Deklarata nxitëse e Gjuriqit për “botën serbe”, kritikohet qasja e ndërkombëtarëve ndaj Serbisë - ja çfarë duhet bërë!

Politika

Deklarata nxitëse e Gjuriqit për “botën serbe”, kritikohet qasja e ndërkombëtarëve ndaj Serbisë - ja çfarë duhet bërë!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 21 shkurt 2023 Në ora: 08:04
Vladimir Putin dhe Aleksandar Vuçiq, foto ilustrim nga "Bota sot"

Dihet se, Serbia që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, me të gjitha forcat e saj, e me propagandë, në vazhdimësi dhe lobon kundër saj. 

Si duket, Serbisë kriminale diplomacia agresive i ka mbetur si armë e fundit kundër shtetit të Kosovës.   

Përveç kësaj, diplomatët e saj, shpeshherë japin edhe deklarata nxitëse dhe provokuese.   

Një të tillë, së fundi e bëri ambasadori serb në SHBA, Makro Gjuriq, ku kësaj radhe bëri thirrje që të mbrohet “bota serbe”.   

Ai këtë thirrje e ka bërë përmes një postimi në Tëitter. 

”Jemi në një pikë kthese të historisë kur fati i popullit serb po vendoset në të gjitha pjesët e hapësirës sonë historike etnike – nga Beogradi, fusha jonë veriore, në Kosovë dhe në pjesë të tjera të ish-Jugosllavisë ku jetojnë serbët“, ka shkruar Gjuriq.   

Ndaj kësaj deklarate kanë nisur reagimet e shumta nga ana e përfaqësuesve politikë në Kosovë. 

Vlen të theksohet se një deklaratë e tillë nxitëse u bë vetëm pak para takimit në Bruksel, më saktësisht në ‘vlugun’ e zhvillimeve të dialogut Kosovë-Serbi. 

Halimi: Deklaratat e tilla nga Serbia nuk duhet parë si befasi 

Image
Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS

Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS, në një prononcim për “Bota sot” komentoi deklaratën provokuese të ambasadorit serb.  

Sipas tij, një deklaratë e tillë nga Gjuriqi nuk është befasi, kjo për shkak se nga Serbia në vazhdimësi ka deklarata tendencioze, që fatkeqësish tolerohen nga bashkësia ndërkombëtare.   

“Deklaratat e tilla nga Serbia nuk duhet parë si befasi, ngase ata kanë dëshmuar se janë të padisiplinuar. Kjo padisiplinë dhe guxim, vije fatkeqësisht si pasojë e tolerimit të Serbisë nga bashkësia ndërkombëtare, përkundër të bëmave të këtij shteti, i cili jo vetëm ndaj nesh, por ndaj shteteve për rreth ka kryer krime lufte, e që do duhej trajtuar sikurse Gjermania naziste pas luftës së dytë botërore e sanksionuar deri në disiplinimin e saj”, deklaroi ai. 

Më tej Halimi u shpreh i befasuar me përkrahjen që shteti serb po merr nga ndërkombëtarët, pavarësisht lidhjes së tij me Rusinë.   

“Befasia vije jo vetëm nga tolerimi por edhe përkrahja në një farë mënyre nga bashkësia ndërkombëtare, sidomos SHBA, edhe pse Serbia është hapur e deklaruar për anim ndaj armikut të botës demokratike, Rusisë”, theksoi ai.   

Ndër të tjera, ai kishte disa kritika për diplomacinë e vendit tonë “Serbisë në këtë drejtim po i ndihmon edhe mos puna e diplomacisë kosovare, çka e ka bërë në këtë drejtim Serbia duket se ka fituar avantazh”. 

Shala: Ky hov diplomatik në këtë fazë duhet të analizohet pro dhe kontra   

Kurse, eksperti i sigurisë, Drizan Shala në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” këtë qasje diplomatike të shtetit serb e analizoi në dy faza. 

Image
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala

Së pari, tha se kjo po bëhet pasi ka mungesë të strategjisë nga diplomacia e Kosovës. 

“Po ky hov diplomatik në këtë fazë duhet të analizohet pro dhe kontra. 

Në aspektin "Pro" mund të cilësohet politika e Serbisë për ta tanimë që situata është kthyer e favorshme në mungesë të një strategjie tonë (Institucioneve të Kosovës)  të mirëfilltë në mbarëvajtjen e raporteve shtetërore me partnerët tanë e në veçanti me SHBA”, nënvizoi eksperti i sigurisë. 

Krahas kësaj, Shala kishte disa ‘këshilla’ për Ministrinë e Punëve të Jashtme. 

“Dhe një intensitet aktiv tani duhet parë që ne duhet të ri-kthjellemi dhe politikën tonë të jashtme ta merr Ministria adekuate në dorë e mos të na mbetet në mëshirën e një "shitore ne qarshi" siç është tani”, u shpreh ai.   

Në fund, eksperti i sigurisë se përmes propagandës serbe po mundohen të paraqiten marrëveshjet me Kosovës si një platformë e Serbisë. 

“Në aspektin "Kontra" mund të themi që përmes një propagande të tillë nga ana e politikës Beogradit po tentohet që çfarëdo marrëveshje eventuale me Kosovën të paraqitet si një nismë e re e platformës ekonomike politike të Serbisë në ish vendet e RSFJ-se me efikasitete kontraproduktive të saj”, përmbylli Drizan Shala për “Bota sot”. 

Termi “Bota serbe” 

Termi “Bota serbe” u përdor për herë të parë nga Aleksandar Vulin, më 26 shtator 2020, derisa ishte shef i Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë. 

“Vuçiq duhet të krijojë ‘Botën serbe’. Beogradi duhet të mbledhë të gjithë serbët brenda dhe rreth vetes, ndërkaq që presidenti i Serbisë është presidenti i të gjithë serbëve”, pati thënë Vulin. 

Ai më vonë pati folur më hollësisht për atë që ai e konsideroi termin “Bota serbe”, duke aluduar në nevojën e bashkimit të popullit serb në një shtet të vetëm. 

Serbia i thekson lidhjet e ngushta, duke financuar mjediset me popullsinë serbe në të gjitha vendet në rajon. Gjatë vitit 2017, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ai i Republikës Serbe, entitet ky brenda Bosnjë e Hercegovinës, Milorad Dodik, patën paralajmëruar gjithashtu Deklaratën për mbijetesën e popullit serb në rajon, por ajo nuk është miratuar deri më sot.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat