Analisti ndez alarmin për Kosovën: Asociacioni dhe Kisha serbe grabisin ekzistencën e shqiptarëve autokton

Politika

Analisti ndez alarmin për Kosovën: Asociacioni dhe Kisha serbe grabisin ekzistencën e shqiptarëve autokton

Nga: Nehat Shaqiri Më: 21 shkurt 2023 Në ora: 22:54
Ilustrim

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, nuk janë takuar, që nga nëntori i vitit të kaluar, ndërsa përfaqësuesi i lartë i BE-së, për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, me 27 shkurt ka thirrur takimin e parë në nivel të lartë, për këtë vit, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.

Takim në të cilin, pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe kryeministri i Kosovës dhe presidenti serb, ku sipas njoftimeve nga BE, Josep Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, fillimisht do të bisedojnë me liderët e të dy vendeve veç e veç dhe vetëm pastaj, parashihet një takim i përbashkët, me temë të diskutimit, propozimin evropian, të njohur ndryshe edhe si plani franko-gjerman, siç thuhet, për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kështu thotë analisti politik Gani Qarri, i cili pohon se, ajo që habit shqiptarët dhe mbarë opinionin qytetar në Kosovë e më gjerë, është fakti se si e nga kush u aranzhua dhe cilët janë ata politikan apo faktor determinues që imponuan, heqjen e pavarësisë së Kosovës nga ky plan dhe pa marrë fare pëlqimin e Kosovës, futën krijimin e asociacionit kundërkushtetues një etnik serb.

Qarri thotë se kjo ndodhi përkundër faktit se, siç e vërteton edhe vet Gabriel Eskobar në prononcimet e tij publike, asociacioni, as që ka qenë pjesë e propozimit evropian.

“Dhe njëjtë si më parë, serish si në periudhën e kaluar mbi dhjetëvjeçare të dialogimit pothuajse kot, edhe sot vetëm temat e propozuara nga Serbia, përsëri vazhdojnë të jenë të vetmet, që trajtohen me prioritet!”, thotë Qarri për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, sado që më 27 shkurt kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të takohen në Bruksel, pyetje më vete mbetet lajmi që tanimë po qarkullon edhe në media se mund të arrihet një marrëveshje dhe konkretizohet pranimi i planit franko-gjerman.

“Nëse në takime dhe propozimin e BE-së, flitet vetëm për "zajednicën" kundërkushtetuese serbe, por jo edhe për njohjen e Kosovës dhe nevojat e saj imediate, për avancimin e shtetësisë dhe inkuadrimin e vendit tonë si shtet i pavarur në organizata të ndryshme evropiane e ndërkombëtare me rëndësi, si dhe pranimi i Republikës së Kosovës në Këshillin e BE-së, NATO dhe OKB, nuk e shohë të arsyeshme që të pranohet kjo metodë imponuese e bisedimeve dhe formë e dialogimit me detyrim”, pohon ai.

Image
Gani Qarri

Sipas tij, në propozimin e BE-së flitet edhe për eksterritorialitetin e kishave serbe, sipas modeleve të projektuara nga Millosheviqi, në kohën e okupimit klasik të Kosovës me polici dhe tanke e ushtri të ardhura nga Serbia, që do të jetë një nga problematikat më të nxehta për shqiptarët dhe shtetin e Kosovës.

“Me eksterritorialitet kishat serbe, përveç qëllimit djallëzor për gllabërimin e hapësirave sa më të mëdha tokësore dhe prishjes së rregullimit të brendshëm, aktual shtetëror të Kosovës, ato, njëjtë si në Mal të Zi pretendojnë që edhe në Kosovë ta bëjnë edhe me ligj, grabitjen e historisë tonë shumë shekullore, si dhe mohimin komplet, të ekzistencës së shqiptarëve autokton në këto troje”, shton ai.

Sipas tij, këtu do të luhet me aktin më perfid, të njohur ndonjëherë, për shkatërrimin komplet të historisë tonë kombëtare dhe pretendimin ogurzi të Serbisë, për zhdukjen e tërësishme të autoktonisë shekullore shqiptare në tokat tona stërgjyshore.

“Pas eksterritorialitetit, kishat serbe do të kërkonin edhe lidhjen tokësore me komunat dhe pjesët e sunduara nga zajednica kundërkushtetuese serbe, gjë që përveç pengesave të gjithfarëllojshme administrative e qeverisëse, do të krijohej edhe precedenti më i rëndë politik në historinë tonë më të re, i krijimit edhe të një "republika srpska" që posedon edhe zyrtarisht, tapitë e territorit, trashëgimisë dhe të historisë së Kosovës”, thotë analisti.

Qarri pohon se, përveç faktit që Serbisë, as sot, nga askush nuk i kërkohet heqja e Kosovës nga preambula e kushtetutës serbe, me krijimin e “zajednicës” dhe realizimin e eksterritorialitetit, Kosova edhe zyrtarisht, do të shihej nga mbarë bota, si një exklav e Serbisë e pushtuar nga shqiptarët, të cilës përveçse nuk do ti kërkohej më asnjëherë njohja e shtetit të pavarur të Kosovës, fatkeqësisht do të mbetej vetëm çështje kohe edhe riokupimi i Kosovës nga Serbia hegjemoniste.  

“Prandaj përderisa nuk qartësohet përfundimisht, se në këtë plan-marrëveshje, do të jetë edhe njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, Albin Kurti nuk do duhej në asnjë mënyrë të pranojë marrëveshje për përfitime të dyfishta të Serbisë, e cila me “zajednicën” dhe eksterritorialitetin përveç plotësimit të orekseve territoriale në Kosovë do të avanconte edhe në rrugëtimin e vet, drejt integrimit në BE”, pohon ai.

Qarri thotë se për t’u parandaluar kjo, duhej që Albin Kurti të jep dorëheqje.

“Kështu që, nëse vërtetë trysnia ndërkombëtare ndaj Kosovës, rritet deri në kufi të pa-durueshmërisë, Albin Kurti duhet të jap dorëheqje të parevokueshme dhe vendi të shkojë urgjentisht në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, në mënyrë që mos të lejojë, që përmes eksterritorialitetit të kishave serbe dhe krijimit të "zajednicës" kundërkushtetuese të Hashim Thaçit e Isa Mustafës, Republika e Kosovës të kthehet në exklavë serbe dhe rrezikohet me shuarjen e shtetësisë e riokupimin nga Serbia, gjë që të gjitha fajet për një dështim kaq të rëndë e tragjik për Kosovën, do ti binin, këtij mbi shpinë dhe nuk do t`ia falte kurrë, asnjë shqiptar e dashamirës i popullit dhe shtetit të Kosovës”, përfundon Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat