023 Në ora: 18:02
Sistemi rus i mbrojtjes raketore “Pancir S” i vendosur në aeroportin e Bajtanicës.

Ambasadori i Serbisë në SHBA, Makro Gjuriq ka vazhduar me deklaratat e tij nxitëse, kësaj radhe duke bërë thirrje që të mbrohet “bota serbe”.

Ai këtë thirrje e ka bërë përmes një postimi në Twitter.

”Jemi në një pikë kthese të historisë kur fati i popullit serb po vendoset në të gjitha pjesët e hapësirës sonë historike etnike – nga Beogradi, fusha jonë veriore, në Kosovë dhe në pjesë të tjera të ish-Jugosllavisë ku jetojnë serbët“, ka shkruar Gjuriq.

Ndaj kësaj deklarate kanë nisur reagimet e shumta nga ana e përfaqësuesve politikë në Kosovë.

E për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli profesori Muhamet Kelmendi.

Fllimisht, ai u shpreh se ideja për formimin e “botës serbe” është një teori shumë e vjetër dhe që këtë tentoi ta zhvilloi fuqishëm Millosheviçi.

“Teoria ideopolitike e shtetit të madh serb është krijuar shumë herët, por ka marrë dimensionin e vetë, kryesisht në kohën e Millosheviçit. Ai kishte deklaruar: "Aty ku jeton një serb në Jugosllavi është Serbi".

Me këtë ide u zhvillua lufta në Kroaci, në Bosnië e Hercegovinë, në Kosovë, po me këtë ideologji u veprua edhe në Maqedoninë e Veriut dhe në Malin e Zi. Tash, kjo "botë serbe" nëpërmjet "luftës për kryq", ka të njëjtin qëllim, atë të realizimit të shtetit të madh serb në Ballkan.

"Lufta për kryq" është duke u zhvilluar tash e 20 vjet, që pas luftës së fundit në Kosovë nga kisha serbe. Në çdo liteaurgji nga priftërinjtë serbë dëgjohen: “Kosova është nëna e shtetit serb", "nuk mund të lëshohet në duar të shqiptarëve kisha e Car Dushanit", "Kosova është djepi serb" apo "në Kosovë është trashëgimia kishtare serbe" etj”, deklaroi profesori.

Image
Profesori Muhamet Kelmendi.

Krahas kësaj, Kelmendi u shpreh se kjo ide përkrahet nga Rusia dhe Kina, por edhe nga Dodik në Bosnjë dhe Hercegovinë.

“Ideologjia e tillë udhëhiqet nga një qendër serbe. Ajo gjendet në Beograd dhe përkrahet fortë dhe ashpër nga Rusia dhe Kina. Po me këtë ideoligji, krimineli Dodik po vepron në Bosnje e Hercegovinë. Mbi bazën e tillë u organizuan demonstrata në Mal të Zi.

Në Kosovë veprohet me armë, me krim të organizuar, me kisha dhe me bllokime të rrugëve e të qyteteve. Kudo po del lufta për "kryq" në luftë për shtetin e madh serb. Tash doli edhe Marko Gjuriq. Ai shkruajti: "Jemi në një kthesë të historisë kur fati i popullit serb po vendoset në të gjitha pjesët e "hapësirës" sonë historike"”, nënvizoi ai.

Në vazhdim, profesori tha se duke marrë parasysh veprimet politike të Serbisë dhe armatimin e saj, mund të thuhet se ekziston një rrezik për luftë të re në Ballkan.

“Ideologjia e tille me qëllim ka kaluar tërësisht në nacional-shovenizëm Po prinë tërësisht feja ortodokse serbe. Kjo, në njërën anë dhe, në anën tjetër, veprimet politike të shtetit serb, kuptohet ndaj shteteve tjera, si dhe armatimi i madh dhe i gjithanshëm i Serbisë, përbënë rrezik permanent për luftë të re në Ballkan.

Serbia e di se me "luftën për kryq dhe botën serbe" nuk realizohet ideja e vjetër serbe për shtetin e madh serb. Mirëpo, kjo po iu shërben për të ngritur racizmin nacional fashist serb ndaj popujve tjerë të Ballkanit. Kështu është ngritur urrejtja serbe ndaj shqiptarëve, kroatëve boshnjakëve e të tjerëve. Deri edhe urrejtja ndaj malazezëve”, Kelmendi.

Ndër të tjera, ai tha se ‘caku’ i parë është ‘përplasja’ me Kosovën, më pas edhe me Malin e Zi e Bosnjën e Hercegovinën.

“Realizimi i kësaj ideologjie serbe nuk bëhet lehtë, nuk realizohet me "luftën për kryq", ajo bëhet me bashkëveprim të "luftës për kryq" me luftën e armatosur.

Për këtë po armatoset shteti serb me armë nga Rusia dhe Kina. Ato nuk blihen apo dhurohen për shtetin serb për zogj, por për luftë kundër shqiptarëve dhe boshnjakëve, mundet edhe kundër malazezëve e kroatëve.

Këtu është qëllimi i klikës raciste serbe. Tehu i parë i konfrontimit është Kosova dhe Bosnja e Hercegovina. Priten ç'rregullime edhe në Malin e Zi”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat